Imuniteti politik dhe gjyqësor
Skema e proceseve gjyqësore ndaj politikanëve të akuzuar për korrupsion. Ligji proçedural penal shqiptar ka paraparë shkallë të lartë të dhënies së imunitetit penal politikanëve dhe funksionarëve të lartë shtetërorë dhe kjo situatë përbën një pengim të përhershëm të sistemit të drejtësisë
Nga Ulsi Manja, Profesor i së Drejtës
Çështja e imunitetit për politikanët, figurat e larta shtetërore dhe gjyqtarët nuk është e re. Për të ka mendime të ndryshme sidomos përsa kufijve të shtrirjes së këtij imuniteti. Disa mbrojnë idenë se parimi i imunitetit duhet parë si mbrojtje e lirisë për tu shprehur në parlament si zemra e sistemit demokratik, ndërsa për disa të tjerë imuniteti shihet si një ”minë me sahat” që në mënyrë aktive kërcënon themelin e demokracisë, barazinë para ligjit.
Më e nxehtë çështja e imunitetit është kur debatohet për përgjegjësinë penale të politikanëve në rastet e kryerjes së veprave penale prej tyre, madje sipas disa studimeve ndërkombëtare të bëra për nivelin e korrupsionit në botë, në shumë vende imuniteti i politikanëve dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë karshi ndjekjes penale shihet si shkaku kryesor i rritjes së nivelit të korrupsionit në vend.
Dihet se ryshfetet politike, korrupsioni dhe skandalet për konflikte interesash kanë si asete të tyre elitën politike dhe zyrtarët e lartë të një shteti dhe shpeshherë suksesi i luftës kundër korrupsionit varet nga shkalla e shtrirjes së imunitetit që gëzojnë kjo shtresë në Kushtetutë dhe në ligjet e vendit.
Në Shqipëri hetimet e shumë akuzave për korrupsion të nivelit të lartë janë penguar në mënyrë domethënëse duke nxjerrë si pretendim imunitetin madje e kanë përdorur këtë mbrojtje ligjore edhe kur ndaj tyre ka pasur akuza për vepra të rënda penale.
Eksperienca shqiptare e këtyre viteve dhe sjelljet e zyrtarëve të lartë shtetërorë në raport me imunitetin tregojnë qartë se imuniteti është parë si një korracë mbrojtëse ligjore karshi ndjekjes penale dhe jo si një privilegj kushtetues për të bërë si duhet detyrën që u ka ngarkuar ligji.
Nëse do të kuptohet si duhet natyra e imunitetit dhe qëllimet se pse ajo është paraparë në Kushtetutë nuk do të duhej të kishim asnjë pengesë të sistemit të drejtësisë për të hetuar dhe gjykuar personat e veshur me imunitet kur ata akuzohen për vepra të ndryshme penale. Por imuniteti vazhdon të jetë një pengesë konstante në këtë drejtim.
Sipas nenit 73 të Kushtetutës së R.SH deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe për votat e dhëna prej tij, por kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes. Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet dhe në rastin kur ai do të arrestohet. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.
Të njëjtën shkallë imuniteti Kushtetuta jonë i jep edhe Kryetarit të shtetit dhe qeverisë, zyrtarëve të lartë shtetërorë (ministrave) si dhe gjyqtarëve.
Në referencë të këtij përcaktimi, legjislacioni kushtetues shqiptar njeh dy kategori të veçanta imuniteti:
Kategoria e parë e imunitetit i referohet parimit të mosmbajtjes përgjegjësi apo i lirisë së fjalës.
Kjo mbrojtje bazë u jepet politikanëve dhe ka për qëllim të mbrojë lirinë e fjalës dhe të shprehjes në parlament apo në ushtrimin e funksioneve të tyre kushtetuese brenda legjislaturës dhe si kufi shtrirje kjo mbrojtje apo korracë ligjore shkon deri tek vepra penale e shpifjes apo tek veprat penale me natyrë tërësisht personale dhe jashtë sferës së ushtrimit të funksioneve të tyre ligjore.
Kemi të bëjmë me imunitetin politik që kushtetutshmërisht është dhënë për të siguruar dhe mbrojtur dy parime të tjera shumë të rëndësishme: pavarësinë e institucionit të parlamentit dhe lirinë e fjalës së të zgjedhurve nga akuzat e padrejta apo komentet që mund tu bëhen për shkak të një mjedisi të polarizuar dhe mbitensionuar politikisht.
