E Diel, 1 Nëntor 2026

“Hipoteka më fshiu pronën me leje”

 

Ferdinand Dervishi

Kjo është një histori që mund të bëjë të pafuqishëm, para zyrtarëve që operojnë në emër të ligjit, që të gjithë zotëruesit e pronave private të Tiranës dhe më tej të të gjithë vendit. Ndërsa fabula është e ngjashme me atë filozofinë popullore të “Ligjit në duart e Maliqit”. Shkurt fare, me anë të një Udhëzimi të Këshillit të Ministrave të datës 21.11.2007, “për regjistrimet e kryera në kundërshtim me ligjin dhe atyre që krijojnë mbivendosje”, hipotekat me pak dëshirë të shtuar mund të të fshijnë pronën vetëm sepse përgjatë ekzistencës ligjore të saj mund të gjendet ndonjë “bisht” parregullsie. Kështu ky ligj, apo udhëzim, mund të bëjë të pavlefshme edhe prona të vjetra qoftë të pajisura me certifikatë pronësie, qoftë me leje ndërtimi. Mjaft që në mes të ketë zell, në rastin më të pastër, kuptohet.
Dy ditë më parë në derën e “Panorama”, trokiti me një tufë dokumentesh në duar një qytetar nga ata që përbëjnë shumicën e hallexhinjve. Quhet Arben Naska dhe është pronari i asaj ndërtesës trekatëshe që e shohim të gjithë aty ku fillon lagjja “Ali Demi”, të njëjtës që gjendet saktësisht mbas pemës së ullirit, që i ka dhënë emrin toponimit gjeografik të zonës. Është pronar i kësaj banese e dyqanit në katin e parë që nga viti i largët 1992, kohë kur Komiteti Ekzekutiv (P.P.) Pluralist i Rajonit 1 të Tiranës i ka dhënë të atit të pastrehë, Paskal Naskës, me anë të vendimit nr: 145 të datës 9 dhjetor 1991 një copë truall me sipërfaqe 109 metër/katror dhe një muaj më pas, më 10 janar 1992, i njëjti organ ka lëshuar edhe lejen e ndërtimit për “banesë vetjake trekatëshe”. Por, mbërritur në vitin e largët 2008, kur ligjet janë edhe më njerëzore ashtu si edhe demokracia e vendimeve, kur e njëjta pronë është pajisur edhe me certifikatë pronësie e të tjera të ngjashme, Arben Naskës i mbin papritur inspektorati i Bashkisë së Tiranës dhe i komunikon prishjen e ndërtesës me justifikimin se ajo nuk ka leje ndërtimi. Pak muaj
më parë i njëjti, Arben Naska, ishte informuar se Hipoteka, saktësisht Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, i kishte fshirë pronën, zhvillim për të cilin ai kishte bërë padi në gjykatë.        
“Si më fshinë pronën”
“Gjithçka ka nisur një vit më parë, kur brenda natës u shemb kinemaja ‘Ali Demi’ dhe objektet pranë saj. Pra, u hap një shesh ndërtimi për një ndërtesë të madhe shumë-katëshe”, e nis rrëfimin e vet Arben Naska. Sipas tij, koha e prishjes së kinemasë korrespondoi me atë të zgjedhjeve të pushtetit lokal. “Pronarët e pallatit të ardhshëm nisën kontaktet edhe me mua. Nuk kërkova më tepër se më takonte, pra aq sipërfaqe sa kisha ligjërisht të ndërtuar, por fillimisht nuk ramë dakord. Mendoj se këtu nisi edhe plani për rrëmbimin e pasurisë sime”, shpjegon Arbeni. Kjo sepse menjëherë pas daljes së këtij udhëzimit të Këshillit të Ministrave të datës 21.11.2007 për fshirjen e pronave të mbivendosura, të interesuarit nuk ishin dukur më të takonin të pabindurin e vetëm, që pengonte zbatimin e projektit të ndërtimit të tyre. “Më tej, mësova se në hipotekë kishte nisur procedura e fshirjes së pronës sime me pretendimin se është e mbivendosur. Nuk e kuptoj këtë mbivendosje kur unë jam vetëm pronar i godinës, në një kohë që trualli është i një nënshtetasi anglez, të paktën kështu thuhet në dokumente”, shpjegon Arben Naska. Mandati Arbenit i ka mbërritur më 8 maj 2008, kur merr vendimin nr: 1178/1 të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pronave, me nënshkrimin e zv/regjistruesit Fetah Hasanaj, që thoshte se prona e tij ishte çregjistruar. “Ndërkohë që çështjen e kam dërguar në gjyq, në derë më troket edhe policia e bashkisë dhe më sjell mandatin për prishjen me justifikimin se nuk kam leje ndërtimi. Të them të drejtën unë gjatë gjithë jetës nuk di një rast të ngjashëm. Sepse edhe leje ndërtimi të objektit me tri kate kam, madje të janarit 1992, të depozituar në të gjitha arkivat e shtetit, edhe certifikatën e pronësisë e kam. Nuk e di se çfarë duhet tjetër që të mos më marrin këtë pronë. Nuk po gjej asnjë zgjidhje. Për pak ditë policia bashkiake do vijë të më nxjerrë nga shtëpia dhe unë jam duke kaluar një krizë mendore. Më ka shkuar në mendje edhe të marr pushkën...”, flet i menduar Arben Naska.
Në zyrën e Kryeregjistruesit
