E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji “Për plehrat e përdorimit për bimësinë”, një risi për standardet në bujqësi

04-07-2011 / Nga Zaim Mema

Nga Zaim Mema
Inspektor në Drejtorinë e Përgjithshme të AKU, dega Tiranë
  
Shfuqizimi i ligjit “Për Plehrat Kimike”, i konsideruar jo bashkëkohor dhe jo funksional për kushtet reale të vendit tonë dhe në veçanti, mospërputhja e tij me aktualitetin dhe direktivat e Bashkimit Europian, nxori si domosdoshmëri ndryshimet për: a. standardet, etiketimin dhe paketimin e plehrave, mbrojtjen e konsumatorit, barrierat teknike etj. b. vendosjen e rregullave për regjistrimin e plehrave të prodhuara dhe të importuara në Republikën e Shqipërisë, c. rishikimin e masave ndëshkimore për kundravajtësit administrativë.
1. Për herë të parë, në bazë të direktivës së Bashkimit Europian, ngrihet në Republikën e Shqipërisë Komisioni i Vlerësimit dhe Regjistrimit të Plehrave, i cili ka si detyrë: - të vlerësojë dhe përcaktojë plehrat, që prodhohen dhe importohen në Republikën e Shqipërisë, nga vendet jo anëtare të Bashkimit Europian, për qëllime tregtare, - të vendosë për regjistrimin e plehrave, që nuk kanë emërtimin “EC Fertilizer”, në bazë të kërkesës së prodhuesit, - të vlerësojë dhe të japë çertifikatën e regjistrimit, si dhe të refuzojë, pezullojë dhe të ripërtërijë, dhënien e çertifikatës së regjistrimit, në zbatim të masave administrative të parashikuara, - të përpunojë, botojë dhe shpërndajë të gjitha ndryshimet në vazhdim, që do të pasqyrohen në direktivat e Bashkimit Europian për plehrat kimike, vetëm me miratim të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. - Të gjitha plehrat e miratuara, që përfshihen në regjistër, do të jenë objekti i kontrollit nga inspektorët në pikat doganore, në magazinat qendrore dhe në pikat e shitjeve. 2. Vlen të theksojmë se janë të përcaktuara edhe rrethanat në të cilat Komisioni bën anulimin e çertifikatës së regjistrimit dhe ndërton marrëdhëniet me prodhuesin. Anulimi i regjistrimit të plehrave bëhet kur: - Komisioni vëren se në dosjen e regjistrimit janë paraqitur të dhëna false ose të gabuara. - Inspektorët konstatojnë se prodhuesi i ka futur në treg të paregjistruara në Komision dhe ka shkelur ligjin “Për plehrat e përdorimit për bimësinë ”. - Të dhënat tregojnë se tregtimi dhe përdorimi i plehrave përbën një rrezik, që vlerësohet i papranueshëm.
3. Regjistrimi i plehrave, që nuk kanë emërtimin “EC Fertilizer ”, do të bëjë të mundur plotësimin e të gjitha mangësive dhe boshllëqeve, që vihen re në praktikë si: -mundësimin e drejtimit dhe kontrollit të prodhimit dhe vendosjes në treg të plehrave; -mundësimin për  rritjen e përdorimit dhe cilësisë të plehrave; -ndihmën për ruajtjen e jetës dhe të shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mbrojtjen e konsumatorit; -mbështetjen për ruajtjen e tokës dhe mbrojtjen e mjedisit; - përcaktimin e kërkesave për plehrat me bazë azoti, si nitrat amoni, me përmbajtje në azot mbi 28 për qind në peshë si dhe kushtet, që duhet të plotësojnë këto plehra, lidhur me testin e rezistencës ndaj shpërthimit;
Për të shmangur çdo mundësi për aksidente, që vijnë nga mungesa e kushteve të prodhimit, transportit, ambalazhimit dhe tregtimit të tyre, në rregulloren për plehrat 2003/2003 të Bashkimit Europian janë trajtuar në veçanti këto çështje. Pra, ishte një nga arsyet, që kjo kategori plehrash, të trajtohej në një nen të veçantë në ligjin Nr.10390, datë, 03.03.2011 “Për plehrat e përdorimit për bimësinë”. Bujqësia shqiptare i siguron plehrat kimike nga importi nëpërmjet shteteve të ndryshme si: Nitrati dhe Urea nga Ukrahina dhe Rusia, Superfosfati nga Egjypti, Diamon Fosfati (DAP) nga Tunizia, ndërsa plehrat e përzier (N.P.K) nga Europa, (Gjermania, Italia, Austria, Greqia, Norvegjia, Finlanda, Spanja, Ukrahina)  dhe Lindja e Mesme (Izraeli). Për bujqësinë, në vendin tonë, importohen  plehra kimike rreth 86.900 ton,  plehra kimike të përbërë (N.P.K) 11.115 ton dhe plehra masivë 75.785 ton. Formula kimike të veçanta gjithsej 183, produkte organike me bazë acide humike 2 ton 13 formula? Plehra masivë të thjeshtë, me nje element, zënë 80%, plehrat kompleksë dhe të përzierë zënë 15.8%, kurse plehra të lëngshëm 4.2% të sasisë së përgjithshme të plehrave kimike.
