E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni në Shqipëri përkeqësohet përpara zgjedhjeve

Një studim i ri thotë se korrupsioni në Shqipëri mund të përkeqësohet në vigjilje të garave elektorale, veçanërisht kur partia në pushtet përballet me humbje ose me një garë të ngushtë.

Nga Besar Likmeta

BIRN

Studimi, i publikuar nga Revista për Ekonomi dhe Biznes e Europës Juglindore, i titulluar Korrupsioni, licencimi dhe zgjedhjet analizon korrupsionin dhe licencimin në kuadër të zgjedhjeve, duke përdorur të dhënat kombëtare për licencat e mediave dhe noterëve publik.

Në muajt përpara ose gjatë zgjedhjeve, numri i këtyre licencave të lëshuara është në mënyrë domethënëse më i madh, thotë Drini Imami, profesor në Universitetin Agrobujqësor të Tiranës dhe autor i studimit.

Sipas studimit, nga viti 2000 deri në vitin 2007, janë dhënë 43 licenca noterësh. Në total 19 licenca janë dhënë brenda një muaji nga të dyja datat zgjedhore. Brenda gjashtë muajsh nga të dy palë zgjedhjet janë dhënë në total 25 licenca, thuajse 60 përqind të totalit.

Sa u përket licencave televizive, brenda 12 muajsh nga datat e zgjedhjeve janë dhënë 61 licenca televizive nga totali prej 120 i dhënë për periudhën 2000-2008.

Edhe pse nuk ka lidhje direkte mes procesit të dhënies së licencave dhe korrupsionit, raportimet lokale nga aktorë vendas e të huaj theksojnë se procesi i lëshimit të licencave të noterëve dhe të televizioneve nuk është transparent.

Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, publikuar nga Transparency International, Shqipëria është një nga vendet më të korruptuara në Europë. Dy zgjedhjet e fundit parlamentare u karakterizuan nga përkeqësimi i korrupsionit në Shqipëri.

Pranverën e ardhshme Shqipëria do mbajë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ku kryeministri Sali Berisha pritet të garojë për një mandat të tretë.

Imami thekson se qeveritë në pushtet janë më të pritura për tu angazhuar në korrupsion nëse parashikojnë mundësi të larta për të humbur, ose kur gara është e ngushtë, veçanërisht në një ambient të pandëshkueshmërisë gjyqësore si në Shqipëri.

Nëse ai që është në pushtet është i sigurt se do fitojë zgjedhjet, natyrisht që do e reduktojë korrupsionin përpara zgjedhjeve, thotë ai.

Por nëse ai zgjedh të intensifikojë korrupsionin, ai duhet të dijë se mund të shkaktojë nivele më të larta të korrupsionit të perceptuar, çka mund të sjellë edhe humbje votash, konkludon Imami.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›