E Diel, 1 Nëntor 2026

“Berisha gënjen për liberalizimin e vizave”

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste akuzon kryeministrin Sali Berisha, se gënjen për liberalizimin e vizave në qershor të vitit 2009. “Sali Berisha u mundua dje të gënjente shqiptarët, por edhe ministrin e Jashtëm italian, me një model të pasaportës së re biometrike. Duke mbajtur në duar dosjen prezantuese të modelit të paraqitur nga kompania fituese e tenderit të pasaportave, Berisha gënjeu duke thënë se pasaportat e reja dhe kartat e identitetit janë gati, dy elementë shumë të rëndësishëm qoftë për liberalizmin e vizave, qoftë për standardin e munguar të zgjedhjeve në Shqipëri”, - tha deputeti socialist, Taulant Balla. Sipas tij, deri më sot asnjë shqiptar nuk ka marrë në dorë pasaportën e re dhe kartën e identitetit, ndërsa shtoi se për shqiptarët, por edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian nuk është e nevojshme të shihen projektet, por rezultatet. “Ditë më parë, shqiptarët u njohën me deklaratën e zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Zhak Barrot, i cili u shpreh se dita e liberalizimit të plotë të vizave me Shqipërinë është ende shumë larg dhe se vendimi për liberalizimin nuk do të merret as në vitin 2009”, - tha Balla. Deputeti i PS-së tha se “nuk ishte e rastësishme ajo deklaratë, sepse për detyrat dhe elementet bazë që monitorohen nëpërmjet udhërrëfyesit për liberalizimin e regjimit të vizave me BE-në, siguria e dokumenteve, lufta kundër emigracionit të paligjshëm dhe kriminalitetit të organizuar, ruajtja dhe menaxhimi i kufijve, si dhe çështje që kanë të bëjnë me lëvizjen e personave, ende nuk ka rezultate të dukshme.
Ky lajm është publikuar: 29/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›