E Diel, 1 Nëntor 2026

Imuniteti sot në Kuvend, PS: Nuk do ta votojmë. PD: Mos bllokoni statusin

TIRANË-Sot në orën 10:00 pritet të mblidhet Parlamenti në seancën e veçantë për votimin e ndryshimeve kushtetuese për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Megjithëse mazhoranca edhe opozita kanë miratuar një draft të përbashkët në Këshillin e Legjislacionit dhe Komisionin e ligjeve për këtë çështje, sërish qëndrimi i opozitës mbetet për tu verifikuar gjatë seancës plenare, pasi kërkon që ndryshimet kushtetuese mos të përfshijnë vetëm heqjen e imunitetit të zyrtarëve, por të bëhen ndryshime të plota që lidhen edhe me emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë apo të asaj Kushtetuese.

Në këtë drejtim opozita kërkon më shumë kohë dhe që këto ndryshime të votohen bashkarisht me fillimin e sesionit të ri parlamentar në muajin shtator. Maxhoranca këmbëngul se pjesë e këtyre ndryshimeve duhen bërë vetëm pikat në të cilën në Kushtetutë të parashikohet heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë.

Partia Demokratike  i ka bërë thirrje selisë rozë që deputetet socialiste te votojne heqjen e imunitetit, sepse ne rast te kundert  rrezikohet mosmarrja e statusit të vendit kandidat për në BE.
 
PS mbledh grupin parlamentar
Partia Socialiste mblodhi rreth orës 09:15, grupin parlamentar të saj për të vendosur përfundimisht qëndrimin që do të mbajë në seancën e sotme parlamentare. Mbledhja zgjati vetëm 5 minuta ndërsa detutetët u shprehen se në seancë nuk do të ketë surpriza.

Deputetët socialistë do të jenë në sallën e Parlamentit, por do t'i qëndrojnë vendimit për të mose votuar sot projektin, që është rënë dakord me PD-në. Mësohet se në fillim të seancës do të diskutojnë përfaqësuesit e PS-së, Gramoz Ruçi ose Pandeli Majko, i cili është edhe negociatori i PS-së me PD-në gjatë diskutimit për heqjen e imunitetit. Diskutime do të ketë edhe nga shumë deputetë të tjerë. 

PD: Rama mos blloko statusin, votoje
Një ditë më parë, në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi ka theksuar se “Partia Demokratike fton sërish kryetarin e Partisë Socialiste z.Edi Rama të mos bllokojë heqjen e imunitetit dhe procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, por të lejojë grupin e tij që të votojë ligjin e miratuar me konsensus të plotë të perfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për heqjen e imunitetit, si një interes jetik i çdo qytetari shqiptar". 

Sipas saj, shqiptarët presin të shohin realitet ëndrrën evropiane.
“Partia Demokratike fton kryetarin e Partisë Socialiste të mos bllokojë nesër heqjen e imunitetit për zyrtarët e vendit duke bllokuar kështu statusin e vendit kandidat, por të lejojë deputetët e Partisë Socialiste që me voten e tyre të shndërrojne 6 Gushtin në një fitore të vërtetë për të gjithë shqiptarët, përfaqësuesit dhe forcat e tyre politike. ”- tha ajo. 

“Ata me të drejtë presin që nesër të zgjedhurit e tyre të faktojnë para qytetarëve se ata me vullnetin e tyre do të votojnë heqjen e imunitetit, rrëzimin e murit të tij në mënyra që pas datës 6 Gusht askush të mos mund të perdorë imunitetin si mburojë për pasurimin të paligjshem duke fshehur taksat dhe tatimet apo duke u majmur me rryshfete apo trafiqe kriminale. ”- theksoi me tej Bardhi.

Zëdhënsja theksoi se, duke bllokuar imunitetin Rama u thotë shqiptarëve se do të bllokojë për të te tretin vit radhazi marrjen e statusit kandidat. “Duke ftuar Ramën të mos bllokojë nesër heqjen e imunitetit PD garanton shqiptarët se asgjë nuk pengon verdiktin e tyre për rrëzimin e murit të korrupsionit”- tha ajo. 

Sipas selise blu, nese Rama vepron te kunderten deshmon qarte se eshte pjese e pazareve te miliardereve te PS-se.
"Duke kërkuar në shkëmbim të votes së tij për heqjen e imunitetit përmbysjen e kushtetutës demokratike me kushtetutën e sundimit të pakicës z. Rama dëshmon se atë që ai nuk merr dot me vota kërkon ta marrë me pazare shtetin për interesa të ngushta të këshillit të milardierëve të Partisë Socialiste". 

Thirrja e PD u be një ditë para se Kuvendi të votojë për heqjen e imunitetit përmes ndryshimeve kushtetuese. Sot pritet të mblidhet Parlamenti në seancën e veçantë për votimin e ndryshimeve kushtetuese për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Data, e cila është përcaktuar jashtë kalendarit normal të punimeve parlamentare, është vendosur nga Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare.

(d.b/er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Malaj: Imuniteti, negociata të minutës së fundit me mazhorancën Beja: Shtyrja e imunitetit rrezikon statusin kandidat, të votohet sot

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›