Kriza e ilaçeve, qeveria shtyn afatet e tenderëve
zirina llambro
Zgjidhet ngërçi për kryerjen e tenderëve të ilaçeve në spitalin "Nënë Tereza" dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Pas shqetësimit të ngritur nga drejtuesit e këtyre strukturave për pamundësi në zbatimin e afateve, ndërhyn qeveria. Me një vendim të posaçëm, ajo ka shtyrë mbylljen e prokurimeve deri më datën 8 dhjetor. "Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra spitalore universitare "Nënë Tereza", lejohen të përfundojnë procedurat e prokurimit për mallra, shërbime dhe ndërtime me fondet e parashikuara në buxhetin e shtetit, brenda datës 8 dhjetor 2008", thuhet në vendim. Në të cilësohet, se brenda këtij afati duhet të përfshihet lidhja e kontratave përkatëse dhe publikimi i njoftimit të kontratës të nënshkruar në Buletinin e Njoftimeve Publike. Kështu, QSU do të ketë kohën e mjaftueshme për të realizuar procedurat për barnat, kitet dhe reagjentët për laboratorin, si dhe blerjen e aparaturave të rëndësishme. Shtatë tenderë do të kryhen edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Ka qenë drejtuesja e këtij dikasteri Anila Godo, e cila në një relacion të detajuar ka kërkuar shtyrjen e afateve për procedurat e prokurimit. "Qendra spitalore "Nënë Tereza" dhe Ministria e Shëndetësisë, nuk kanë arritur të përfundojnë nënshkrimin e kontratave brenda datës 31 tetor 2008, që ishte përcaktuar si afat përfundimtar. Një pjesë e procedurave tenderiale nuk arritën të realizohen për mungesë konkurrence, disa të tjera dështuan, ndërsa disa janë shpallur në fillim të muajit tetor, duke rrezikuar nënshkrimin e kontratave", thuhet në relacion. Vlera e tenderëve, që kanë mbetur pezull në QSU arrin në rreth 2 milionë dollarë, ndërsa blerjet me prokurim të ministrisë, kapin vlerën e më shumë se gjysmë milion dollarë. Nga sa bën me dije ministria, afati i ri i vendosur nga qeveria është i mjaftueshëm për të mbyllur kontratat.
Zgjidhja e krizës
Përkundër kësaj zgjidhje, pacientëve do t'u duhet të presin dhe dy muaj, në mënyrë që të marrin falas shërbimin në QSU. Në laboratorin e këtij spitali nuk kryhet pjesa më e madhe e analizave për shkak të mungesës së kiteve e reagentëve. Një tjetër kategori të sëmurësh, që po vuajnë pasojat e ngecjes së tenderëve janë edhe të sëmurët me kancer. Citostatikët (medikamentet e nevojshme për kimioterapinë) duhet t'i blejnë me paratë e tyre. Kjo, ndonëse vetëm një cikël i thjeshtë kushton mesatarisht 20 mijë lekë. Me pikatore është furnizuar edhe Kardiokirurgjia. Operacionet e planifikuara kanë shënuar ulje, ndërsa mungojnë edhe një pjesë e ilaçeve. Por gjatë gjithë kësaj periudhe, i çuditshëm ka qenë reagimi i Drejtorisë së spitalit "Nënë Tereza". Disa herë zyrtarisht është pranuar, se procedurat për 8 tenderë kanë qenë drejt mbylljes. Madje, drejtuesit e këtij spitali, në deklaratat e tyre publike, kanë theksuar se shumë shpejt do të niste edhe furnizimi me materialet mjekësore. Megjithëse, afatet e reja për prokurimet i japin mundësi spitalit më të madh në vend, që të mos djegë fondet e akorduara nga buxheti i shtetit, kriza që e ka përfshirë, kurrsesi nuk merr fund këtë vit.
prokurimet ne shendetesi
Tendera të Ministrisë së Shëndetësisë
1- Blerje aparatura laboratorike për disa D.H.E në rrethe dhe pajisje frigoriferike për shërbimin e morgut në disa spitale me fond limit 22 500 000 lekë
2- Projekt-preventiv zbatimi për ndërtimin e godinës të sëmundjeve akuta spitali Shkodër me fond limit 1 333 343 lekë
3- Zgjerimi i infrastrukturës së komunikimit të rrjetit të Ministrisë së Shëndetësisë me fond limit 99 500 000 lekë.
4- Instalimi, personalizimi i softwerit dhe trajnimi i personelit të spitaleve rajonale dhe territoriale me fond 25 000 000 lekë
5- Shtrirja e shërbimit të hemodializës në sektorin spitalor privat,fondi 40 000 000 lekë.
6- Blerja aparatura -grafi-skopie me fond limit 83 333 300 lekë
7- Furnizimi i institucioneve shëndetësore me materiale konsumi për laboratorë me fond limit 82 299 000 lekë
Tendera të spitalit "Nënë Tereza"
1- Citostatike fondi limit 47 214 000 lekë
2- Materiale mjekësore për Kirurgjinë Vaskulare, fondi limit 5 306 780 lekë
3- Kontraste fondi limit 14 000 000 lekë
4- Medikamente për Kirurgjinë Vaskulare 5 632 000 lekë
5- Kite dhe reagentë fondi limit 60 000 000 lekë
6- Materiale për kardiokirurgjinë 6 289 000 lekë
7- Materiale mjekësore për neurokirurgjinë, fondi limit 29 999 969 lekë
8- Sigurimi normalizimi dhe kontrolli i lëvizjes së pagesave të automjeteve të personelit që hyjnë në QSU, fondi limit 2 083 333 lekë
9- Blerje aparaturash Elektromjekësore për shërbimin e Neurokirurgjisë në QSU, fondi limit 21 666 667 lekë
10- Blerje pajisjesh hotelerie për spitalin, pediatria fondi limit 5 600 000 lekë