Imuniteti PD PS e tmerruar nga origjina e pasurive
Partia Socialiste dhe lidershipi i saj po bllokojnë për të tretën herë statusin e vendit kandidat në BE. Kështu u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike, Silvi Bardhi, gjatë një komunikimi me mediat, ku bëri me dije për publikun strategjinë që po ndjek PS përballë kërkesës së BE për heqjen e imunitetit.
“Pasi bllokoi më datë 6 gusht heqjen e imunitetit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, z.Edi Rama ka angazhuar mediat që kontrollon dhe specialistët e Partisë në një fushatë absurde dhe të diskretituar botërisht kundër heqjes së imunitetit nëpërmjet referendumit popullor si një e drejtë kushtetuese e qytetarëve shqiptarë. Me këtë qëndrim z.Rama dhe miliardierët imunitarë të Partisë Socialiste që i bllokojnë për të tretin vit me rradhë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, dëshmojnë qartë dhe perfundimisht se ata nuk mund të pranojnë kurrësesi heqjen e imunitetit sepse janë të tmerruar nga origjina e qindra miliarda lekëve të kupolës së Partisë”, u shpreh Bardhi. Madje, sipas selisë blu, PS dhe Rama duke përdoru çdo mekanizëm për të mbajtur imunitetin kanë harruar dhe nuk flasin më për rrogat, pensionet, punësimin dhe ndihmën ekonomike që janë dhe interesat jetike të qytetarëve të thjeshtë.
“Udhëheqja e Partisë Socialiste që kundërshton prej 10 vitesh me radhë heqjen e imunitetit dhe tani së fundi bllokoi për të tretin vit me rradhë statusin e vendit kandidat, beson verbërisht se imuniteti është si të thuash, këmisha e tyre e lindur që i qëndron në AND-në e neobllokmenëve të trashëguar nga etërit e tyre, prandaj dhe ata që e ndjejnë veten si të lindur me imunitet nuk mund të pranojnë kurrë ta heqin atë dhe të barazohen para ligjit me qytetarët e thjeshtë, pavarësisht dëmit të pallogaritshëm që i bëjnë vendit, para së gjithash duke bllokuar statusin e vendit kandidat dhe integrimin e tij në Bashkimin Europian”, vuri në dukje zëdhënësja e PD.
Por pavarësisht këtij qëndrimi, PD është e vendosur se “do të jenë qytetarët shqiptarë që në referendumin popullor me votën e tyre të lirë do të shembin së shpejti murin e imunitetit që i ndan ata nga deputetët, qeveritarët dhe gjykatësit e tyre, do të shndërrojnë Shqipërinë në vendin e qytetarëve të barabartë para ligjit në një vend me të ardhme të sigurt Europiane, të cilën ata e meritojnë”.