E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sara dhe Kokona në PS’91 të Koçit

 

Aristir Lumezi

Dy kryetarë të njësive bashkiake të kryeqytetit, Pandi Sara dhe Ilir Kokona, janë larguar nga Partia Socialiste për t’iu bashkuar “PS ‘91". Të rimandatuar në zgjedhjet për pushtetin vendor 2007, Kokona dhe Sara janë më të votuarit në kryeqytet, pas një pune mjaft të mirë me komunitetin e këtyre njësive. Dy kryetarët e njësive bashkiake të kryeqytetit ishin automatikisht dhe anëtarë të Asamblesë socialiste të Tiranës. I kontaktuar në telefon, kreu i minibashkisë nr. 7, Pandeli Sara, tha se vendimi i tij lidhet me mënyrat krejtësisht të ndryshme që ai ndan me kryetarin socialist Edi Rama për funksionimin e partisë. “Unë me Edi Ramën ndaj mendime krejt të ndryshme se si duhet të funksionojë PS-ja, pasi në këtë parti është shterur fryma demokratike dhe mendimi ndryshe”, tha Sara. Por ai ndan koncepte të ndryshme edhe sa i takon funksionimit të bashkisë. “Nuk dua të përmend këtu dhe mënyrën se si trajtohen minibashkitë nga Bashkia e Tiranës, ku edhe këtu, edhe pse ligji garanton decentralizim, ka një tendencë centralizimi të pushteteve”, u shpreh Sara. Ndërkohë kryetar i minibashkisë nr. 3, Ilir Kokona tha dje për “Panorama”, se në PS nuk funksionon më mekanizmi i votës dhe se është kundër etiketimeve politikë e vjetër dhe politikë e re. “Në politikë të gjithë janë të domosdoshëm, nuk mund të thuash për një pjesë ‘politikë e vjetër’ dhe për një pjesë tjetër, pa asnjë kontribut në këtë parti ‘politikë e re’. ‘PS ’91’ nuk është politikë e vjetër, pasi ka në bazë të saj vlerat më të mira për një parti realisht demokratike. Sot PS-ja nën drejtimin e Edi Ramës nuk ka më frymëmarrje, aty edhe frymë do marrësh me urdhër të kryetarit”, tha Kokona. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun, Gjergji Koja në “PS ‘91", tha se “socialistët e vërtetë po mblidhen tek ‘PS ‘91’, duke vërtetuar karakterin thellësisht socialist të kësaj partie. Sipas tij, pritet dhe një kryetar tjetër minibashkie të bashkohet me ‘PS ‘91’”, u shpreh Koja. Pak ditë më parë, organizatorët e “PS ’91" shpallën krijimin e partisë së tyre, ku në përbërjen e saj ka mjaft figura të njohura në vite në PS. Grupi iniciator zgjodhi Petro Koçin kryetar të kësaj partie, ndërsa në radhët e saj ka emra të tillë, si Makbule Çeço, Enver Reçi, Gëzim Podgorica, Gjergji Koja, Afërdita Stefani, Lekë Çukaj etj.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›