E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiunët në administratë, bie propozimi i Qeverisë në Kuvend

 

BLEDAR HOTI

Kodi i Civil rrëzohet për mungesën e ministrave të qeverisë Berisha, si dhe rrjedhjes së votës së socialistëve. Socialistët dhe demokratët u përplasën për dështimin e votimit të seancës së ndryshimeve të "Kodit Civil i Republikës së Shqipërisë". Mungesa e një pjese të mirë të ministrave, si dhe ajo e kohezionit të votave të opozitës, solli mos arritjen e 84 votave për miratimin e Kodit, që ka të bëjë me denoncimin e korrupsionit. Votimi përfundimtar rezultoi, që pro këtij Kodi ishin 77 deputetë, kundër 13 dhe 7 abstenuan. Përpara këtij votimi debati ka qenë në lidhje me miratimin ose jo të këtij Kodi. Deputeti i djathtë, Spartak Ngjela ka qenë kundër miratimit të një ndryshimi të tillë. "Ky nen nuk duhet votuar sepse është non-sens. Do na marrin krejtësisht për injorant, nuk di a ka juristë kjo qeveri apo jo. Korrupsioni është krim penal. Shkaktimi i dëmit në Kodin Penal është normal i trajtuar, padia civile në procesin penal është normale. Të gjitha këto janë vepra penale", deklaroi Ngjela. Ai theksoi se: "Është futur në një kapitull që nuk ka lidhje fare me këtë, këta janë punëzez, këta duket se ua imponon kryeministri dhe vijnë e shkruajnë budallallëqe. Ky nuk ka asnjë vlerë sepse është në Kod". Ngjela e bëri publike votën e tij kundër kësaj nisme.
Votat
Në sallë kanë qenë vetëm tre ministrat Lufter Xhuveli, Fatos Beja dhe Jemin Gjana, ndërsa pjesa tjetër e ministrave nuk kanë qenë prezentë. Përpara votimit, kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj, edhe pse deklaroi se socialistët do të votojnë pro Kodit, në fund të votimit u vërejt një rrjedhje e votave. Në tabulantin e votimit rezulton, se votuan kundër deputeti Luan Memushi i PS-së. Ndërsa abstenuan socialistët Qemal Minxhozi, Marko Bello dhe Rajmonda Stefa. Nga maxhoranca votoi kundër vetëm deputeti i PDK-së, Hamit Kosta, ndërsa demokristianët e tjerë nuk morën pjesë fare në votim. Votat e tjera kundër apo abstenim vijnë nga PSD-ja, "E majta për integrim". Pjesa tjetër e deputetëve të opozitës ka qenë pro ndryshimit të këtij Kodi, por që nuk ka mjaftuar që drejtuesi i seancës, nënkryetari i Kuvendit, Neritan Ceka ta shpallte të mirëqenë atë. Qëndrimi i partive të tjera të vogla duket, se ka dhënë ndikimin e saj te maxhoranca për mos realizimin e kourimit të votave në seancën parlamentare. PSD, LSI, por edhe PDK mbajtën qëndrim kundër miratimit të Kodit, duke bërë të qartë ndasinë e këtyre partive, në lidhje me miratimin e ligjeve madhore në vend. Deputetja e PS-së, Leskaj në qëndrimin pro të saj ndryshimeve, e cilësoi si një moment të vetëm të konsensusit të maxhorancës. Socialistët kanë bërë të ditur, se nuk do të japin konsensusin për Kodet e tjera, që janë për votim në Kuvend, pa u votuar më parë paketa e reformës zgjedhore. Ky qëndrim sjell bllokimin e asaj pakete, që është paraqitur për ndryshimin e një sërë nenesh të kodeve Penale dhe Civile, pasi duhet që të kalohen me 84 vota. Ndryshimet në Kodin Civil parashikonin, që punonjësit të denonconin rastet e korrupsionit nga ana e punëdhënësve. Në të përcaktohej se "Kundër vendimit të dhënë në mënyrë të pajustifikuar për shkakun e mësipërm, punonjësi ka të drejtën e ankimit në gjykatë. Raportimi i fakteve, që kanë lidhje me korrupsionin, nuk përbën shkelje të detyrimit të sekretit profesional".