Kryeregjistruesi Arben Qirjako, i njëjti që ka vënë firmën përfundimtare për fshirjen e pronës së Arben Naskës, është një personazh i sjellshëm. Menjëherë sapo mëson në telefon për problemin, lë hapësirë për takim. Gjysmë ore më pas të pret në zyrën e vet në katin e tretë të Hipotekës së Tiranës dhe nuk nxitohet të shpjegojë rastin pa sjellë aty të pranishëm edhe Drejtorin Juridik dhe Shefin e Sektorit të Apelimit. “Nuk e kujtoj rastin në fjalë, por mund t’ju them se në bazë të ligjit kemi bërë rreth 150 vendime për fshirjen e pasurive të mbivendosura dhe në të gjitha rastet ka pasur reagime të forta të të dëmtuarve, apo humbësve”, e nis bisedën Qirjako. Sipas të njëjtit, për këtë rast është operuar në mbështetje të Nenit 10 të Ligjit 7843 “Mbi fshirjen e regjistrimeve të paligjshme dhe të mbivendosura”. Ndërsa kërkesa për shqyrtim të kësaj çështjeje ka ardhur nga pronari i truallit. Po sipas shpjegimit të Qirjakos, fillimisht me këtë çështje është marrë Zyra Rajonale e Tiranës dhe dokumenti i lëshuar prej saj mban firmën e zv/regjistruesit Fetah Hasani. “Pra, Zyra Rajonale bën propozimin. Më tej ky dokument shqyrtohet në Zyrën Qendrore. Unë di që me këtë problem si edhe me të tjerët janë marrë një grup juristësh dhe specialistësh, ndërsa mua më ka mbetur vetëm firma përfundimtare”, shpjegon Arben Qirjako, duke shtuar se gjithsesi në fund të vendimit dy nga specialistët kanë votuar kundër. Drejtori Juridik i vendosur në krahun e majtë lexon emrat e dy votuesve kundër një prej të cilëve rezulton të jetë drejtori i Regjistrimit Fillestar dhe Hartografisë. Fakt që tregon se në këtë rast oponenca ka qenë e fortë. Por gjithsesi, në anën tjetër, në favor të prishjes, kanë qenë më tepër, tetë specialistë.   
Ndërkohë dy drejtorët e tij nisin shpjegimin e vendimit nr: 33 të datës 02.09.2008 që ka bërë të mundur fshirjen e pasurisë së Arben Naskës. Sipas tyre, një nga argumentet mbi të cilin është mbështetur ky vendim ka të bëjë me faktin se në regjistrin hipotekar me nr: 662 datë 23. 02. 1994 është regjistruar një objekt që nuk bazohet në lejen e ndërtimit nr: 113 të datës 10. 01. 1992 (që flet për banesë trekatëshe). Më saktësisht më 1994 Gjykata ka vërtetuar se familja Naska ka një dyqan me sipërfaqe 32 metër/katror. Pra sipas argumentit ky vërtetim fakti i bërë nga Gjykata në vitin 1994 vë në diskutim fillimin e punimeve (duhet të kryheshin sipas ligjit brenda 1 viti nga koha e marrjes së lejes së ndërtimit)...
Por sipas argumentimit të të dëmtuarit Arben Naska, sa sipër është vetëm një lojë fjalësh apo saktësisht lojë fjalësh për të shkaktuar tymnajë. Sipas tij është e vërtetë që fillimisht është marrë një leje për kioskë, por më pas është marrë leje ndërtimi për godinë trekatëshe. Po sipas të njëjtit, në vitin 1993 ndërtimi kishte nisur dhe Hipoteka nuk ka asnjë mundësi reale të vërtetojë të kundërtën. 
Një tjetër argument i pasqyruar në vendimin e fshirjes së pronës është edhe mospërputhja e planit të pronës në vite të ndryshme. Madje, në hartën e ndërtuar enkas, duken qartazi mospërputhjet e pjesshme të kontureve të objektit në tre planvendosje të ndryshme. I pyetur për këtë moment Naska thotë se sërish bëhet fjalë për një truk të hartuesve të vendimit të fshirjes. Sipas tij në të tria hartat duket qartazi që objekti është i pozicionuar në kënd. Ndërsa për mospërputhjet ai thotë se nëse mbivendosen hartat, asnjëherë nuk mund të përputhen saktësisht. I njëjti shton se duhet të kihet parasysh se në vendimin e fshirjes, hartuesit kanë nënvizuar se prona e tij nuk është e mbivendosur. Saktësisht: “Për shqyrtimin e kësaj çështjeje nuk mund t’i referohemi kësaj dispozite ligjore, sepse nuk kemi të bëjmë me rastin kur për të njëjtën pasuri janë bërë dy a më shumë regjistrime që nuk rrjedhin nga njëri tjetri”(fq. 3 e vendimit, rreshti 17).
Në këtë pikë ndërhyn të sqarojë kryeregjistruesi Arben Qirjako. “Nuk kemi të bëjmë me mbivendosje, por në udhëzim parashikohet edhe fshirja e pronave të parregullta. Pikërisht mbi këtë pjesë të udhëzimit është ndërtuar është argumentimi i fshirjes së pasurisë së zotit Naska”, shpjegon kryeregjistruesi. Në të njëjtën kohë pyetja: “Por duke vepruar në mënyrë të ngjashme ju mund të fshini cilën pasuri të doni, apo më saktë pasuritë e të gjithë shqiptarëve, pasi nuk është e vështirë që nëpër hallkat e ecurisë së procedurave të tyre të gjesh bishta?”. Një pyetje për të cilën drejtori i pozicionuar majtas pati një reagim pothuaj instiktiv duke pohuar: Po, mund të fshihet rreth 80 për qind e të gjitha pasurive. 

