E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: Do votojmë pro heqjes së imunitetit të Mediut

Socialistët do jenë në seancën e sotme për të votuar pro heqjes së imunitetit të Fatmir Mediut. 

Aristir Lumezi

LSI shprehet se vota e deputetëve të saj është pro heqjes së imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes. Duket se PS dhe LSI është në një qëndrim për çështjen e dekreteve të presidentit për 5 anëtarët e Gjykatës së Lartë. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, u shpreh dje për gazetën "Panorama" se nuk do të përfshihen në asnjë procedurë tjetër parlamentare, përveç votimit të imunitetit të Mediut, nëse kryetarja e Parlamentit nuk sjell në seancën e nesërme edhe dekretet e presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë. "Grupi parlamentar socialist do të jetë në sallën e Kuvendit për të votuar pro heqjes së imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, sipas kërkesës së bërë nga Prokuroria, por do largohemi nga salla nëse në rendin e ditës nuk janë përfshirë edhe dekretet e presidentit", u shpreh Leskaj për gazetën. Socialistët në seancën e kaluar u larguan nga salla dhe premtuan se nuk do të kthehen në të, deri kur Kryeparlamentarja do të ketë sjellë dekretet e presidentit. Kjo kërkesë e socialistëve gjeti mbështetje dhe nga partitë e tjera opozitare, të cilat gjithashtu braktisën sallën e Kuvendit për të njëjtën arsye. Socialistët kanë akuzuar Jozefina Topallin se ka shkelur ligjet dhe rregulloren e parlamentit si me kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut, ashtu dhe për zvarritjen e votimit të dekreteve të Presidentit Topi për 5 anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë. Madje, për këto shkelje ata janë duke përgatitur dhe një mocion shkarkimi për të. 
LSI
Po dje, nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, në një komunikim me mediat, u shpreh se deputetët e kësaj force politike do të votojnë pro heqjes së imunitetit të Fatmir Mediut, por nuk do të qëndrojë në sallë për ligjet e tjera, nëse nuk hyjnë në seancën e sotme edhe dekretet e presidentit. "Është paralajmëruar tashmë, që në rendin e ditës, do të jetë për votim heqja e imunitetit për ish-ministrin Fatmir Mediu, kështu, që ne sigurisht që do të jemi aty për të dhënë edhe votën tonë në favor të heqjes së këtij imuniteti dhe për të kërkuar me forcë dhe vendosmëri, futjen po atë ditë, në rendin e ditës dhe në votim, të dekreteve të Presidentit të Republikës për Gjykatën e Lartë, të cilat po zvarriten në mënyrë të qëllimtë", u shpreh Xhufi. Sipas tij, nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë për arsye të ndryshme dhe të pritshme në një farë mënyre, ne do të japim mesazhin se një proces i tillë nuk mund të shtyhet më dhe eventualisht do të lëmë sallën".

Topalli: Mediu, votimi i fundit për Kuvendin

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli shpreson se votimi i për heqjen e imunitetit të ish-ministrit Fatmir Mediu të jetë i fundit. Topalli e ka lidhur këtë me faktin se, Kuvendi duhet të hetojë ligjin "Për kufizimin e imunitetit", duke shmangur kështu dhe këto procedurat që janë ndjekur deri më tani nga legjislativi. "Në fakt, besoj që kjo do të jetë hera e fundit që Parlamenti voton heqjen e imunitetit, pasi në Kuvend uroj që do të kalohet ligji "Për kufizimin e imunitetit". Në këtë mënyrë, asnjëri prej deputetëve nuk do të jetë i mbrojtur nga një mburojë për të cilën nuk ka nevojë. Deputeti duhet të jetë i lirë transparent, si të gjithë qytetarët e tjerë. Dhe unë uroj që ligji "Për kufizimin e imunitetit" është zgjidhja më e mirë, më morale është e domosdoshme, standard, është kërkesë dhe ne do ta bëjmë", tha Topalli. Ajo ka hedhur poshtë akuzat e lëshuara nga opozita në adresë të saj për bllokim të procedurave për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes. "Projektligji për imunitetin ka që prej 3 vitesh që kërkohet, por që është zvarritur pikërisht nga ata që kanë ngritur këto akuza, deri në këto momente kur është arritur edhe një konsensus mes palëve", theksoi Topalli. Sot paradite pritet të mblidhet konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare, për të vendosur për procedurat që parashikon seanca për heqjen e imunitetit. Çështja e kërkesës së Prokurorisë, duhet të vendos si pikë e parë e rendit të ditës. Ish-ministri Mediu pritet të mbrohet para deputetëve për të kaluar më pas në votimin e fshehtë.   r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›