Streha e lugetërve

Gjirokastrës i shtohet një tjetër muze: ai i një vendstrehimi të fshehtë, ndërtuar për udhëheqjes komuniste, në kushtet e Luftës së Ftohtë. Vendstrehimi përbëhet prej 80 dhomash, salla mbledhjesh, ambiente pune, pushime, madje pjesë e tij janë edhe një depo për furnizimin me ujë të pijshëm, centrali elektrik etj.
Një prej tuneleve luftarakë të ndërtuar në qytetin e Gjirokastrës për strehimin e ish-udhëheqjes komuniste gjatë Luftës së Ftohtë, në këto ditë të sezonit turistik është kthyer në një ndër pikat më të preferuara të guidave turistike për vizitorët e huaj që mbërrijnë në qytetin e gurtë. Grupet turistike të huaja që mbërrijnë në Gjirokastër porsa marrin informacionin e nevojshëm për vendstrehimin luftarak, që ndodhet afër godinës së bashkisë, preferojnë të nxitojnë për të parë nga afër këtë objekt të ndërtuara gjatë viteve të Luftës së Ftohtë. Ky vendstrehim luftarak u ndërtua në fillim të viteve 1970 dhe kishte si qëllim akomodimin në rast sulmi luftarak të ish-udhëheqjes lokale të qytetit të atyre viteve, madje për të qenë sa më efikas në këtë drejtim, njëra prej hyrjeve të tunelit ndodhet fare pranë godinës së ish-Komitetit të Partisë, ku aktualisht është vendosur bashkia e qytetit. Tuneli, i cili përshkon pjesën e poshtme të shkëmbinjve mbi të cilët ngrihet Kalaja e qytetit është i gjatë rreth 800 metra. Në mjediset e brendshme të tij janë ndërtuar një sërë aksesorësh, të cilët do të shërbenin për akomodimin e ish-udhëheqjes komuniste lokale të atyre viteve në rast të një sulmi eventual nga jashtë. Duket se vizitorët e huaj vazhdon t’i tërheqë kurioziteti dhe kërshëria për të parë nga afër këtë “qytezë” nëntokësore, e gjitha me beton, e ndërtuar për të përballuar kontradiktat e Luftës së Ftohtë. Tashmë të gjithë këto mjedise të derdhura në beton, edhe pse të braktisura dhe të harruara nga destinacioni fillestar, vazhdojnë të tërheqin grupet turistike që vizitojnë qytetin e gurtë. Duke parë interesimin në rritje të turistëve për këtë vendstrehim të Luftës së Ftohtë, bashkia e qytetit në bashkëpunim me zyrën e “Packard” në Gjirokastër ka vendosur t’i rikthejë atij një pjesë të fizionomisë së mëparshme, duke e kthyer kështu në një pikë të vizitueshme dhe tërheqëse për vizitorët që mbërrijnë në qytetin e gurtë. “Projekti në fjalë parashikon pastrimin dhe sistemimin e gjithë gjatësisë së vendstrehimit, riparimin e rrjetit të ndriçimit etj.”, thonë burime nga Bashkia e Gjirokastrës. “Tashmë në të gjithë Evropën Lindore mjedise të tilla janë mjaft atraktivë dhe të kërkuar nga turistët”, thotë Sadi Petrela, koordinator i “Packard”. “Në bashkëpunim edhe me pushtetin lokal, - vijon Petrela, - në mendojmë ta vendosim këtë vendstrehim të Luftës së Ftohtë në shërbim të zhvillimit të turizmit në qytet”. Aktualisht zyra e “Packard” ka përfunduar një projekt të detajuar në lidhje me ndërhyrje të ndryshme në këtë vendstrehim. “Turistët dëshirojnë ta përshkojnë me këmbë këtë tunel, i ndërtuar i gjithi me beton, duke parë nga afër edhe dhomat dhe mjediset që ish-udhëheqja komuniste lokale kishte parashikuar për t’u akomoduar gjatë një sulmi eventual nga jashtë në periudhën e Luftës së Ftohtë”, thotë Petrela. Sipas koordinatorit të “Packard”, Sadi Petrela, “krahas vlerave të saj të pasura historike dhe arkitektonike, duket se Gjirokastra do të ofrojë për grupet turistike edhe elemente të tillë të veçantë për sa i takon kërshërisë dhe kuriozitetit të vizitorëve për periudhën e Luftës së Ftohtë”. Projekti parashikon sistemimin e disa prej pjesëve të shembura të tunelit, riparimin e rrjetit të ndriçimit të energjisë elektrike, sistemin e ajrimit, vendosjen e sinjalistikës orientuese përgjatë gjithë gjatësisë së tunelit etj. Madje, synimi final i këtij projekti është ndërtimi në këto mjedise i një Muzeumi të Luftës së Ftohtë. Duket se vendosja në jetë e këtij projekti do të pasurojë me elemente të rinj guidat turistike të qyteti të Gjirokastrës, duke e bërë atë edhe më tërheqëse për grupet e vizitorëve vendas dhe të huaj.