Imuniteti shpëton Mediun në Gjykatën e Lartë
Avokatët e ish- ministrit të Mbrojtjes, përdorën mandatin e deputetit për të pushuar procesin gjyqësor ndaj tij
Gjyqi ndaj Ministrit të Mjedisit u pushua dje pas kërkesës së mbrojtësve të tij, ndonëse akuza kërkoi vazhdimin
TIRANË- Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pranoi kërkesën e avokatëve mbrojtës të ish-ministrit të Mbrojtjes, të pandehurit Fatmir Mediu, për pushimin e çështjes penale ndaj tij për shkak të imunitetit të fituar në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Në kohën kur kryeministri deklaronte se imuniteti i ministrave të tij nuk është mbrojtësi ndaj ligjit, Ministri i Mjedisit i sapo emëruar "fshihet" pas këtij imuniteti dhe kërkon që procesi penal ndaj tij të pushohet. Kjo Kërkesë u miratua nga treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Besnik Imeraj, të cilët vendosen pushimin e çështjes penale ndaj deputetit të pandehur Fatmir Mediu.
Ky vendim i togave të zeza çuditërisht u lexua vetëm 10 minuta pasi Presidenti i Republikës Bamir Topi publikoi dekretin e formalizimit të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Sali Berisha, ku në krye të Ministrisë së Mjedisit emëroi deputetin e pandehur Mediu.
Në seancën e djeshme gjyqësore, vetë i pandehuri Mediu, tashmë ministër i Mjedisit, nuk ka preferuar të paraqitet duke i dhënë tagrin e përfaqësimit avokatëve të tij, Ardian Visha e Petrit Serjani. Dy avokatët, me fillimin e seancës gjyqësore në orën 10:00 të paradites së djeshme, kërkuan nga gjykata parashtrimin e një kërkese paraprake të firmosur nga vetë i pandehuri Fatmir Mediu.
Avokatët në fjalën e tyre, kërkuan nga Gjykata e Lartë pezullimin e çështjes, duke paraqitur si provë mandatin e deputetit të fituar në zgjedhjet e 28 qershorit të këtij viti, i fituar edhe me vendimin e Komisionit Qendror ët Zgjedhjeve të datës 1 gusht.
Ky mandat i siguron Mediut imunitetin, dhe sipas avokatëve, në bazë të nenit 73/2 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenet 290/e dhe 387/1 të Kodit të Procedurës Penale, çështja duhet të pushohet, pasi nuk mund të vazhdojë procedimi penal ndaj një personi me imunitet.
Me parashtrimin e kësaj kërkese, prokurorët e çështjes të kryesuar nga drejtuesi i hetimeve Sokol Stojani, kërkuan 10 minuta kohë nga Gjykata e cila e pranoi kërkesën e tyre.
Pas tërheqjes për këshillim mes tyre, prokurorët i kërkuan Kolegjit Penal rrëzimin e kërkesës së avokatëve mbrojtës, të cilët nga ana e tyre kërkuan pezullimin e procesit gjyqësor.
"Kërkesa e avokatëve për pezullim është e pabazuar në ligj, pasi mandatin e deputetit e ka fituar pas datës 28 qershor, ndërkohë vepra për të cilën akuzohet i pandehuri Fatmir Mediu është kryer para kësaj date dhe për këtë vepër Kuvendi i ka hequr njëherë imunitetin"-theksoi në emër të grupit të prokurorëve drejtuesi Sokol Stojani.
Pas dëgjimit të këtyre dy pretendimeve, togat e zeza u tërhoqën për vendim, ku pas dy ore këshillim mes vete dhe vetëm 10 minuta pasi u publikua dekreti i qeverisë së re nga Presidenti i Republikës, Kolegji Penal lexoi dispozitivin e vendimit të marrë, duke pushuar çështjen ndaj Mediut.
Vendimi i Gjykatës së Lartë
"Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi dëgjoi mbrojtësit e të pandehurit Fatmir Mediu që pretenduan faktin e zgjedhjes deputet të të mbrojturit prej tyre, fakt që sipas tyre kushtëzon vazhdimin e ndjekjes penale dhe përfaqësuesit e organit të akuzës që kërkuan vazhdimin e gjykimit, vërejtën se: në bazë të vendimit nr. 602, të datës 1 gusht 2009 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se i pandehuri Fatmir Mediu është zgjedhur deputet i legjislaturës së 18 të Kuvendit të Shqipërisë.
Kjo rrethanë nuk lejon vazhdimin e procedimit penal në ngarkim të tij për aq sa nuk ka një autorizim për ndjekje penale të dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë mbas marrjes prej tij të mandatit të deputetit.
