E Diel, 1 Nëntor 2026

“Imuniteti, pazari i ri Rama-Berisha”

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim kundërshton ndryshimin e Kushtetutës lidhur me çështjen e imunitetit. “Denoncoj nismën e zëvendësit të Jozefina Topallit, Ylli Bufi, për të rifilluar ndryshimet në Kushtetutën e Shqipërisë apo ligjeve të tjera që lidhen me të ashtuquajturin kufizim të imunitetit”, - pohoi dje numri dy i LSI-së, Spartak Braho. Sipas tij, synohet përsëri të preket dhe ndryshohet Kushtetuta si më 21 prill të këtij viti, në afro 10 nene të saj. Nënkryetari i LSI-së shtoi se Bufi synon të paraqesë si standarde të reja një tjetër kasaphanë, pasi sipas tij, varianti i ri i ndryshimeve nuk ka synim vetëm kufizimin e imunitetit të deputetëve, gjë për të cilën LSI është jo për të kufizuar, por për ta hequr fare imunitetin, por goditjen e radhës dhe lënien pa mbrojtje ligjore të institucioneve të pavarura dhe punonjësve të tyre, duke filluar nga KLD, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, gjyqtarët e niveleve të ulëta, prokurorët si dhe të gjitha institucionet e tjera. “Kështu ia kërkon Berisha, përfaqësuesit të PS-së, Ylli Bufi, kështu kërkon të bëjë ai duke i lënë deputetët në mëshirën e presioneve, sulmeve e intrigave të kësaj mazhorance dhe titullarit të saj të çmendur. Por i gjithë ky lëshim, apo shitje e interesave parimore Rama – Bufi për të ndryshuar përsëri me 10 nene Kushtetutën, bëhet në shkëmbim të lëshimeve apo pazareve të ndërsjella”, - tha ai. Po dje, numri dy i deputetëve të LSI-së, ka kundërshtuar dhe përplasjen e gjyqësorit me Ministrinë e Drejtësisë. Ai është shprehur në mbështetje të rezolutës së Shoqatës të Gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, noterëve dhe të gjitha grupeve të interesit, lidhur me sulmin që ka ndërmarrë Qeveria në nismat e saj ligjore për të prekur, sipas tij, jo vetëm pavarësinë e tyre në çështje të rëndësishme të funksionimit të këtyre organeve, por edhe për t i anashkaluar ato në procesin e Reformës në Drejtësi. Braho pohoi se me këto reforma, Alibej synon të monopolizojë pushtetin e Ezekutivit dhe jo për të ruajtur balancat. “Ashtu siç kanë theksuar edhe përfaqësuesit e EURALIUS-it, OBDAT, etj, projektligjet e Qeverisë Berisha–Alibeaj mbartin jo vetëm synime djallëzore, por janë të papranueshme edhe për cilësinë e tyre të dobët dhe se cënojnë rëndë integritetin e organeve të drejtësisë”, - tha ai. Në këtë kuadër Braho e konsideroi si të papranushëm qëndrimin në detyrë të Alibeajt në kohë që ai mund të jetë i inkrimunuar në tragjedinë e Gërdecit.
Ky lajm është publikuar: 29/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›