Trurin e kemi njëlloj
“Të merresh me art është një privilegj, një luks”, Kështu pohon Nirvana Baja, piktorja shkodrane që kërkon të ecë përpara pa menduar për paragjykimet, për mediokritetin që na rrethon apo për faktin se është grua. Kjo shtysë e fortë brenda vetes, dashuria për pikturën, kanë bërë që ajo të korrë suksese në ekspozita. Gjithnjë, kur flet për veten dhe artin që bën, nuk harron të theksojë se ka qenë nxënësja e të madhit Danish Jukniu. Nirvana Baja ka mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranë në vitin 1991, dhe tashmë ka një pjesëmarrje të gjerë në ekspozita. Kështu numëron tri të tilla personale në Tiranë, Shkodër e Podgoricë. Ndërkohë që katër herë ka qenë pjesëmarrëse e ekspozitës ndërkombëtare “My Changes”. Po kështu është prezantuar dhe tek “Onufri 2005”. Nirvana është gjithashtu edhe pedagoge në shkollën e mesme artistike “Preng Jakova” në Shkodër. Nënë e dy fëmijëve, Klevisit 13 vjeç dhe Arilës 9 vjeçe, ajo me kurajën dhe egon profesionale arrin t’ia dalë, por gjithnjë, siç thotë ajo, edhe me ndihmën e familjes së saj.
-Çfarë do të thotë për një grua të merret me art?
“Pikërisht figura e gruas ka qenë shtysa ime, ku dhe nëpër ekspozita më së shumti veprat e mia ia kam dedikuar pikërisht figurës së gruas dhe sakrificave të saj. Ndërsa për gruan në art, unë do ta quaja privilegj, luks. Familja luan rolin kryesor në këtë mundësi, pasi të merresh me pikturë është jo vetëm kosto financiare, por edhe kosto familjare, kërkon kohë të cilën ma jep familja”.
-Në përpjekjet tuaja në rrugën e vështirë të artit, keni menduar ndonjëherë se po të ishit burrë do ta kishit më të lehtë për të realizuar vetveten?
“Në asnjë moment nuk e kam menduar një gjë të tillë. Asnjëherë nuk më shkuar mendja ta them një gjë të tillë, sepse burrat nuk e kanë privilegjin që ta ndjejnë jetën brenda trupit të tyre, që është një ndjesi e jashtëzakonshme. Ndërsa për anën profesionale, do të thosha që unë hyj në garë si e barabartë. Zoti na e ka falë trurin të gjithëve njëlloj. Unë nuk kërkoj privilegje apo lëshime sepse jam femër, por në të njëjtën kohë nuk pranoj as nënvlerësim”.
-Si e ndien veten një artiste në realitetin shkodran?
“Mediokriteti është gjëja më e keqe që po e mbyt qytetin tonë. Është mbushur me art komercial. Gjithçka po shkon në një “zbukurim muri që shkon me perden”. Ndërkohë. arti dhe artistët e kanë detyrë që të shkojnë më tej. për kultivuar të bukurën në art dhe për të shpalosur diferencën e thellë mes profesionales e profanes”.
-A ndihet e paragjykuar një grua në art?
“Unë personalisht as nuk e dëgjoj, as nuk e shoh, por eci përpara. Mediokriteti po na zë frymën. Kjo me keqardhje ndodh edhe tek të ashtuquajturit intelektualë”.
-Arti për ju është pasion, apo mundësi për të rritur të ardhurat e familjes?
“Sigurisht është vetëm pasion, nuk bëhet fjalë për të ardhura financiare. Unë vij nga një familje me tradita për qytetin dhe mundohem ta mbaj këtë stafetë me mënyrën time”.
-Si nisi lidhja juan me pikturën?
“Kam qenë shumë e vogël kur nisa të pikturoj, edhe pse në familje nuk kam pasur piktorë. Kam pasur fatin e madh jo vetëm unë, por edhe Shkodra që patëm një piktor të madh si Danish Jukniu. Fatmirësisht, prof. Danishi ishte pedagogu im personal, i cili jo vetëm zbuloi dhuntinë time për të pikturuar, por edhe më ndihmoi në rrugën time të gjatë, të mundimshme, por dhe të bukur të pikturës”.