E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma Zgjedhore, gati shtyrja e komisionit

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Vetëm tri ditë para përfundimit të mandatit, anëtarë të këtij komisioni pohojnë se ende nuk është gati drafti përfundimtar i ekspertëve, çka mund të çojë në shtyrjen e këtij komisioni të paktën edhe një javë”

“Dështon” për të disatën herë Komisioni i Reformës Zgjedhore. Edhe pse ishte parashikuar që Kodi Zgjedhor të përfundonte brenda muajit tetor, duket se komisioni do të kërkojë një tjetër shtyrje të mandatit të tij. Vetëm tri ditë para përfundimit të mandatit, anëtarë të këtij komisioni pohojnë se ende nuk është gati drafti përfundimtar i ekspertëve, çka mund të çojë në shtyrjen e këtij komisioni të paktën edhe një javë, e cila konsiderohet si kohë e mjaftueshme për të mbyllur hartimin e Kodit rë ri. Prej më shumë se dy javësh komisioni nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje në pritje të draftit përfundimtar të ekspertëve. Burime nga komisioni shpjegojnë se grupi i ekspertëve kishte premtuar dorëzimin e draftit përfundimtar prej disa ditësh, por nuk ka respektuar afatet dhe ka kërkuar më tepër kohë. Të njëjtat burime kanë pohuar se drafti i ekspertëve pritet t i japë zgjidhje jo vetëm formatimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe mënyrës së ndarjes së mandateve, dy çështje që ende nuk kanë gjetur zgjidhje, por dhe çdo detaji tjetër që ka lidhje me këtë reformë duke paraqitur draftin e plotë.
Kodi Zgjedhor
Ekspertët gjatë deklarimeve të tyre publike kanë pohuar se po punojnë intesivisht për të respektuar afatet, por duket se problemet e shumta të Reformës Zgjedhore do të bëjnë që ata të mos e mbajnë fjalën . Komisioni i Reformës Zgjedhore në mbeldhjen e radhës pritet të vendosë për mënyrën e formimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por dhe ndarjes së mandateve. Këto janë dy çështje kryesore, të cilat kanë mbetur ende pa zgjidhje dhe që pritet të shkaktojnë dhe debat mes anëtarëve të Komisionit. Burimet nga ekspertët kanë pohuar pak ditë më parë se do të propozojnë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mos ketë më 9, por vetëm 7 anëtarë. Zgjedhja e tyre do të bëhet në bazë të rezultateve zgjedhore të vitit 2005. Në bazë të këtyre rezultateve, përveç Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, në përbërje të saj do të jenë dhe Partia Republikane dhe Partia Socialdemokrate, dy parti që kanë marrë maksimalisht vota nga dy partitë e mëdha. Edhe pse ndryshimet kushtetuese që sollën sistemin proporcional rajonal kishin si qëllim eliminimin e fenomenit të Dushkut, kompozimi i institucionit më të lartë të administrimit të votave në zgjedhjet e ardhshme, KQZ, bëhet mbi bazën e rezultateve të Megadushkut të zgjedhjeve të fundit parlamentare. Kjo formulë pritet të lërë jashtë KQZ-së LSI-në, e cila e ka shprehur hapur pakënaqësinë e saj. Ndërkohë që në mbledhjen e fundit të këtij komisioni u morën vendime të rëndësishme në lidhje me financimin e partive. Komisioni ka ndryshuar nenet e kodit ekzistues duke rritur transparencën e këtyre financimeve si dhe mënyrën e shpërndarjes së tyre. Në kod, për herë të parë vendoset se në cilat raste donatorët nuk mund të dhurojnë financime për partitë në zgjedhje. Në këtë kuadër pranë KQZ-së do të instalohen ekspertë privatë për auditimin e financimeve. Gjithashtu, është vendosur që shuma e donatorëve të një fushate zgjedhore për një parti të mos kapërcejë dhjetëfishin e buxhetit që kjo parti merr nga fondet publike. Ndryshime janë bërë dhe në mënyrën e shpërndarjes së fondit. Sipas kodit të vjetër, fondi shpërndahej 10 për qind e shumës ndërmjet të gjitha partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore, 40 për qind ndahej ndërmjet partive të përfaqësuara në Kuvend dhe deputetëve të pavarur që rikandidojnë dhe 50 për qind midis partive që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin ose, sipas rastit, për organet e qeverisjes vendore, kanë marrë jo më pak se 2,5 për qind të votave, në përpjesëtim me numrin e votave të fituara prej partive në shkallë vendi. Ndërsa sipas kodit të ri, 50 për qind e fondit të caktuar nga shteti shpërndahet në mënyrë të barabartë, ndërsa 50- përqindëshi tjetër në bazë të përqindjes së votave që kanë marrë në zgjedhjet pararendëse. Po dje janë miratuar dhe nenet që kanë lidhje me paraqitjen në media të fushatës elektorale të partive politike.

Ky lajm është publikuar: 29/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›