"Vrau" biznesmenin e floririt, Kushtetuesja e rikthen për gjykim
Elton Bazelli akuzohet se në vitin 2004, vrau biznesmenin e floririt, Elton Carciu
TIRANË- Në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, prokuroria e kryeqytetit dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të Elton Bazellit, i akuzuar për "vrasjen e mbetur në tentativë" ndaj një biznesmeni floriri Elton Çarçiu, si dhe "falsifikimit të dokumenteve".
Sipas kërkesës për gjykim që tashmë është depozituar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, i pandehuri Bazelli është dënuar kohë më parë me 15 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, vendim ky që më pas është lënë në fuqi edhe nga Apeli i këtij institucioni, por, që dy vendimet më pas janë prishur nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas dosjes me nr.1834 i pandehuri Bazelli është deklaruar fajtor dhe dënuar me 15 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me 11 prill 2005, për akuzat e "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave" të mbetur në tentativë; "Mbajtjes pa leje të armëve luftarake" dhe "Falsifikimit të akteve të gjendjes civile".
Më pas më 15 qershor 2005 ka qenë Gjykata e Apelit pranë Krimeve të Rënda e cila ka lënë në fuqi vendimin e dhënë me 15 vjet burg. Ky vendim është bërë rekurs pranë Gjykatës së Lartë, ku dhoma e këshillimit më 28 prill 2006 ka vendosur të mos pranojë shqyrtimin e këtyre vendimeve të dënimit.
Por, duke pretenduar për shkelje avokatët e Bazellit e dërgojnë dosjen pranë Gjykatës Kushtetuese, e cila më 23 prill 2009 vendosi prishjen e vendimeve të dy shkallëve të gjyqësorit, me argumentimin se nuk ishin kompetente për gjykimin e kësaj dosje, dhe urdhëroi që dosja të rigjykohet në Gjykatën e Shkallës së Parë. Tashmë dosja do të gjykohet nga treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Petrit Çomo.
Sipas akuzës, i pandehuri Elton Bazelli më 30 prill 2004 pas disa kontradiktave dhe debateve mes tij dhe pronarit të një argjendarie në rrugën "Sabaudin Gabrani" shtetasit Elton Çarçiu, duke qëlluar ndaj këtij të fundit me pistoletë.
Të shtënat e drejtuar ndaj tij kanë ndodhur në po të njëjtën rrugë ku biznesmeni Çarçiu kishte argjendarinë, duke rrezikuar edhe jetë të tjera të kalimtarëve të ndryshëm.
Si pasojë e goditjeve të marra, biznesmeni Çarçiu ka mundur t'i shpëtojë vdekjes, duke identifikuar më pas autorin e tentimit të vrasjes, të cilin policia e arrestoi dy vite pas ngjarjes.