Kryeinspektori i Bashkisë: Do e prishim, është pa leje

Përkundër xhentilesës së kryeregjistruesit Arben Qirjako, kryeinspektori Ndërtimor i Bashkisë së Tiranës duket, të paktën përmes telefonit, një personazh më i prerë në vendimet e veta. Pasi mëson për rastin, Afrim Qëndro, nis të shpjegojë se e njeh shumë mirë dhe se gjatë së njëjtës ditë (dje) e ka pritur pronarin e ndërtesës trekatëshe Arben Naska në zyrë. “Po ne jemi të vendosur ta prishim objektin, pasi kemi një vendim të Këshillit të Rregullimit të Territorit (KRRT) i Bashkisë që thotë se ai është një ndërtim pa leje, por edhe një vërtetim të Hipotekës që thotë se i njëjti objekt është i fshirë. Madje, po ju them se bëhet fjalë për një objekt me leje ndërtimi false”, shpjegon Qëndro. I pyetur nëse i disponon dokumentet e lëshuara nga KRRT-ja dhe Hipoteka, zoti Qëndro thotë se i ka në zyrë dhe se të hënën mund të ofrojë edhe fotokopje. “Është gjithçka e vërtetuar me shkresa. Pra, i kemi dërguar shkresë zyrtare Hipotekës dhe ajo na është përgjigjur gjithashtu, zyrtarisht se në arshivë nuk ekziston pronësi në emër të këtij zotërisë”, shpjegon i njëjti.
Edhe pse mbetet që fjala e zotit Qëndro të verifikohet me anë të këtyre dokumenteve të pretenduara gjatë ditëve në vazhdim, në këtë pikë të bën përshtypje, se si ka mundësi që ai të shtojë në sqarimet e veta se leja e ndërtimit e familjes Naska është e falsifikuar. Pasi edhe në vendimin e fshirjes së pronës së zotit Naska të lëshuar nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në asnjë rast nuk thuhet se leja e ndërtimit është false, nuk thuhet se nuk ka, nuk thuhet se ajo është e parregullt, përkundër ajo pranohet, merret e mirëqenë dhe shërben si referim për të tjera argumentime. Për më tepër që Hipoteka në asnjë rast nuk mund të thotë që një leje e caktuar ndërtimi është false. Leja e ndërtimit false mund të hidhet në kosh me një vendim gjykate, të paktën sipas ligjeve ende në fuqi. Për më tepër vetë Hipoteka, para se të argumentonte fshirjen e pasurisë së familjes Naska, ka kërkuar të gjitha dokumentet mbi këtë pasuri dhe për rrjedhojë ka administruar edhe këtë leje ndërtimi që e citon dhe nuk e hedh poshtë në asnjë moment.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›