Përdorimi i plehrave minerale, organo-minerale dhe produkteve organike lidhet ngushtë jo vetëm me rezultatet e analizës së tokës, por edhe me ligjet e lëvizjes së lëndëve ushqyese aktive dhe mikro-ushqyesve, për shkak të difuzionit të ujrave nëntokësore dhe lëvizjes gravitacionale të ujrave sipërfaqësore. Por, përveç kësaj, përdorimi i tyre kushtëzohet edhe nga cilësitë specifike të seicilës kategori. Kështu plehrat azotike janë shumë të lëvizshëm, ndërsa plehrat potasike lidhen mirë me strukturën e tokës, kurse fosforitet nuk lëvizin.                                                                                                
Plehrat kimikë kanë sasira të vogla të shumë metaleve apo metaloideve toksikë (arsenik, kadmium, krom, kobalt, bakër, plumb, nikel, zink etj), të cilat janë pak të lëvizshëm në tokë. Plehrat kimike të tepërt, duke u përqendruar në napën ujëmbajtëse të tokës, çojnë jo vetëm në ndotjen e ujit me nitrate e fosfate, por ndotin edhe prodhimet ushqimore.    Përdorimi i tepërt i plehrave kimike jo vetëm që ndot prodhimet bujqësore e dëmton shëndetin, por mund të çrregullojë, për një kohë të gjatë, qëndrueshmërinë e agroekosistemeve, sepse në bujqësinë e sotme nuk përdoret më aq sa duhet lëndë organike. Kjo gjë mund të çojë si në humbjen e pjellorisë, ashtu edhe në grumbullimin e vazhdueshëm të metaleve e metaloideve toksikë, të cilët, mund të ndryshojnë strukturën e tokave. Vetëm ne 50 vitet e fundit kultivuesit kane zhvilluar nje vartësi te forte nga plehëruesit kimike sintetike. Nga rezultatet e analizave, për disa plehra, dalin probleme ligjore, teknike dhe organizative, zgjidhja e të cilëve lidhet ngushtë me zbatimin e kërkesave të ligjit Nr. 10 390, datë 3.3.2011 “Për plehrat e përdorimit për bimësinë”si: 1- Baza ligjore për marrjen e çertifikatës së regjistrimit nga personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj për prodhimin, importimin, eksportimin dhe tregtimin e plehrave kimike për qëllime tregtare; 2 - Zbatimi i kërkesave që ka Komuniteti Europian në lidhje me ambalazhimin, etiketimin dhe përmbajtjen e lëndëve ushqyese duke u mbështetur në shtojcat përkatëse; 3 – Përcaktimi i funksioneve të Komisionit të Vlerësimit të Plehrave Kimike dhe Inspektoriatit; 4 - Realizimi i masave administrative, që kanë të bëjnë me procedurat e punës për funksionimin korrekt të këtyre organizmave.