Numri i votave

Votuan kundër
Engjëll Bejtja     PSD
Spartak Braho      EMI
Diana Çuli    PSD
Albert Divjaka    PSD
Petro Koçi    EMI
Angjelina Kola    PSD
Hamit Kosta    PDK
Ndre Legisi    EMI
Luan Memushi    PS
Nikollaq Neranxi     EMI
Spartak Ngjela    PD
Dritan Prifti    EMI
Pëllumb Xhufi    EMI

Abstenim
Marko Bello    PS
Taulant Dedja   
Durim Lamaj     
Ilir Meta         EMI
Qemal Minxhozi    PS
Gëzim Musabelliu     PSD
Rajmonda Stefa     PS

çfare parashikonte ligji

Shtesat në Kodin Civil
Pas kreut II, titulli IV, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, "Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, shtohet kreu II/1, me nenet përkatëse, me këtë përmbajtje:
"KREU II/1
Përgjegjësia nga veprimet korruptive
Neni 639/1
1. Personi, që nëpërmjet kërkimit, ofrimit, dhënies a pranimit, të drejtpërdrejtë ose në mënyrë të tërthortë, të një mitmarrjeje ose çdo lloji tjetër avantazhi a përfitimi, që deformon kryerjen e çdo detyre ose sjelljeje, të kërkuar nga pranuesi i mitmarrjes, për pasojë edhe avantazhin e padrejtë, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar.
2. Kompensimi i dëmit mund të mbulojë dëmtimin material, humbjen e përfitimeve dhe humbjet jo monetare.
Neni 639/2
Dëmi i shkaktuar nga veprimet korruptive kompensohet kur:
a) i padituri ka kryer apo ka autorizuar aktin e korruptimit, ose ka dështuar në ndërmarrjen e hapave të duhur, për ta parandaluar aktin e korruptimit;
b) paditësi ka pësuar dëmtimin;
c) ka një lidhje shkakore ndërmjet aktit të korruptimit dhe dëmit.
Neni 639/3
Kompensimi për shpërblimin e dëmit nga veprimet korruptive pakësohet ose hiqet në rrethanat, kur personi i dëmtuar, me faj ka ndihmuar në shkaktimin e tij.
Neni 639/4
Për kërkimin e shpërblimit të dëmit, në zbatim të nenit 639/1, afati për parashkrimin e padisë është tre vjet, duke filluar nga data, që personi ka pësuar dëmtimin ose bëhet i ndërgjegjshëm për dëmin e pësuar dhe për personin, që e ka shkaktuar.
Personi i dëmtuar nuk mund të ngrejë padi për shpërblimin e dëmit, në zbatim të nenit 639/1, pas kalimit 10 vjet nga data e kryerjes së veprimit korruptiv.
Neni 639/5
Çdo kontratë, që ka për objekt veprime korruptive, ose kontratat, që janë të lidhura me to në çfarëdolloj titulli, janë të pavlefshme.

Shtesa në kodin e punës
Pas nenit 10, të kreut III, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, "Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, shtohet neni 10/1, me këtë përmbajtje:
"Neni 10/1
1. Çdo masë ose sanksion administrativ i pajustifikuar, që është marrë ndaj punonjësve, të cilët kanë arsye të dyshojnë për korrupsion e që këtë dyshim ua paraqesin personave përgjegjës ose autoriteteve kompetente, është i pavlefshëm.
2. Kundër vendimit të dhënë në mënyrë të pajustifikuar për shkakun e mësipërm, punonjësi ka të drejtën e ankimit në gjykatë.
3. Raportimi i fakteve, që kanë lidhje me korrupsionin, nuk përbën shkelje të detyrimit të sekretit profesional".

