“’Imuniteti’, Rama kërkon të bllokojë integrimin”

PD akuzon kreun e PS-së për zvarritje
Partia Demokratike deklaroi dje se kreu i opozitës, Edi Rama po zvarrit nismën e mazhorancës për kufizimin e imunitetit me qëllim bllokimin e procesit të integrimit evropian. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e selisë blu, Silvi Bardhi tha se komuniteti ndërkombëtar i hartoi këto ligje dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve t’i votojnë ato, por Edi Rama vazhdon të bllokojë procesin në përpjekje për përfitime vetjake, por të gjithë shqiptarët e kuptojnë mirë këtë.
“Edi Rama qartësisht është duke u përpjekur të ngadalësojë procesin për të bllokuar integrimin. Komuniteti ndërkombëtar i hartoi këto ligje dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve t’i votojnë ato, por Rama vazhdon të bllokojë procesin në përpjekje për përfitime vetjake, por të gjithë shqiptarët e kuptojnë mirë këtë. Edi Rama e bën këtë pasi ka përsëritur vazhdimisht se mbështet heqjen e imunitetit. Por fjalët e kota nuk kanë vlerë, veprimet janë ato që kanë vlerë. Ne e nxisim Edi Ramën të veprojë tani në mënyrë që integrimi i Shqipërisë të mos vihet në rrezik. Të gjithë qytetarët duhet të jenë të barabartë para ligjit, po Rama cilët po mundohet të mbrojë? Qytetarët e thjeshtë nuk e gëzojnë këtë lloj mbrojtje, dhe për rrjedhojë as klasa politike nuk mund ta gëzojë. Edi Rama po provon përsëri të përfitojë nga procesi në vend që t’i shërbejë interesave të qytetarëve”, u shpreh Bardhi.
Ajo shtoi se PD mbështet heqjen e imunitetit për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit në mënyrë që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit.
“Partia Demokratike mbështet heqjen e imunitetit për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit në mënyrë që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit. Kjo nuk është çështje politike, thjesht është gjëja e duhur për t’u bërë”, tha më tej zëdhënësja e Partisë Demokratike, Silvi Bardhi.