“Reforma zgjedhore, sipas standardeve europiane”

Oerd Bylykbashi, eksperti i Partisë Demokratike
Eksperti i Partisë Demokratike në Komisionin për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, u shpreh dje, pas konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës, se me këtë reformë zgjedhore janë arritur të trajtohen në mënyrë dërmuese të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR gjatë viteve 2009 dhe 2011.
“Sot (dje) u miratuan të gjitha ato çështje që ishin lënë pezull, që ishin çështje të rëndësishme si përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si do të përzgjidhen anëtarët dhe kryetari i Komisionit, administrimi i provave në procesin ankimor, duke respektuar procedurat që garantojnë jo vetëm rregullsinë e procesit, por edhe transparencën si dhe përfshirjen e teknologjisë elektronike në procesin e numërimit dhe votimit”, tha Bylykbashi.
Sipas tij, trajtimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR e çon kodin zgjedhor në një nivel më të lartë si bazë për zhvillimin e zgjedhjeve dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Të dyja palët bënë lëshimet e tyre me frymë kompromisi dhe arritën në zgjidhjen më të mirë të mundshme. Nuk është çështje kush u tërhoq, por çfarë arritën së bashku”, tha eksperti i PD-së.
Bylykbashi e cilësoi të suksesshme mbylljen e punimeve të Komisionit për Reformën Zgjedhore, për t’i çelur rrugë sfidave të vendit në kuadër të integrimit evropian.