E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa lider në Evropë

04-07-2011 / New York Times

Shtyllat kryesore të Evropës – mbijetesa e euros, rikthimi i ndalimeve kufitare në disa shtete të Schengenit dhe siguria kolektive – po luhaten. Por si mund të lejojë ndonjë lider evropian një gjë të tillë? Shtyllat kryesore të Evropës – mbijetesa e euros, rikthimi i ndalimeve kufitare në disa shtete të Schengenit dhe siguria kolektive – po luhaten. Por si mund të lejojë ndonjë lider evropian një gjë të tillë? Problemi qëndron aty se nuk ka lider evropian, është vetëm një kancelare gjermane, një president francez, një kryeministër italian dhe të tjerët që e ndajnë një vizion kontinental, por kurrë nuk shikojnë përtej interesave të tyre lokale politike. Mbijetesa e valutës unike të Bashkimit Evropian, lëvizja e lirë përgjatë kufijve kombëtarë dhe siguria kolektive transatlantike janë të gjitha përballë një pasigurie serioze. Liderët e Evropës ose e mohojnë një gjë tillë, ose janë të paralizuar. Si është e mundur që ndonjë lider evropian të lejojë rrezikimin e këtyre shtyllave të mirëqenies së Kontinentit? Problemi qëndron aty se nuk ka lider evropian, është vetëm një kancelare gjermane, një president francez, një kryeministër italian dhe të tjerët që e ndajnë një vizion kontinental por kurrë nuk shikojnë përtej interesave të tyre lokale politike.
Pavendosmëria e Evropës është problem edhe për amerikanët. Rrezikimi i euros mund të tërhiqte teposhtë edhe ekonominë globale. Ndarja e NATO-s do të nënkuptonte bartjen e një peshe edhe më të madhe sigurie për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Tash, më shumë se një vit pas krizës së tyre të borxheve, liderët më të lartë evropianë nuk janë në gjendje që të marrin vendime të vështira, të cilat i kanë më se të domosdoshme. Një mënyrë konstruktive për dalje nga kjo situatë do të ishte ristrukturimi i borxhit tejet të madh, rimbushja me kapital e bankave të prekura dhe zbutja e masave të kursimit deri në atë masë që t’u lejohej shteteve të zhytura në borxhe – si Greqia, Irlanda dhe Portugalia, që janë më të rrezikuarat – të gjejnë mënyrat e tyre për të kthyer borxhet.
Asnjë shtet i vetëm nuk mund t’ia ofrojë vetes mundësinë për ta financuar një zgjidhje të tillë, mirëpo Evropa si tërësi mundet.
Në një shenjë të mirëpritjes së realitetit, presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, bëri të ditur se bankat franceze tash janë të gatshme që “vullnetarisht” të ndihmojnë për kthimin e një pjese të borxhit grek.
Kjo gjë mund të ndihmojë, por vetëm në rast se e gjithë Evropa ndjek shtegun e Francës – e bankat e Gjermanisë ende pritet që të vendosin – dhe kështu të zbusë presionin mbi Athinën për edhe më shumë kursime. Që një gjë e tillë të mund t’u shitet votuesve evropianë do të kërkonte nga politikanët të tregojnë të vërtetën. Një alternativë po ashtu është që të lejohet copëtimi i euro-zonës dhe kështu tregu të pësojë në të gjithë Kontinentin.
Hapja e pjesës më të madhe të kufijve të brendshëm evropianë gjatë dy dekadave të fundit ka shërbyer si një ndihmesë ekonomike. Por pothuajse secili prej këtyre shteteve është përballur me një rritje alarmuese të partive politike anti-emigracion. Kriza ekonomike dhe arritja e dhjetëra mija refugjatëve nga Tunizia dhe Libia e kanë çuar këtë ksenofobi në një nivel të ri. Franca, Italia dhe Danimarka kanë marrë vendime selektive për dalje nga marrëveshja historike Schengen për kufij pa pasaporta. Problemi i refugjatëve është po ashtu shumë i madh për t’u përballur për çdo shtet. Edhe për këtë problem, po ashtu, nevojitet një lidership i vërtetë evropian.
Përgjigja e hershme e Evropës ndaj brutalitetit të kolonelit Muammar Gaddafi në Libi ishte premtuese. Franca ka insistuar me të gjitha forcat për një veprim ndërkombëtar, dhe aleatët e NATO-s u pajtuan që të marrë drejtimin, pas një raundi sulmesh ajrore amerikane. Mirëpo kostoja e viteve të tëra të investimeve të pakta ushtarake nga pjesa më e madhe e shteteve anëtare të Evropës shumë shpejt u bë e qartë, pasi u detyruan që t’i drejtohen Washingtonit për bomba dhe mbështetje tjetër bazike.
Mbrojtja kolektive gjithmonë ka nënkuptuar që Amerika t’i vijë në ndihmë Evropës karshi superfuqive si Bashkimi Sovjetik. Mirëpo, paaftësia evropiane e NATO-s për t’i bërë ballë një sfide të vogël si kjo e Libisë duhet të frikësojë çdo ministër të mbrojtës në Evropë. Amerikanët janë të lodhur nga lufta – dhe druajnë se dobësimi i NATO-s nuk i zmbraps më politikanët, siç ka bërë të qartë dhe beteja për fushatën në Libi. Ne nuk e dimë se edhe për sa kohë votuesit këtu do të mbështesin një aleancë, në të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbulojnë 75 për qind të shpenzimeve ushtarake dhe një përqindje edhe më të madhe se kaq të luftimeve.
Liderët e Evropës duhet të shpikin një vizion më të gjerë të tyre me nxitim, ose përndryshe evropianët – dhe aleatët e tyre amerikanë – mund të paguajnë një çmim marramendës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›