Imuniteti, Majko: Jo më 6 gusht
Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, shprehet se opozita nuk do të votojë më 6 gusht ndryshimet kushtetuese. Në një intervistë në emisionin 5 pyetje nga Babaramo në News 24, relatori i draftit të imunitetit shprehet se diskutimi duhet bërë në shtator, ku të përfshihen edhe propozimet e PS-së. Si çështje juridike është e mbyllur. Palët kanë rënë dakord dhe nuk ka diskutime për nene apo për shprehje. Elementi që mund të konsiderohet më problematik është data 6. Më datë 6 gusht, Partia Socialiste nuk ka ndër mend të votojë. Ne procesin e konsiderojmë të hapur dhe në vazhdim. Janë disa propozime të tjera, të cilat ia vlen të diskutohen. Këto propozime nuk janë shpikje, as kushte, që do të thotë: nëse nuk kaloni këto që ne kemi sjellë, nuk kalon as paketa për të cilën kemi rënë dakord për ndryshimin e neneve të imunitetit. Në këtë kontekst, ky ka qenë i vetmi moment që kemi diskutuar me PD-në, tha Majko. I pyetur se nëse PD nuk do të pranojë propozimet e opozitës, PS a do ta refuzojë draftin e rënë dakord për imunitetin, anëtari i Komisionit të Ligjeve tha: Në qoftë se do të respektohet procesi i diskutimit dhe PD-ja nuk bie dakord me ne, kjo nuk do të jetë dramë. Ne kemi sjellë disa propozime që nuk janë as shpikje, as kushte, që do të thotë se kur diskutohen në seancë, PD-ja ka të drejtë të votojë kundër atyre që nuk bien dakord me ne, por ne do të votojmë një për një të gjitha ndryshimet për të cilat kemi rënë dakord. Ky është seriozitet përballë njëri-tjetrit.
Zgjedhjet e 2013-s
Deputeti socialist shprehet se në mënyrë simbolike basti i Edi Ramës është të nxjerrë Berishën në pension. Sipas tij, PD-ja nuk ka më çfarë të japë edhe 4 vjet të tjera në qeverisje. Basti i Edi Ramës është ndryshimi i status quo-së në shoqërinë shqiptare; sigurisht, edhe dalja në pension e Berishës. Ne sot kemi një bast të madh, i cili në simbolikë ka emra. Kjo është një betejë shumë e rëndësishme jo vetëm për fatin e Edi Ramës dhe Sali Berishës, por për fatin e shoqërisë shqiptare. E kam të vështirë ta mendoj se si do të vazhdojë të funksionojë ai normalitet në Shqipëri nëse Berisha do të deklarojë një ditë pas zgjedhjeve të 2013-s se PD-ja do të qeverisë edhe 4 vjet të tjera. Nuk e di çfarë i ka mbetur PD-së pa deklaruar dhe pa bërë deri sot nga ajo që ka pasur në program, u shpreh Majko. Lidhur me koalicionin parazgjedhor që duhet të krijojë PS-ja, deputeti socialist tha se opozitar nuk të bën PS-ja, por është një vendim i yti në lidhje me qeverisjen. Nuk mendoj se duhet të ndihemi pishman nëse një parti ka vendosur të mos jetë në opozitë. Me logjikën që të shkojmë në zgjedhje me 2-3 opozita, që do të zihen me njëra-tjetrën se kush është më e mirë, kush është më e ndershme, kush bashkëpunon me PD-në, përballë një qeverisjeje që e ka manipulimin doktrinë të vetën, rrezikojmë që Doktor Berisha të dalë një ditë pas zgjedhjeve të 2013-s dhe të thotë që do të qeveris unë dhe për katër vjet. Pastaj këta që zihen do të rrinë në opozitë për tu rigrindur me njëri-tjetrin në qebaptoret e Tiranës.
Gjinushi
Socialdemokrati Gjinushi kërkon një bashkim të të gjithë faktorëve anti-Berishë në zgjedhjet e 2013-s, përfshirë këtu dhe FRD dhe AK. “Unë e kuptoj më shumë si një thirrje që të gjitha forcat që janë për largimin e kësaj të keqeje për Shqipërinë. Duhet dalluar fronti që synon rivendosjen e rendit kushtetues dhe demokracisë së konsoliduar e gjithçkaje që është shkatërruar nga qeverisja e PD-së këta 7 vjet dhe është një diçka tjetër që pas rivendosjes së rendit dhe largimit të këtij klani. Pastaj bashkëqeverisja vendoset mbi rregulla të tjera”, tha Gjinushi.Nano
I pyetur për lëvizjen e Nanos, Majko u shpreh: Kur ta fillojë Nano lëvizjen, do më pyesësh dhe do të jap përgjigje. Tani nuk ia vlen të diskutojmë gjëra që nuk kanë ndodhur. Për tu marrë me politikë askush nuk e pengon, por se si do ta ndërtojë marrëdhënien e tij me politikën, kjo është një histori tjetër që duhet ta presim dhe ta respektojmë në atë që do ti ofrojë publikut.