Pse po i përmbledhim në një libër, dy esetë e Montefiores
Para disa kohësh, shkrimtari i shquar Simon Sebag Montefiore botoi në gazetën “New York Times” të themi dy editoriale, por në fakt kemi të bëjmë me një eseistikë të nivelit që tashmë ai e ka vendosur si një rekordmen i gjykimit të bum-eve historike, nga histori apo individë. Në esenë e parë, “Çdo revolucion është kthesë rrënjësore në mënyrën e tij”, botuar me 26 mars 2011, autori u del me shumë guxim përballë ngjarjeve tronditëse që solli bota arabe, respektivisht Egjipti, Libia, Tunizia, Jemeni, etj. Të marrësh një qëndrim eseistik ndaj një ngjarjeje që është akoma në vlim, duhet një armatim ku talenti është një nga arsyet e suksesit, pasi duhet një njohje dhe informim i pazakontë. Ngjarja historike në çastin e zhvillimit i shëmbëllen një drite verbuese që nuk të lë të gjesh kënde shikimi të sigurta. Më së pari të rrëmbejnë emocionet dhe pamja spektakolare dhe fare mirë mund të vlerësosh - për mirë apo për keq - lehtësisht faktorë të cilët historia nesër mund t’i flakë. Por rasti “Montefiore” e përjashton këtë gjasë, pasi shumëkënd këto ngjarje mund ta zinin në befasi, por jo kujtesën e tij, por jo metaforën e tij. Prandaj, historiani Montefiore ia ka dalë mbanë që në këtë ese, ai të jetë i pari, më i thelli e rrjedhimisht më i vërteti në ekzaminimin e tij. Montefiore, në analizën e tij, i ka bërë një shërbim të madh opinionit publik, sepse e ka kthyer gjithë dukurinë historike vullkanike të këtyre vendeve në një formulë të thjeshtë, për ta lexuar e kuptuar dhe për të mos rendur pas, qoftë teorive të thella të konspiracionit, por edhe ngatërresave filozofiko-fetare. Bota arabe, edhe pse e ngatërruar, për shkak të besimit fetar të vetin, nuk mundet të ishullohej në atë shkallë sa t’u jepte mbretërve e perandorëve të tyre nënfishet e idhullit të shenjtë, Muhametit. Të tërë këta nënidhuj të shteteve arabe, qenë shpallur të paprekshëm dhe si të vetmit që duhej ta konsumonin, qoftë diellin në ato vende, qoftë librin e tyre të shenjtë, duke harruar se sekondat e përditshme të jetës njerëzore prodhojnë rrezik të përhershëm për të vetëshpallurit “të plotfuqishëm”. Nga ana tjetër, gjithë ajo gjendje njerëzore, edhe pse ka për retinë të syrit një mjegull besimi dogmatik, sheh dhe kap nëpër të çarat e dritës perspektivën e ekzistencës. Qytetërimi që është ngritur dhe ndërtuar në shekuj brenda kësaj bote, tashmë i ka krijuar lidhjet me pjesën tjetër të njerëzimit. Dhe ato funksionojnë përmes një komunikimi vlerash, pa orkestrimin e manipuluar të të vetëshpallurve si pronarë të botës arabe.
Por në qoftë se këto që thamë do të përbënin një vlerë të mendimit që zgjon eseja e parë e Montefiores, do të thoshim se në kushtet e shoqërisë shqiptare, ai ka sjellë një ndihmesë të posaçme për shkak të nevojës që ka kjo shoqëri për ndriçim, qoftë edhe të aspektit në fjalë. Jo vetëm për faktin se në Shqipëri bota islame është e pranishme fizikisht, por sepse ajo shpesh intoksikohet nga hibride artificiale që prodhojnë shije të cilat mund ta helmojnë realitetin shqiptar. Në këtë kuptim, nevoja për ta furnizuar inteligjencien shqiptare me ide dhe meditim rreth këtyre temave është e madhe. Kur themi e madhe, më shumë është e nevojshme cilësorisht.
Për hir të së vërtetës, revolucionet e kësaj pranvere në botën arabe, u dukën të papritura, të befasishme, por nëse ka dy gjëra që ngjajnë me njëra-tjetrën janë vullkanet dhe revolucionet. Në çdo regjim, në çdo sistem, revolucioni fle si vullkani, por kurrë nuk ndodh që të shuhet, veçse të gënjen me kohën që e zgjedh vetë për të plasur. Nga kjo pikëpamje, analizat e para janë jashtëzakonisht orientuese për mendjet që ndodhen në vendet ku po ndodh revolucioni, për mendjet që soditin nga shkaku i interesave, por veçanërisht për mendjet të cilat i kanë nënvlerësuar këto realitete. Montefiore, në esenë e parë, me fjalë të tjera ka shprehur një ide, sa të thjeshtë, aq edhe madhështore. Ai për mua thotë: “Hapini rrugën lirisë!”.
