E Diel, 1 Nëntor 2026

Krenarë që e heqim imunitetin

Berisha dje gjatë konferencës në Ministrinë e Drejtësisë

Kryeministri Sali Berisha shfrytëzoi një ceremoni të Ministrisë së Drejtësisë për portalin online të sistemit gjyqësor, për të kërkuar edhe një herë miratimin e ndryshimeve kushtetuese për heqjen e imunitetit. Në fjalën e tij, kreu i maxhorancës u shpreh se votimi më 6 gusht i nismës së dy relatorëve të PD-së dhe PS-së do të rrisë transparencën edhe në Gjyqësor. Ne duhet të ndihemi krenarë me kërkesën tonë për të kufizuar apo hequr imunitetin, sepse kjo do të na bëjë më transparentë, kjo do të na bëjë më të barabartë para ligjit me qytetarët tanë. Në mënyrë të padiskutueshme funksioni i çdo zyrtari në këtë vend është mbrojtur dhe do të mbrohet, por fatkeqësi e madhe është në rast se pushteti përdoret për pasurime të paligjshme dhe imuniteti, kufizimi dhe heqja e tij nuk synon asgjë tjetër veçse parandalimin, veçse qëndrimin ligjor ndaj të gjitha rasteve që pushteti përdoret për favore për pasurim të paligjshëm, u shpreh Berisha. Duke folur për përkrahjen e sistemit gjyqësor nga Ekzekutivi, Kryeministri përmendi miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë në nenin që ngushton rrogën e kryetarit të gjykatës me atë të gjykatësit të thjeshtë. Qeveria do të bëjë gjithçka për tju mbështetur dhe shpresoj që së shpejti ligji për Gjykatën e Lartë të votohet në Parlament, në të cilin i kam kërkuar ministrit të amendohet neni që proporcionon rrogën tuaj me rrogën e kryegjykatësve të vendit, pasi në politikën e kësaj qeverie është ngushtimi i diferencave të rrogave; por kjo nuk do të thotë se këtë faturë ta paguajnë gjykatësit e tjerë pse nuk do të rriten rrogat e larta, u shpreh kreu i qeverisë gjatë këtij takimi.

Deklarata
Sipas Berishës, Gjyqësori ka nevojë të rrisë pavarësinë e tij. Unë jam dhe mbetem i vendosur që ju të shpërbleheni në mënyrë dinjitoze për punën e rëndësishme që bëni, të mbështesim me të gjitha  mënyrat konsolidimin e pavarësisë suaj, si një kusht që liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë të garantohen dhe respektohen gjithnjë e më shumë, tha Kryeministri.

Ministria e Drejtësisë përuron portalin gjyqësor në internet
Halimi: Do të sigurojë transparencë tërësore

Portali i inauguruar dje

TIRANE Ministria e Drejtësisë përuroi dje portalin gjyqësor të internetit, një nga projektet më të rëndësishme të saj për transparencën në Gjyqësor. Në ceremoninë ku ishin të pranishëm Kryeministri Sali Berisha, përfaqësues të Trupit Diplomatik në Tiranë, si edhe krerët e gjykatave, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha se përmes këtij portali, qytetarët do të shohin në dritën e diellit se çfarë ndodh në gjykatë. Nëpërmjet ndërtimit të portalit të gjykatave ne sigurojmë transparencën në çdo qelizë të sistemit gjyqësor, të bindur se sistemet dixhitale dhe transparenca janë, pa dyshim, masat më të rëndësishme në betejën për reformimin e sistemit gjyqësor, u shpreh ministri Halimi. Në vijim ai shtoi se transparenca rrit përgjegjshmërinë e gjyqtarëve dhe aktorëve të Drejtësisë, ul korrupsionin, ndihmon qytetarët të identifikojnë devijantët dhe Ministrinë e Drejtësisë të fillojë procedurën për të kërkuar ndëshkimin e tyre.
PORTALI
Portali i gjykatave shqiptare është i përbërë nga 32 ueb-sajte. Gjykata e Lartë, çdo gjykatë Apeli dhe çdo gjykatë e Shkallës së Parë ka ueb-sajtin e saj në këtë portal, në të cilin gjendet informacion i personalizuar për atë gjykatë. Përmes sistemit mund të bëhet gjurmimi i një çështjeje nga momenti i paraqitjes në gjykatë deri në përfundimin në të gjitha shkallët e gjykimit, përfshi ekzekutimin. Sipas të dhënave, informacioni në portal është i plotë dhe në kohë reale për çdo çështje gjyqësore në çdo gjykatë të vendit. Qytetarët mund të marrin online 24 orë në 24 informacion të detajuar për çështjet në gjykim nga momenti i paraqitjes së padisë, hedhjes së shortit, kalendarin dhe vendin e seancave gjyqësore dhe të gjithë indikatorët e performancës së administratës gjyqësore. Bëhet e ditur se portali u ofron mundësi edhe inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të mbikëqyrin nga zyra e tyre punën në gjykata. Portali u ofron mundësinë inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë dhe të KLD-së, duke përdorur një username (emër përdoruesi) dhe fjalëkalim të caktuar, të marrin gjithë informacionin elektronik të çdo dosjeje gjyqësore pa lëvizur nga tavolina e tyre, duke e lehtësuar dhe bërë efikas inspektimin gjyqësor, thuhej në njoftimin e Ministrisë. Po aty thuhej se portali ndihmon në një vlerësim real të punës dhe performancës së çdo gjyqtari, duke ndihmuar realisht autoritetet për promovimin e gjyqtarëve për efekt të meritës. Portali i Gjyqësorit do të rrisë transparencën e sistemit ndaj publikut.         ar.ba

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›