Meta: Rama-Berisha po krijojnë kastën e tyre ekonomike e politike
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ishte i pranishëm në konferencën e LRI-së së njësisë bashkiake nr. 7 në kryeqytet. Duke folur para të rinjve, Meta u shpreh entuziast për fitoren e LSI-së jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. Meta tha se LSI dhe LRI janë alternativa kryesore që i mbetet qytetarëve shqiptarë, por në mënyrë të veçantë rinisë shqiptare, për të refuzuar një herë e mirë një kastë të re politike dhe ekonomike”. “Rama dhe Berisha kërkojnë përmes marrëveshjeve dhe aferave të tyre të krijojnë një kastë ekonomike dhe politike në kurriz të shumicës dërrmuese të qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, që nisin që nga prishja e Kushtetutës e deri edhe te prishja e atyre pak mushkërive të gjelbërta që i kanë mbetur kryeqytetit tonë”, tha Meta. Kreu i LSI-së i kërkoi të rinjve angazhim në politikë për të marrë në dorë fatet e të ardhmes së këtij vendi. “Unë besoj se angazhimi i rinisë është një detyrë sa qytetare, sepse angazhimi juaj në vendimmarrje është qytetari, por edhe patriotizëm, sepse demokracia shqiptare është në një moment tepër kritik, është në një krizë të thellë të besimit dhe të institucioneve, e cila vjen për arsye se dy njerëz kanë vendosur të ndërtojnë një kastë të përbashkët në një vend ku jetojnë mbi 3 milionë shqiptarë”, u shpreh ai. Duke denoncuar bashkëpunimin e kreut të Bashkisë së Tiranës me Kryeministrin Berisha, kreu i LSI-së tha se, “bashkëpunimi PS-PD shkon edhe më tej, kur të dy palët ndryshojnë ‘Ligjin për Sportin’, dhe ku kryetari i Bashkisë, Rama, firmos që në 29 dhjetor pa u bërë ndryshimi i ligjit, që dhëndri i Berishës të bëjë ndërtime në kompleksin e ‘Klub Partizanit’”. “Lidershipi i këtyre partive bie dakord, nënvizoi Meta, për ta kthyer të vetmin ‘Kopsht Botanik’ që kemi në një zonë urbane, dhe kjo bëhet për të vetmen arsye, sepse kostoja financiare për metër katrorë në këtë zonë është më e shtrenjtë në krahasim me zonat e tjera të Tiranës”, tha Meta. a.l.