         Ligji i ri “Për plehrat e përdorimit për bimësinë”, ka përputhje, në masën mbi 60%, të neneve me Rregulloren e Komunitetit Europian Nr. 2003/2003 të Parlamentit dhe Këshillit Europian, datë 13 Tetor 2003 në lidhje me plehrat kimike, i cili ndikon në mbrojtjen dhe stabilitetin e aktivitetit prodhues të fermerëve duke ulur ndjeshëm efektin e pasigurisë tek fermerët. Instrumentet e menaxhimit te risqeve, jane esenciale per të ulur pasigurine e fermereve, duke ju siguruar atyre mbrojtjen dhe stabilitetin e aktivitetit prodhues ne te njejten kohe. Trajtimi me përparësi i këtyre problemeve nxit investimet dhe zhvillimin e biznesit dhe të konkurrencës në tregtimin e produkteve bujqësore ku fermerët, në këtë mënyrë ndikojnë në uljen e pasigurisë ushqimore dhe lejojnë aplikimin e praktikave novatore në prodhimin bujqësor. Është imperativ i kohës që të ndërtohen strategji të reja, diktuar edhe nga përkeqësimi i kushteve klimatike globale, krizës dhe pasigurisë ushqimore dhe financiare, globalizimit të tregut, duke ndikuar në shpejtësinë e rritjes së çmimeve në tregjet e imputeve bujqësore dhe njëkohësisht duke bërë të domosdoshme që të sigurohen mjetet e menaxhimit të risqeve. Në kushtet e ndryshme sociale dhe ekonomike, menaxhimi e risqeve fillon nga strategjitë individuale e personale, deri tek ato, që organizohen nga MBUMK. Parandalimi dhe minimizimi e këtyre risqeve dhe impakteve të tyre, tek fermeret dhe bujqësinë e vendit, është domosdoshmëri për nje menaxhim dhe zhvillim të mëtejshëm. Ato përfshijnë gjithnjë praktika dhe masa të zbatueshme për parandalimin e risqeve, reduktimin ose minimizimin e impakteve të tyre, si dhe mbështetjen e biznesit dhe fermerit me impute bujqësore.
            Për zbatimin e sistemeve dhe praktikave të përshtashme të prodhimit bujqësor përfshihen: - diversiteti i fermave dhe i aktiviteteve të tyre si bujqësia organike, bujqësia e integruar, agroekologjia, agro-pylltaria, agro-turizmi, prodhimi miks i fermave, rotacioni i bimëve, interkultura, polikultura etj.- kultivimi i kulturave tolerante, kontrolli biologjik i sëmundjeve e dëmtuesve dhe sistemi i masave agronomike për parandalimin e luftimin e tyre, - prodhimi dhe tregtimi i produkteve dhe ndarja e risqeve mbi bazë grupi mes fermerëve të ndryshëm nga njëra anë dhe mes fermerëve e pronarëve të tokës nga ana tjetër, - kryerja e investimeve afatgjata në infrastrukturën rurale dhe atë të prodhimit, përmirësimi i vazhdueshëm i marketingut të produkteve, hartimi dhe implementimi i programeve të menaxhimit të sëmundjeve e dëmtuesve si dhe aplikimi i masave sanitare e fitosanitare, - implementimi i sistemit të informacionit mbi tregun. - sistemi i edukimit e kualifikimit të fermerëve dhe programet e kërkimeve shkencore si dhe transferimit të teknologjive të prodhimit në fermë dhe të sigurisë ushqimore.
Të gjitha këto kërkojnë pjesëmarrjen e fermerëve, të organizatave të tyre, të institucioneve shkencore dhe akademike, të sektorit publik e atij privat si dhe të qeverisë për të realizuar zbatimin. Kështu, strategjitë dhe mjetet e përdorura nga fermerët në aktivitetin e tyre, krahas sistemeve të zakonshme, që sigurojnë ruajtjen e rezervave të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, kursimeve financiare, sigurimin e aseteve dhe mjeteve të ndryshme të kreditimit, fermerët mund të minimizojnë risqet përmes realizimit të sistemit të sigurimeve të jetës e të prodhimeve të tyre, sigurimit të fondeve e mjeteve financuese për aktivitetet dhe produktet e tyre. Po ashtu, sigurimi i prodhimeve bujqësore përmes kompanive dhe agjensive të ndryshme private apo shtetërore shërben për kompesimin e humbjeve. Ngritja e tregjeve të organizuar dhe mbi bazë kontratash për shitje të produkteve, është një mjet i rëndësishëm për mbrojtjen e fermerëve prej rënies së çmimeve të produkteve të tyre. Sistemi kontraktual i shitjes mes fermerëve dhe agjentëve të agrobiznesit e tregtarëve të ndryshëm me kushte specifike, bën po ashtu mbrojtjen e fermerëve e të produkteve të tyre.
Përsa i përket programeve qeveritare, për mbrojtjen e fermereve ndaj riskut të rënies së çmimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, përfshihen masa e mekanizma shtetërore dhe publike për përballimin e pasojave të ndryshimit të tregut e çmimeve të prodhimit.
Si përfundim, ekzistojnë instrumente dhe mjete të ndryshme, që shërbejnë për kompensimin e dëmeve të fermerëve pas ndodhjes së një risku apo një katastrofe natyrale, sikurse në shumë vende të botës. Përmes fondeve publike të emergjencës, në rast fatkeqësish në një sërë vendesh, fermerët kompensohen për dëmet e pësuara përmes ndihmës financiare e teknike, që caktohet për kompensim.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›