“Qeverisë i munguan ministrat”

Kryetarja e grupit parlamentar socialist Valentina Leskaj i është përgjigjur deklaratës së homologut të saj demokrat, Patozi në lidhje me rrjedhjen e votave të PS në votimin e Kodit Civil. "Për sa i përket çështjes së kodit me sa duket Kryetari i Grupit parlamentar të partisë demokratike ka qenë në pozitë të vështirë, besoj që media e ka të filmuar aty ishin vetëm tre ministra, pra mungonte dhe qeveria e cila duhej të ishte aty për të plotësuar votat për të miratuar kodin,p ra mendoj që mungesat që ka nga maxhoranca kryetari i grupit parlamentar do përpiqet  t'i kërkoj nga opozita e cila ka votuar për kodin", tha Leskaj. Nga votimi i djeshëm në kuvend për disa ndryshime në Kodin Civil, disa deputetë të Partisë socialiste abstenuan në këtë votim edhe pse dy partitë e mëdha PD-PS kishin rënë dakord për ta kaluar atë në Kuvend.

“PS, avokate e korrupsionit”

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi e cilësoi mungesën e unisonit në votimin e Kodit Civil dje, në kuvend nga deputetët socialistë, si avokati ndaj korrupsionit. "Dëshiroj të shpreh keqardhjen time për deklaratën e sotme të opozitës në sallën e Parlamentit, përsa i përket amendimit të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, në shkelje të rëndë të një marrëveshjeje të paarritur paraprakisht për këtë dhe mbi të gjitha, që shndërron opozitën në një avokate të korrupsionit,  sepse ligji ishte shumë i rëndësishëm në luftën kundër këtij fenomeni në vend". Patozi tha më tej se: "Unë gjykoj që është një gjest jo serioz dhe mbi të gjitha është një rast i përsëritur, ku PS për fat të keq, bëhet avokate e korrupsionit në të gjitha segmentet ku ai është i pranishëm".

Ideja e Rusmalit

Kryekomisionieri Ilir Rusmali është përballur me 4 pedagogët në lidhje me heqjen e imunitetit të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Ai theksoi se është për heqjen e imunitetin për kategorinë e thjeshtë të gjyqtarëve, duke mos ia hequr atë për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetueses. "A mund të ishte korrekte nisur nga fakti se sistemin e kemi të korruptuar, të më falin gjyqtarët e ndershëm, është mirë ti japim sinjalin ligjor, vullnetin politik të Kuvendit, nuk iu veshim me imunitet sepse keni nevojë të pastroheni, ky është sinjali politik", theksoi Rusmali. Por juristët shprehen se rreziku vjen nga politika, pasi sistemi demokratik është i brishtë në Shqipëri dhe prek pavarësinë e institucioneve. Qëndrimi i Rusmalit u mbështet vetëm nga juristi Luarasi. "Sistemi i drejtësisë është i korruptuar dhe se KLD është i pafuqishëm të ndërhyjë. Por një operacion i thellë do të sjellë përplasjen për pavarësinë e institucioneve", tha ai.

Gumi: Nuk jam për ndryshimin e Kushtetutës

Zv.ministri i Drejtësisë, Viktor Gumi, i pranishëm në mbledhje ka mendimin se kufizimi i imunitetit mund të realizohet pa ndërhyrjen në Kushtetutë. "Unë hyj në radhët e atyre juristëve që besojnë që kjo gjë mund të realizohet pa ndryshimet kushtetuese, por me një ligj të miratuar me 3/5 të votave. Në interpretimin tim, varianti i Komisionit të Venecias është se 'imuniteti është pjesë e organizmit dhe funksionimit të Kuvendit dhe të deputetit, si i tillë përfshihet në nenin 81 të Kushtetutës që kërkon një ligj me 3/5 të votave'. Besoj mund të eksplorohet kjo rrugë dhe mund të shikohet rasti konkret", deklaroi Gumi. Zv.ministri i Ministrisë së Drejtësisë ka deklaruar se është pro variantin të adoptuar tashmë nga shteti më i ri i Ballkanit, Kosova. "Dy janë çështjet që mund të diskutohet, e para mjeti që mund të realizohet, e dyta sa është thellësia e ndërhyrjes. Kushtetuta e Shqipërisë i ofron një koracës shumë të fortë atyre zyrtarëve, ndaj tyre nuk mund të kryhen veprime hetimore paraprake. Besoj se modeli më i mirë është ai i miratuar nga Parlamenti i Kosovës", theksoi Gumi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›