OSBE kritikon LSI-në
Lëvizja Socialiste për Integrim mori dje një goditje të fortë nga OSBE-ja. Kryetari i Pranisë së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Robert Bosh ishte dje mjaft i qartë te kundërshtia e shprehur ndaj qëndrimeve të LSI-së, madje edhe simpatizantëve të saj, që protestuan dje përpara zyrave të OSBE-së në mbrojte të votës së lirë dhe kundër, siç thotë LSI-ja, pazarit mes dy partive të mëdha. “Unë e di që zakonisht turmat kanë të drejtë, por në këtë rast jo”, - u shpreh kreu i OSBE-së, Robert Bosh. Deklarata e tij është mjaft e ashpër nisur nga mënyra e shprehjes së qëndrimit të OSBE-së, aq më tepër përpara turmës së njerëzve, që kërkonin mbështetjen e këtij organizmi ndërkombëtar. Por Bosh sqaroi edhe argumentet se përse kundërshtia e LSI-së dhe e simpatizantëve të saj nuk qëndron. Sipas tij, OSBE-ja nuk mund të ndërhyjë në vendimet e marra nga parlamenti. “Sigurisht në një demokraci ka një parlament. Kur parlamenti merr një vendim në mënyrë demokratike, nuk mund të protestojmë kundër asgjëje”, - tha Bosh. Pra, si në rastin e ndryshimeve kushtetuese, ashtu edhe për çështjen e kodit të ri zgjedhor, duket se ndërkombëtarët nuk janë në një mendje me LSI-në, një nga forcat politike më të ashpra kundër të dyja çështjeve. Sipas OSBE-së, nuk ka asnjë shkelje ligjore, e nëse parlamenti jep verdiktin me shumicën e kërkuar të votave, atëherë nuk mund të protestohet për asgjë. Domosdoshmëria qëndron në faktin e zbatimit të rregullave kushtetuese dhe të rregullores së Kuvendit. Në rastin e ndryshimeve kushtetuese, pavarësisht kundërshtive të shprehura, nuk doli në pah asnjë shkelje ligjore. Edhe në rastin konkret, atë të hartimit të kodit të ri zgjedhor, po vazhdon puna në komisionin e posaçëm parlamentar. Ndonëse ka vonesa, nuk ka shkelje të procedurave të domosdoshme. Po ashtu, edhe në rastin e votimit të këtyre ndryshimeve në Kuvend, edhe me pakënaqësinë e ndonjë partie nuk ka asgjë joligjore. Për këtë, mesazhi i dhënë nga Bosh ishte i qartë. Gjithsesi, veç qëndrimeve kundërshtuese, ai shprehu edhe qëndrime të përbashkëta me LSI-në. E tillë ishte deklarata në mbështetje të përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me 9 anëtarë. Protesta e simpatizantëve të LSI-së përpara selisë së OSBE-së, u zhvillua pas mbledhjes së Konventës së Jashtëzakonshme të kësaj partie. “E kemi paralajmëruar me shumë seriozitet dhe përgjegjësi, se Shqipërisë e shqiptarëve u kanoset një rrezik i madh, me paktin e errët mes Ramës dhe Berishës”, - u shpreh Meta. Sipas tij, ky pakt ka si qëllim grabitjen e pronës së shqiptarëve. LSI-ja është e bindur se dy partitë e mëdha po kërkojnë të vjedhin votën e shqiptarëve. Kjo parti, e mbështetur edhe nga PS 91, pritej të vijonte më tej protestat, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo do të realizohet pas “goditjes” së marrë nga OSBE-ja.