E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Prokuroria të ketë më shumë kurajë

Presidenti Bujar Nishani

Presidenti Bujar Nishani vlerëson punën e deritanishme të Prokurorisë, por shprehet se ajo duhet të tregojë më shumë kurajë dhe angazhim. Në një intervistë për Top Channel, i pyetur nëse në vjeshtë do të ketë një drejtues të ri të organit të akuzës, kreu i shtetit u shpreh: Përsa i takon institucionit të Prokurorisë, unë e kam shprehur dhe herë të tjera. Personalisht mendoj dhe e shoh Prokurorinë e Republikës së Shqipërisë si një institucion që duhet të ketë shumë më tepër angazhim, shumë më tepër përfshirje, shumë më tepër kurajë, shumë më tepër profesionalizëm në përballjen me problematikat e mëdha që ka krimi i organizuar, por veçanërisht korrupsioni dhe krimi ekonomik. Sipas tij, natyrisht, që nuk mund të hidhet poshtë puna e bërë, shembujt pozitivë, kontributet e prokurorëve. Ashtu siç kam të identifikuar dhe kam një panoramë të qartë mbi mjaft gjyqtarë me integritet dhe profesionistë të mirë që janë, veprojnë brenda sistemit të Drejtësisë, ashtu jam i bindur në ekzistencën e një numri të konsiderueshëm prokurorësh me dinjitet, me kurajë dhe me profesionalizëm, që funksionojnë brenda sistemit të Prokurorisë. Edhe në këtë aspekt, puna e tyre duhet të vlerësuar dhe duhet promovuar, por synimi im, kërkesa ime është shumë e madhe në aspektin e rritjes së mëtejshme të performancës dhe angazhimit profesional të Prokurorisë. Lidhur me drejtorin e SHISH, Nishani tha se Presidenti duhet të flasë me akte, kur akti i vihet përpara. Akti vjen në rrethana të caktuara dhe vendimi i presidentit do të jetë në bazë të asaj që do të gjejë. SHISH është një institucion në vartësi të kryeministrit dhe kreu i tij për tu shkarkuar apo emëruar bëhet në bazë të vlerësimeve të kryeministrit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›