Për këto arsye, mbështetur në nenin 73/2 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenet 290/e dhe 387/1 të Kodit të Procedurës Penale, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, vendosi:
Pushimin e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu për shkak se ndjekja penale ndaj tij nuk mund të vazhdojë"-thuhet në dispozitivin e vendimit të Kolegjit Penal, të publikuar nga zyra e shtypit e Gjykatës së Lartë.
Sipas akuzës, ish-ministri Mediu në bashkëpunim me persona të tjerë por në role të ndryshme ka kryer veprën penale të "shpërdorimit të detyrës", duke sjellë tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 28 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosën.
Neni 73\pika 2 e Kushtetutës
Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet.
Avokati
Avokati i deputetit Fatmir Mediu, Ardian Visha, pas mbarimit të seancës gjyqësore dhe leximit të vendimit të pushimit të çështjes, deklaroi se "si avokat do preferoja një betejë gjyqësore me prokurorët, por, nuk pata fat, pasi prokurorët ishin të paaftë".
Familjarët
Vendimi i Gjykatës së Lartë për të lënë jashtë tragjedisë së "Gërdecit" ministrin Fatmir Mediu, ka sjellë reagime nga familjarët e viktimave të cilët kanë qenë edhe mëngjesin e djeshëm në gjykatë. ""Sot (dje) na vranë për të dytën herë.
Dua një përgjigje nga gjyqtarët që përse fëmija im nuk shkon sot në klasë të tretë kur është edhe dita e parë e shkollës ?. Do të bëj vetëgjyqësi, do të bëhem kamikaz",- është shprehur para mediave e irrituar nëna e 7- vjeçarit që mbeti i vrarë në shpërthimin e punishtes së "Gërdecit", Zamira Durda.
Gjykata, pushon padinë e Mediut kundër prokurorisë
TIRANË- Mungesa e paraqitjes së avokatit mbrojtës të paditësit Fatmir Mediu në seancën gjyqësore ku ish-ministri i Mbrojtjes kundërshton vendimin Prokurorisë së kryeqytet, në lidhje me mos fillimin e hetimeve ndaj të cilave kishte vendosur mos fillimin e hetimeve ndaj drejtuesit të hetimeve Sokol Stojani për "nxjerrje të sekretit hetimor".
Kallëzim ky i bërë në prokurori, për mesazhet telefonike që mendohet se Stojani i ka dërguar një paneli gazetarësh në një emision televizivë ku Mediu ishte i ftuar për të debatuar në lidhje me ngjarjen e Gërdecit.
Për këtë kallëzim, prokurori vendosi mos fillim hetimi për mungesë të elementeve të veprës penale, por, paditësi Mediu kundërshtoi këtë vendim në Gjykatën e Shkallës së Parë.
Pas hedhjes në short, kjo dosje i ra për tu gjykuar nga gjyqtari Kreshnik Omari, i cili për shkak të mos paraqitjes së palës paditëse në katër seancat e ardhës vendosi të pushojë çështjen.
Sipas arsyetimit të vendimit, mos paraqitja e paditësit është bërë shkak që çështja të pushohet, pasi sipas Kodit të Procedurës Penale, nëse paditësi nuk paraqitet në tre seanca gjyqësore, çështja e hapur nga ai pushohet. Mbi bazën e këtij arsyetimi edhe gjyqtari Omari ka vendosur pushimin e çështjes.
Procesi ndaj të pandehurve në Gjykatën e Tiranës s'ka nisur ende
TIRANË- Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj 28 të pandehurve të tjerë të tragjedisë së Gërdecit ende nuk ka filluar në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet, për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës të të pandehurve.
Edhe në seancën e fundit gjyqësore, mungesa e dy avokatëve mbrojtës, ka shtyrë treshen gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado, që në vend të tyre të caktojë avokatë kryesisht.
Por edhe mungesa e tyre bëri që gjyqi të mos vazhdojë duke u shtyrë për me datën 23 shtator ora 10:00. Avokatët e disa nga të pandehurve, kërkuan që çështja të ndahet për shkak se nuk mund të gjykohen të gjithë bashkë për shkak të mungesave të avokatëve, pasi janë shumë.
Ndërsa, këtë kërkesë prokuroria nuk e miratoi duke u shprehur se "nuk është koha e parashtrimit të kërkesave të tilla". Seanca e pak ditëve më parë, është shtyre për të tretën herë, duke mos u krijuar mundësia, që treshja gjykuese e kësaj gjykate të fillojë procesin gjyqësor ndaj 28 të pandehurve.
Sipas prokurorisë, 28 të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por në role dhe kohë të ndryshme, kanë kryer një sërë veprash të rënda penale, duke sjellë për pasojë shpërthimin e ndodhur më 15 mars 2008 në ish-repartin e tankeve në fshatin Gërdec të komunës së Vorës. Nga ky shpërthim gjetën vdekjen 28 persona dhe mbi 300 të tjerë u gjymtuan, ndërsa shumë prona dhe banesa u dëmtuan.