Rama: Statusi për ne nuk është pjesë e lojës politike
Kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, është shprehur se opozita i ka kryer të gjitha detyrat e saj, në shërbim të integrimit të vendit. Por, sipas Ramës, ky proces ka ngecur pikërisht për faj të qeverisë së drejtuar nga Berisha, që nuk ka përmbushur detyrimet e saj.
“Integrimi europian përbën një angazhim prioritar për opozitën. Ne dhamë një shembull europian në hartimin e amendamenteve për Kodin Penal. Kontributi ynë është përshëndetur miqësisht nga faktori ndërkombëtar. Roli i opozitës është cilësuar nga ata si shumë i vyer.
Fatkeqësisht, ata që nuk e shohin dot këtë realitet, janë kundërshtarët tanë politikë, sidomos kryeministri, që për të fshehur dështimin, hedh baltë ndaj opozitës, duke thënë se po pengon integrimin. Berisha e ëndërronte votën tonë kundër për të vijuar sulmet antiopozitare.
Ne kryem detyrën tonë si opozitë, por statusi nuk mund të merret nëse nuk plotësohen kushtet nga qeveria. Loja me opozitën është e vetmja që i ka mbetur Berishës për të fshehur dështimin e tij.
Të gjithë që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar, e kuptojnë se të gjitha detyrat e parealizuara për marrjen e statusit, kanë të bëjnë me qeverinë dhe jo me opozitën.
Statusi i vendit kandidat është aty, por në fillim vjen Kuvendi, pastaj qeveria dhe më pas opozita, për plotësimin e kushteve. Ne do të bëjmë çështë e mundur për marrjen e statusit dhe për integrimin sa më shpejt të Shqipërisë në BE. Për ne, statusi kandidat nuk është pjesë e lojës politike dhe pjesë e përpjekjeve të brendshme në vend. Këtë gjë ia kam thënë edhe komisionerit Stefan Fyle. Por, shqiptarët janë privuar nga ana e statusit, për shkak të mospërmbushjes së kushteve nga ana e qeverisë: lufta kundër krimit, lufta kundër korrpsionit, lufta për një sistem drejtësie që jep drejtësi”, tha Rama.