E Diel, 1 Nëntor 2026

Imuniteti, juristët kundër PS-PD

 

BLEDAR HOTI

Konstitucionalistët dhe juristët shprehen kundër ndërhyrjes së shpeshtë në Kushtetutë për kufizimin e imunitetit, duke kërkuar debate dhe tryeza konsultative. Gjithashtu ata janë kundër kufizimit të imunitetit në radhët e pushtetit gjyqësor. Në seancën e parë konsultative, të zhvilluar dje në drekë me juristët e pranishëm, Aurelia Anastasi, Aleks Luarasi, Evis Alimehmeti dhe Vasilika Hysi e kanë cilësuar si të dëmshme ndërhyrjen e shpeshtë në Kushtetutën e Shqipërisë, duke kërkuar mos përsëritjen e datës 21 prill. Më e ashpra në qëndrimin e saj ka qenë konstitucionalistja Anastasi, e cila ka deklaruar se "Unë kam një farë rezerve për ndryshimin kushtetues dhe të them të drejtën jam shumë e lëkundur. Ndryshimi i saj kërkon një cikël shumë të gjatë, konsultimet duhen menduar mirë". "Rekomandimi i Venecias mund të merret në konsideratë, që do të thotë me një ligj organik me 3/5 mund të kufizohet imuniteti", tha Anastasi. Ndërsa Hysi theksoi se "nuk do të më pëlqente që të bëni ndryshimet në Kushtetutë brenda një viti. Nëse e realizojmë përsëri në Kushtetutë, ne ia ulim vlerën asaj. Sot është pak e vështirë se të gjithë jemi të mendimit se kjo do të bëhet me ndryshim kushtetutes, për t'i dhënë fund këtij debati, por nga ana tjetër them përsëri se nuk është mirë që ajo të bëhet sa herë që do politika, pavarësisht se thuhet se politika është matematikë, flasim si juristë, duhen debate me ekspertë". Por deputeti i PS-së, Pandeli Majko, i pranishëm në këtë mbledhje, kërkoi që juristët e ftuar të mos bëjnë moral për votimin e 21 prillit, "pasi kështu kishte vendosur vullnetin politik i palëve në Kuvend". Por ajo që konstitucionalistët kanë qenë dakord në një qëndrim, është mos kufizimi i imunitetit të gjyqtarëve. "Nuk do t'i barazoja, duhen studiuar mirë këto gjëra. Imuniteti parlamentar të trajtohet veçmas nga imuniteti i gjyqtarëve. Duhet menduar një çikë më mirë, lidhur me qëndrimin e imunitetit parlamentar, kufizimi i imunitetit të deputetit përfshin dhe qeverinë", theksoi Anastasi. Ndërsa Hysi u shpreh se "mua personalisht nuk do të më pëlqente që kufizimi të shtrihej te Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria etj,. Kemi balanca shumë të brishta, situata e këtij viti tregoi se ekziston ai opinion se këto institucione nuk janë të pavarura, që presionet ju kanë vënë si Parlament në një situatë jo shumë të këndshme. Ndaj unë jam pak hezitante që kufizimi i imuniteteve të kalojë në këto nivele".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›