Zhurmat, 800 ankesa në ditë në Bashkinë e Tiranës
Rreth 800 ankesa në ditë vijnë në adresë të Bashkisë së Tiranës, për zhurmën që shkaktojnë lokalet dhe baret. Ky institucion ka nisur ditët e fundit një aksion kontrollesh, duke ndërmarrë një sërë masash administrative. Zyrtarisht Bashkia e Tiranës bën me dije se janë vendosur 55 gjoba në baret e natës, pasi ato kanë prishur qetësinë e kryeqytetit. "Pas paralajmërimeve të shpeshta që u janë bërë pronarëve të këtyre lokaleve, kryesisht në katet e para të pallateve të banimit, të cilët më shumë se për qytetarët, mendojnë për bizneset, inspektorët e bashkisë kanë firmosur fletët e gjobave", pohojnë burime nga bashkia. Ata sqarojnë se pas inspektimeve të vazhdueshme të Policisë Bashkiake dhe kërkesave të qytetarëve për të eliminuar zhurmat, këta të fundit sërish nuk kanë ndërmarrë asnjë masë. Sipas rregullave të përcaktuara nga bashkia, pas orës 12 të natës nuk lejohet muzika e lartë në ato lokale që janë në katet e para të pallateve. I njëjti kusht vlen edhe për të gjithë ato bare të cilët nuk kanë izolimin e duhur akustik, në mënyrë që të mos shqetësohen qytetarët. Por duket se për këtë pronarët e pubeve të kryeqytetit nuk e kanë vënë ujin në zjarr. Është dashur ndërhyrja e Policisë Bashkiake, për të bërë disa prej tyre shembull në mënyrë që rregulli të nisë të zbatohet. "Kontrollet e inspektorëve tanë do të vazhdojnë edhe ditët në vijim dhe sa herë të kenë ankesa qytetarët. Çdo sinjalizim i tyre është i vlefshëm", pohojnë burime nga Bashkia. Duke iu referuar monitorimit të fundit, të realizuar në tetë qytete, Tirana rezulton të jetë qyteti me ndotje më të lartë akustike. Nivelet e zhurmave arrijnë deri në 74 dB (decibel) në kryqëzimet kryesore, ndërkohë që mesatarja nuk duhet t'i kalojë 55db.