E Diel, 1 Nëntor 2026

Një Olimpiadë katastrofë, Shqipëria zhgënjim total

LONDER - Të paktën nga dy prej tyre priteshin medalje, ndërsa nga pjesa tjetër, një konfirmim i normave të tyre përpara startit të Olimpiadës. Ishte ky parashikimi për shqiptarët në Lojërat Olimpike të Londrës, që edhe këtë herë u kthyen në një zhgënjim. Deri më sot, asnjë medalje olimpike, një rekord tejet negativ për një vend që e dashuron sportin, por që ka një mungesë të theksuar talentesh apo më tej akoma, një ndjenjë inferioriteti të theksuar karshi atletëve të vendeve të tjera. Olimpiada e Londrës gjithsesi mbetet një nga më zhgënjyeset, pasi për çudi, përveç peshëngritësit Briken Çalja, spo-rtistët e tjerë nuk kapën as normat e tyre apo më keq akoma, u përjashtuan nga garat para se të nisnin ato.
Dopingu
Shqipëria do të mbahet mend për diçka nga këto Lojëra Olimpike: fakti që atleti i parë i përjashtuar për përdorim dopingu, ishte një shqiptar. Hysen Pulaku nuk pati shansin as të niste garimin e tij, teksa u përjashtua nga fshati olimpik për gjetjen pozitiv me një substancë të ndaluar prej 50 vjetësh, si stanozololi, i cili zbulohet vetëm me anë të një analize të thjeshtë urine. Dalja pozitive e Pulakut shënoi një pikë negative për sportin shqiptar, që përfaqësohej në Londër me vetëm 11 sportistë. Veç kësaj, këmbëngulja e peshëngritësit për mosdijeninë e tij ishte një çudi më vete, pasi substanca nuk është një nga ato që nuk njihen nga Federata apo nga trajnerët.
Kelmendi
Talentja kosovare e xhudos garoi për flamurin shqiptar, duke u bërë e para sportiste e shtetit më të ri të Evropës që shkon në Olimpiadë pas shpalljes së pavarësisë. Majlinda Kelmendi përbënte një krenari për të gjithë shqiptarët, pasi ajo ishte shpallur kampione e botës për të rinj në xhudo. Por, as ajo nuk mund t'i shpëtonte "trendy-t" të zhgënjimeve. Kelmendi u mund në 1/8 e finales nga një atlete nga Mauricius, që nuk renditet as në qindëshen më të mirë të botës. Një gafë e sportistes kuqezi, e cila pësoi një Ippon, ose ndryshe, një "tuç" që vlen 100 pikë. U duk si një momend mendjemadhësie nga ana e saj, pasi kundërshtarja ishte e një niveli vërtet amator.
Peshëngritja
Është një sport tipik i vendeve të Lindjes, pasi në perëndim dalëngadalë, peshëngritja po hiqet si disiplinë për shkak të pasojave që lë te sportistët. Ky sport ishte shpresa tjetër e Shqipërisë në Olimpiadë, por ai rezultoi një dështim i vërtetë. Romela Begaj nuk kapi as peshën e saj, duke zhgënjyer dhe për më tepër, duke bërë një gjest të çuditshëm fitimtari në fund. Rrekja e drejtuesve të Federatës për ta quajtur një sukses vendin e 11-të, ishte një tentativë banale për një sportiste që pretendonte medalje. Më tej, Daniel Godelli, një tjetër sportist me shumë vlera, nuk u kualifikua fare, pasi nuk ngriti asnjë prej tre provave në stilin e shkëputjes. Ndërkohë, i vetmi që pati disi sukses, ishte Briken Çalja, që i tejkaloi normat e tij, duke zënë një vend të tetë nderi. Një situatë jo komode edhe për Endri Karinën, i renditur i pesti në baterinë B.
Atletika
Që Shqipëria nuk ka patur asnjëherë nivel të lartë në atletikë, kjo dihet, por paraqitja në Londër ishte vërtet për të ardhur keq. Në hedhjen e gjyles, Adriatik Hoxha ishte gati 1 metër larg rekordit të tij, një rezultat vërtet katastrofë. Nëse medalisti i artë fitoi me 21.95 metra, ai e hodhi gjylen vetëm 17.58 metra, ndërkohë që rekordin personal e kishte 18.18 metra. Sa i përket Klodiana Shalës, ajo u dëmtua në mënyrë të çuditshme pak ditë para garës, duke u tërhequr prej saj. Shala ishte me ftesë në Olimpiadë dhe do të garonte në 200 metra, por duket se kjo ftesë shkoi kot. Rezultatet e mira munguan edhe në qitje e në not, ndonëse Sidni Hoxha arriti të tregonte njëfarë krenarie, duke fituar të paktën baterinë e tij.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›