E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa shenja gishtash

Autoritetet e drejtësisë britanike kanë mbetur të çuditur nga fakti se Prokuroria Shqiptare nuk zotëron shenjat e gishtërinjve të Ilir Kumbaros, ish-oficerit të SHIK-ut, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi është duke u gjykuar në Tiranë për akuzën e rrëmbimit dhe torturës me pasoja të rënda në bashkëpunim. Personi i kapur në Londër, që mendohet se është Ilir Kumbaro, vazhdon të kundërshtojë këtë gjë dhe të pretendojë se është një shqiptar etnik nga Kosova. Ndërsa procesi i nisur për masën ndaj të dyshuarit si Ilir Kumbaro duhet të mbyllet më datë 26 nëntor të këtij viti, kur gjykatësja Daphine Wickham duhet të japë një vendim se çfarë do të bëhet me të pandehurin. Prokuroria angleze u ka kërkuar homologëve shqiptarë që të bëjnë identifikimin e personit që paraqitet me identitetin Shaqja Shatri, por pala shqiptare nuk ka asnjë të dhënë për Kumbaron, përveç një fotografie të vjetër të tij. Veçanërisht mungesa e shenjave të gishtërinjve për një person, i cili ka shërbyer për shumë vjet edhe si oficer i shërbimeve sekrete, ka shtuar habinë e anglezëve, që të gjendur në këto kushte, do të duhet ta zgjidhin vetë lëmshin e identitetit të të pandehurit.

Kontrolli i banesës

Policia britanike ka kryer dy ditë më parë një kontroll në banesën e Ilir Kumbaros që ndodhet në zonën e Fulham. Ata janë përpjekur të gjejnë dokumente që do të zbardhin identitetin e vërtetë të të quajturit Shaqja Shatri. Në banesë në momentin e kontrollit kanë qenë bashkëshortja dhe djali i të pandehurit, të cilët kanë pretenduar se nuk e njohin Ilir Kumbaron dhe se nuk kanë lidhje me të. Por gjatë kontrollit, policia ka arritur të gjejë një certifikatë personale të djalit, që mbante emrin Ervin Kumbaro dhe që rezulton se është djali i të kërkuarit Ilir Kumbaro. Po ashtu, në bashkëpunim me Prokurorinë Shqiptare, e cila ka mundur të sigurojë foto të bashkëshortes së Kumbaros, është arritur të verifikohet se edhe gruaja që u gjend në banesë është bashkëshortja e të kërkuarit nga drejtësia shqiptare. Bazuar mbi provat që ka gjetur në banesë, prokuroria angleze ka kërkuar më shumë materiale nga ana e organit të akuzës shqiptare. Këto materiale duhet të dërgohen brenda datës 26 nëntor, kur do të jepet edhe vendimi i gjykatës.

Si mbërriti në Angli

Në vitin 1998, në portin e Doverit në Britaninë e Madhe ka mbërritur një person, që është paraqitur tek autoritetet angleze si shtetas jugosllav me kombësi shqiptare. Ai kishte me vete një kartë identiteti me emrin Shaqja Shatri, i datëlindjes 15 prill 1945. Në intervistimin që i është bërë nga autoritetet, ai ka arritur të kalojë me sukses 100 pyetje që i janë bërë lidhur me vendlindjen e tij të deklaruar, pra me Kosovën. Nga suksesi i kalimit të këtij testi, duket se ka përfituar për ecurinë e mëtejshme të legalizimit të vet i dyshuari si Ilir Kumbaro. Dy vjet më pas, në vitin 2000, atij i është garantuar leja e qëndrimit dhe ka fituar qytetarinë britanike.

Pretendimi dhe provat

Shaqja Shatri gjatë marrjes në pyetje në gjykatën e Londrës, është shprehur se bëhet fjalë për një ngatërrim identiteti dhe se ai nuk ka fare të bëjë me Ilir Kumbaron. Pikërisht lidhur me këtë, autoritetet britanike kanë kërkuar ndihmën e prokurorisë shqiptare, e cila duket shumë jashtë loje në këtë moment. Mungesës së shenjave të gishtërinjve të njërit prej të akuzuarve kryesorë për rrëmbimin dhe torturimin e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha në vitin 1995, i shtohen edhe një sërë boshllëqesh të tjera, lidhur me identifikimin e këtij personi. I vetmi element që ka prokuroria, është një fotografi e vjetër e Kumbaros. Ndërkaq, autoritetet angleze kanë saktësuar edhe një tjetër element të rëndësishëm. Shaqja Shatri është provuar se ka qenë dy herë në Shqipëri, pas vitit 1998, çka do të thotë se, nëse ai është vërtet Ilir Kumbaro, atëherë ish-oficeri i SHIK-ut ka vizituar vendlindjen pak vite më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›