Në esenë e dytë, e botuar si editorial po në gazetën “New York Times”, autori trajtoi vrasjen e Osama Bin Laden, nën titullin “Osama Bin Laden: njeri i historisë”.
Osama Bin Laden ishte një thertore për qytetërimin. Në radhë të parë, megjithëse kam pak besim se është kuptuar ndonjëherë, ai ishte një thertore për vetë vlerat e qytetërimit e botës prej nga ai kishte dalë. Sigurisht, urrejtja e tij e përqendruar në mënyrë emblematike ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk ishte urrejtje sipas hartave të shteteve. Ishte në thelb pjesa e natës e këtij planeti, ishte vazhdimësi e krimit të prodhuar nga individë në sistem. Simon Sebag Montefiore e vendos në mënyrë korrekte veprën e tij në atlasin e vrastarëve të njerëzimit. Ai, me një inteligjencë “laser”, e ndan dhe e veçon Bin Ladenin nga vrastarët e tjerë, të shpërndarë nëpër shekuj e nëpër popuj, si Hitleri, Stalini, Pol Poti, Enveri…
Të gjithë këta janë përpjekur ta fshehin krimin e tyre, kurse ky është përpjekur ta shpallë krimin. Bin Laden nuk nxitej për krimin pasardhës nga siguria se do të mbetej i fshehtë ai krim, por nga kënaqësia, nga lumturimi që e kishin parë dhe marrë vesh miliona njerëz. Ndërsa Bin Ladeni është njeri i historisë, vrasja e tij nuk është po kaq historike. Sepse vrasja është një ndërprerje teknike e aksionit. Çështja kyçe mbetet “a është vrarë Bin Ladeni si histori?” Për këtë mund të themi se nuk është mbyllur dueli, por merita e zotit Montefiore është që fenomenin dhe formulën vrastare “Bin Laden” e ka parë në shumë lidhje me botën e qytetëruar. Ai e ka parë në ngjarje konkrete dhe operacione praktike, por e ka parë edhe si burim energjie që vjen nga pjesa e zezë e përplasjes së qytetërimeve. Gjithsesi, vrasja e Bin Ladenit meriton të shënohet për një arsye më të thellë se gjithçka, për faktin se gjithnjë vrastarët e qytetërimit përfundojnë në askush. Figura dhe metafora më adekuate për këta është vrima ku u gjet Sadam Hyseini dhe çuarja e tij në litar.
Në të dy esetë, një nga vlerat serioze e cila duhet veçuar, është se këto ngjarje, edhe pse nuk kanë lidhje të përbashkëta operacionale, janë pjesë logjike e fundit që kanë misione të tilla, këto misione të zeza që përfaqësohen nga persona ku egocentrizmi i tyre, i shpallur si vlerë për të tjerët, e ka munduar dhe e mundon shumë njerëzimin.
Shkrimtari dhe historiani Montefiore është një luftëtar i madh, është një mendje e madhe luftëtare për t’i çliruar njerëzit nga frika e misioneve të zeza dhe vrastare në shekuj. Ai përfaqëson sot një ndërgjegje njerëzore, e cila përpiqet që me fjalën dhe veprën e tij të rritë praninë e ozonit në këto skuta të njerëzimit. Montefiore përpiqet ta çlirojë njerëzimin nga frika.
Një arsye tjetër që ne po i botojmë këto dy ese, është fakti se të tre institucionet të grupit tonë mediatik; “Gazeta 55”, Shtëpia Botuese “55” dhe Instituti i Kërkimeve Politike “Alcide de Gasperi” e kanë pjesë jetike të tyren luftën dhe përpjekjen për mbrojtjen e qytetërimit prej nga ka buruar kombi ynë, prej nga shkon kombi ynë, pra qytetërimit perëndimor. Që në numrin e parë të gazetës, si dhe në dhjetëra botime të Shtëpisë Botuese “55”, pa përjashtim në të gjitha konferencat e Institutit të Kërkimeve Politike “Alcide de Gasperi”, ne jemi të njohur dhe të shpallur, të vetmit dhe asnjëherë të ndalur në këtë luftë, e cila pas 11 shtatorit, edhe për ne u ngrit në një stad tjetër, në të cilin përpiqemi të gjendemi, qoftë edhe me këtë botim.