E Diel, 1 Nëntor 2026

Velipoja, e çliruar nga betoni, pret numër rekord turistësh sivjet

Velipoja mund të klasifikohet tashmë si një qytezë turistike me një perspektivë bashkëkohore për turizmin. Në këtë sezon, plazhi më verior i Shqipërisë parashikohet të presë rreth 120 mijë turistë. Një investim prej 900 milionë lekësh ka bërë që plazhi i Velipojës, nga një zonë turistike modeste të bëhet me rrugë të asfaltuara e të ndriçuara, me ujë të pijshëm dhe energji elektrike për 24 orë, me zona të gjelbra e sheshe të mëdha, të cilat kanë marrë pamje pas prishjes së shumë ndërtimeve pa leje në qendër të plazhit.

Plazhi prej 12 kilometrash kufizohet në veri nga kufiri shtetëror me Malin e Zi dhe në jug me Shëngjinin. Që nga viti 1992, në Velipojë nisën ndërtime të shumta, por pjesa dërrmuese e tyre, pa leje. Rreth njëmijë ndërtime pa kriter e bënë këtë zonë të humbasë vlerat turistike që mbarte. Por, vitin e fundit në plazhin e Velipojës kanë nisur ndryshime rrënjësore dhe nga prishja e ndërtimeve pa leje në qendër të plazhit është hapur një shesh prej 40 hektarësh. Në plazh ka nisur edhe asfaltimi i rrugëve, ndriçimi i tyre, ndërtimi i trotuareve dhe hapësirave të gjelbra. Drejtues të Komunës Velipojë thonë se u është dashur të përballen edhe me kërcënime të shumta për nismën e guximshme që kanë ndërmarrë për pastrimin e vijës bregdetare. Ata shprehen se Velipoja ka bërë gati për turistët siguri, drita, ujë të pijshëm, rërë dhe det të pastër.

Kryetari i Komunës Velipojë, Nikollë Marku, thotë se "vetëm gjatë periudhës së fundit në plazhin e Velipojës janë investuar 900 milionë lekë të reja. Me investimet e bëra ka ndryshuar rrënjësisht infrastruktura e plazhit". Kryetari i komunës sqaron se këtë vit janë prishur rreth 200 ndërtime pa leje në qendër të plazhit dhe është krijuar një hapësira e lirë që i rikthen peizazhin e dikurshëm Velipojës. "Për Velipojën është miratuar nga KRRTRSH një masterplan dhe ne atë po zbatojmë. Kemi prishur çdo ndërtim, që nuk përputhet me këtë plan zhvillimi", thotë Marku. Ai sqaron se prishja e ndërtimeve pa leje do të vazhdojë pa kompromis dhe se nuk do të lejohet më asnjë ndërtesë më afër se 200 metra me bregun e detit. Por, çlirimi i plazhit nga betoni nuk është aq i lehtë sa vizatimi i disa vijave mbi hartë. "Kemi hasur në pengesa të mëdha, pasi kryesisht ndërtimet pa leje në qendër të plazhit kanë qenë të atyre që në thonjëza mund t‘i quaj të fortë. Kemi pasur kërcënime deri dhe me jetë, por nuk jemi ndalur dhe nuk do ndalemi. Dikush duhet ta merrte përsipër rrezikun, pasi prej 15 vitesh Velipoja po kthehej në Bathore".

Vendosmëria e pushtetarëve vendorë ka dhënë tashmë efektet e saj. Sot, plazhi i Velipojës ka marrë pamjen e një zone ende të paprekur nga njeriu. Rëra dhe uji i pastër i japin kësaj zone jo vetëm vlera të rralla turistike, por dhe kurative. Vitin e shkuar, plazhi i Velipojës është shpallur plazhi me rërën dhe ujin më të pastër në bregdetin shqiptar dhe kjo është një ndër arsyet e forta pse në Velipojë pritet që nga viti në vit të shtohen turistët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›