Imunitetin Gati ta lënë

Koloneli i Partisë Demokratike thotë se akuzat e ngritura ndaj tij për revoltën e 14 shtatorit 1998 kanë pasur nuanca thellësisht politike, ndërsa tani kjo çështje po merret në dorë që të mbyllet përfundimisht. Ndërkohë, ai thotë se imuniteti i deputetit nuk përbën problem për ta thirrur në gjykatë apo në prokurori
Një nga ish-të akuzuarit për të ashtuquajturin “grusht shteti” të 14 shtatorit 1998, deputeti i Partisë Demokratike, kolonel Sali Shehu, shpreh besimin tek sistemi i drejtësisë në vend, duke thënë se është i gatshëm që të dorëzojë imunitetit e tij për çfarëdo akuze të ngritur ndaj tij. Sipas deputetit demokrat, procesi i mëparshëm ka qenë tërësisht politik, ashtu sikurse akuza. Ndërkohë, Shehu thotë se ka besim që procesi për kryengritjen e 14 shtatorit është marrë në dorë që të mbyllet përfundimisht. “Unë si jurist jam paraqitur vetë në burgun 313, kam marrë një taksi dhe kam shkuar sapo jam njoftuar, dhe kam menduar që të bëj shpjegimet e mia, për faktin se unë kam qenë thjesht një pjesëmarrës në varrimin e Azem Hajdarit. Në fakt, pasi kam shkuar atje, më kanë dorëzuar një urdhër ndalimi dhe kam qëndruar 13 muaj në birucat e 313-ës, pa më pyetur njeri për emrin, mbiemrin dhe pa asnjë vendim, asnjë akt tjetër procedural”, thotë Shehu, duke u rikthyer pas në kohë. Ndërkaq, ai nuk ngurron të thotë se ndaj tij nuk ka asnjë fakt implikimi, as nga foto dhe as nga filmimet e kohës, në revoltën e 14 shtatorit të vitit 1998, ditë në të cilën u varros deputeti i vrarë i Partisë Demokratike, Azem Hajdari.
-Tashmë është rihapur çështja e 14 shtatorit, ku ju jeni një nga të akuzuarit për kryengritjen e armatosur. Megjithatë, vënia juaj nën akuzë pengohet nga imuniteti i deputetit që ju mbani. A jeni të gatshëm që ta dorëzoni imunitetit dhe të paraqiteni para prokurorisë dhe gjykatës?
Sali Shehu: “Unë jam njohur me këtë histori nëpërmjet shtypit, dhe shtypi e kishte fryrë në këtë mënyrë. Nuk më erdhi mirë, për faktin se kjo çështje kur është ngritur në fillim, ka qenë një çështje me nuanca thellësisht politike. Dhe jo për të marrë masa ndaj shkelësve të ligjit të kohës për një ngjarje që kishte ndodhur, por për t’i dhënë një goditje opozitës, e cila një pjesë të mirë të militantëve i kishte të burgosur. Tashmë për çudi, çudi e cila në Shqipëri nuk ndodh rrallë, një çështje penale e kësaj natyre ka 10 vite që zvarritet dyerve të gjykatës. Unë mendoj që nëse do të mbyllet shpejt, do të ishte një katarsis edhe për njerëzit që janë marrë me këtë çështje, do të ishte një gjë e mirë edhe për sistemin e drejtësisë, për prokurorinë dhe gjykatat. Shtypi e ka sjellë në vëmendje të opinionit publik, se brenda kësaj çështjeje janë të involvuar dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, siç jam unë dhe zoti Frrok Gjini, dhe imuniteti i tyre pengon gjoja zhvillimin e mëtejshëm të gjyqit për këtë çështje. Unë mund të garantoj prokurorët, gjyqtarët dhe të gjithë ata që merren me përfundimin e kësaj çështjeje, se jam i gatshëm që ta dorëzoj imunitetin. Unë jam i gatshëm jo vetëm për këtë ngjarje, për të cilën kam marrë pafajësinë, për faktin se është tërhequr prokuroria, jo se i ka penguar imuniteti im për ta zhvilluar më tej hetimin ndaj meje, por jam i gatshëm që ta dorëzoj për të gjithë aspektet e tjera që parashikon Kushtetuta. Po të merrni me kujdes fjalimet e mia në Komisionin e Ligjeve dhe në parlament, kam qenë një nga ata që kanë kërkuar me këmbëngulje qëkur u bënë ndryshimet kushtetuese, që të heqim imunitetin e deputetit dhe të zyrtarëve të tjerë. Atëherë kjo gjë hyri në vesh të shurdhër dhe nuk pati reagime, gjë për të cilën nuk më erdhi mirë. Në këtë kontekst them që e ndjej veten pa imunitet fare dhe kush të dojë të më çojë një sinjal, unë shkoj atje dhe paraqitem patjetër”.
-Çfarë mbani mend nga data 14 shtator e vitit 1998, në ditën e varrimit të deputetit të ndjerë Azem Hajdari dhe mbi çfarë faktesh ju akuzojnë?
“Po më kujtoni një histori shumë interesante në dy aspekte për mua. Në një aspekt është personal dhe familjar, se unë kam qenë një nga njerëzit që kam bërë 13 muaj burg në birucat e repartit 313, absolutisht pa asnjë faj. Unë kam qenë një nga pjesëmarrësit në varrimin e Azem Hajdarit, kam qenë dhe jam miku i tij. Azem Hajdari meritonte më shumë dhe jo më pjesëmarrjen në varrimin e tij. Vrasja e tij dihet tashmë se është bërë publike. Aspekti i dytë është ai procedural. Unë si jurist jam paraqitur vetë në burgun 313, kam marrë një taksi dhe kam shkuar sapo jam njoftuar, ku kam menduar që të bëj shpjegimet e mia, për faktin se unë kam qenë thjesht një pjesëmarrës në varrim. Në fakt, pasi kam shkuar atje më kanë dorëzuar një urdhër ndalimi dhe kam qëndruar 13 muaj në birucat e 313-ës, pa më pyetur njeri për emrin, mbiemrin dhe pa asnjë vendim, asnjë akt tjetër procedural. Në përfundim, gjatë hetimit prokuroria është tërhequr vetë, ka bërë një deklaratë dhe është tërhequr nga akuza ndaj meje, për faktin se nuk kishte asnjë provë. Mesa e kujtoj unë historinë e gjyqit, janë shfaqur me dhjetëra kaseta në seancën e gjyqit përmes një monitori dhe në përfundim të kasetës së fundit njëri nga gjyqtarët më thotë: “Pse je ti në sallë, sepse këtë nuk po e kuptoj”. I thashë: “Pyesni këto prokurorët” dhe më vjen mirë që njëri nga ata prokurorët ka ikur nga prokuroria, një njeri me ngarkesa të theksuara politike. Nuk dua të përmend emra, sepse nuk është në natyrën time”.
-Pse mendoni se po hapet kjo çështje tani, pas 10 vitesh?
“E mendoj dhe gjykoj se çështja nuk është rihapur. Është marrë në dorë për ta mbyllur përfundimisht. Për ta mbyllur këtë histori që të mos merret më shtypi me të. Të paktën kjo është bindja dhe dëshiroj të jetë kështu. Megjithatë, nëse gjykata dhe prokuroria më thërret, unë do të shkoj atje, ta dëgjoj me vëmendje që të shoh se kush është historia e kësaj çështjeje”.