Rriten pagat për mësuesit, shëndetësinë e administratën
Adi Shkëmbi
Qeveria miratoi dje vendimin për rritjen e pagave të mjekëve, infermierëve, mësuesve dhe administratës. Në një mbledhje jashtë rendit për shkak të axhendës së ngjeshur të Kryeministrit Berisha në Çeki, ku do të dorëzojë kërkesën për aplikimin në BE, kaloi drafti i propozuar nga Ministria e Financave dhe Ministria e Brendshme për të gjitha kategoritë. “Nga data 1 maj e tutje të nisë rritja e pagave dhe pensioneve, në përputhje me premtimet e dhëna nga qeveria shqiptare dhe maxhoranca aktuale në pranverën e viti 2005. Për mua dhe të gjithë ne, së bashku, është një nga arritjet më të mëdha të karrierës sonë politike, pasi ne ia dolëm në përputhje me premtimet dhe programin të vendosim sot për dyfishimin e pagave të 44 mijë të punonjësve të arsimit, krahasuar kjo me 4 vite më parë,” u shpreh Kryeministri. Konkretisht paga për 104 mijë punonjës të administratës publike do të rritet me 68 për qind në krahasim me katër vjet më parë. Kështu nëse në vitin 2005 ata merrnin 27 mijë lekë të reja në muaj, duke filluar nga një maji do të marrin 46 mijë lekë të reja. Ndërkohë paga e punonjësve në sistemin parauniversitar do të rritet 100 për qind në krahasim me vitin 2005. Sipas kreut të qeverisë, nëse katër vjet më parë ata merrnin 23 mijë lekë, nga fillimi i muajit të ardhshëm do të marrin 46 mijë lekë. Rritje të pagave do të ketë edhe për mjekët, paga e të cilëve do të shkojë në 47 mijë lekë si dhe infermierët, të cilët nga 1 maji do të marrin pagë 31 mijë lekë në muaj. Kryeministri Berisha tha para mediave se gjatë mandatit të dytë do të ketë një skemë të re për shtresat me ndihmë sociale dhe ekonomike. “Jo me fjalë, por me vepra dhe vendime të tilla, qeveria do të bëjë që në mandatin e dytë as edhe një qytetar shqiptar të mos njohë varfërinë ekstreme, do të bëjë që të dalin nga varfëria, qoftë edhe me këtë veprim direkt në portofolin e tyre, edhe ata shqiptarë që, sërish, janë në varfëri”, u shpreh kreu i qeverisë.
rritja e pagave
Paga mesatare për rreth 104 mijë punonjës buxhetorë, nga 273 mijë lekë që ishte në pranverën e vitit 2005, kalon në 459 mijë lekë në muaj, ose 68 % më e lartë.
Paga e mësuesve të arsimit parauniversitar nga një pagë prej rreth 230 mijë lekë kalon në rreth 460 mijë lekë, pra, 100 për qind më e lartë se në vitin 2005.
Paga e punonjësve të infermierisë nga një pagë prej 150 mijë lekë kalon në 310 mijë lekë, pra, 100 për qind më e lartë se në vitin 2005.
Paga mesatare për mjekët rritet nga 226 mijë lekë në 470 mijë lekë në muaj, ose 108 për qind.
Paga minimale në administratën publike shkon në dyfishim.