Kategoria e dytë e imunitetit i referohet parimit të paprekshmërisë ose përjashtimit nga arrestimi.
Kjo kategori imuniteti rrok një spektër më të gjerë mbrojtje për politikanët apo zyrtarët e lartë shtetërorë duke garantuar të drejtën për të mos u arrestuar apo ndaluar pa një autorizim paraprak dhe ky lloj imuniteti kundërshtohet gjithnjë e më shumë nga opinion publik në Shqipëri pasi po përdoret gjithnjë e më shumë për t’i lidhur duart institucioneve të zbatimit të ligjit kryesisht prokurorisë përballë akuzave për korrupsion apo ryshfet ku shpeshherë janë përfshirë deputetë apo ministra të qeverisë.
Në Shqipëri imuniteti ndaj ndjekjes penale po keqpërdoret dhunshëm nga politikanët dhe në këtë qerthull politik duket ka rënë dhe drejtësia e cila të gjitha rastet që i ka çuar në derë prokuroria i ka pushuar për efekt procedurash gjyqësore pa i gjykuar në themel akuzat dhe ilustrimi më i mirë i këtij rebusi juridik janë çështjet penale në ngarkim të ish/ministrave Mediu dhe Basha.
Trajtimi dhe mënyra e përfundimit të çështjeve penale në ngarkim të tyre mendoj se ka hapur precedentë të rrezikshëm në drejtësinë shqiptare dhe ka çuar në demoralizimin apo pafuqishmërinë e prokurorisë për tu përballur në të ardhmen me këtë kategori zyrtarësh pavarësisht se ka prova që flasin për përfshirje në afera korruptive.
Flasim për imunitetin gjyqësor: nuk ka për qëllim të marrë në mbrojtje autorët e veprave penale pavarësisht nga rangu zyrtar që ata përfaqësojnë.
Ka për qëllim të sigurojë përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të flasin të lirë në Parlament pa pasur frikë nga sanksionet penale dhe rrënimi i reputacionit; të mbrojë përfaqësuesit e zgjedhur nga ndalimi arbitrar, që do t’i pengonte të merrnin pjesë aktivisht në punimet e parlamentit dhe të shërbejë si mburojë kundër ndjekjeve penale, keqdashëse dhe për motive politike.
Imuniteti gjyqësor në rastin konkret u jepet politikanëve si një nevojë për të mbrojtur procesin demokratik dhe jo për të krijuar një klasë individësh të cilët qëndrojnë mbi ligjin.
Imuniteti gjyqësor përjashton kategorikisht mbrojtjen e politikanëve apo të zyrtarëve të lartë shtetërorë kur ata dyshohen apo akuzohen për krime korrupsioni, ryshfeti, skandale koncesionare apo kur për arsye përfitimi shpërdorojnë postin zyrtar.
Në rrafshin praktik, organi i hetimit duhet të ndjekë një sërë rregullash procedurale penale deri në zyrtarizimin e akuzës ndaj personave me imunitet që dyshohen për kryerjen e veprave penale të ndryshme që kryesisht i referohen sferës ekonomike dhe zyrtare.
Përveç kërkesës për autorizim të procedimit (neni 288 i k.pr.p), neni 289 i k.pr.p përcakton se deri në dhënien e autorizimit për të proceduar nuk lejohet ndalimi, caktimi i masave të sigurimit, kontrollimet, këqyrja e personit,njohja, ballafaqimi dhe përgjimi i bisedimeve ose i komunikimit ndaj personit për të cilin kërkohet autorizimi. Ai mund të merret në pyetje vetëm nëse e kërkon vetë...
Ky përcaktim ligjor tregon qartë se ligji proçedurial penal shqiptar ka paraparë shkallë të lartë të dhënies së imunitetit penal politikanëve dhe funksionarëve të lartë shtetërorë dhe kjo situatë përbën një pengim të përhershëm të sistemit të drejtësisë.
Proxedura e stërmundimshme e heqjes së imunitetit i ka lidhur duart prokurorisë për të hetuar një sërë akuzash për vepra penale të ndryshme ndaj politikanëve por dhe u ka dhënë këtyre të fundit mundësinë që nëpërmjet mbrojtësve të tyre ligjorë të luajnë poker me drejtësinë duke spekuluar me afatet e hetimit dhe zvaeritjet pa fund të pro