Topi i përgjigjet ashpër Berishës: Jep shpjegime për fotot me anëtarët e Byrosë Politike. Po të hapen dosjet, do shihni çudira
Presidenti sulmon ashpër kryeministrin: Ke 22 vjet që mashtron të përndjekurit dhe pronarët. Je anëtar e sekretar partie që nga viti 68. Topi sulmon edhe Ilir Rusmalin dhe thekson se është për hapjen e dosjeve: Do të shihni çudira
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka reaguar ashpër pas sulmeve që i ka bërë së fundmi kryeministri Sali Berisha. Topi tha se ai e ka kthyer ligjin e lustracionit pasi ishte antikushtetues. Por Topi shtoi se në vitin 2006 ka sjellë një projektligj, që nuk u miratua nga Berisha. Unë kam ruajtur një profil institucional dhe nuk jam marrë me ta. Por një përgjigje për kryeministrin e kam. Ky është një ligj që është kthyer si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese, është një ligj që mori kontestim të ashpër nga Komisioni i Venecias dhe partnerët ndërkombëtarë. Unë në vitin 2006 së bashku me zotin Majko kam sjellë një projektligj, që nuk u miratua asnjëherë nga parlamenti shqiptar. Ai ligj mund të miratohej dhe nuk do ishte në shkelje të Kushtetutës, tha Topi.
Më tej presidenti tha se Berisha duhet të japë shpjegime për polifotot e tij me anëtarët e Byrosë Politike. Ai sulmoi ashpër edhe kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali.
Njeriu që akuzon duhet të japë shpjegime për polifotot me anëtarët e Byrosë Politike. Është hipokrizi që në krye të Komisionit të Ligjeve është pasardhësi i një personazhi të nomenklaturës së lartë. Berisha ka 22 vjet që bën përralla me antikomunizmin, tha Topi.
Njësoj si Besnik Mustafaj, edhe Topi e akuzon Berishën se nuk ka lidhje me realitetin. Topi tha se Berisha po tallet me pronarët dhe të përndjekurit. Pra ky personazh është bërë iluzionist, është bërë si David Koperfildi, thotë do u kthej pronat, nuk ua kthen, thotë do dëmshpërblej të përndjekurit, nuk e bën. Ka 7 vjet që është në pushtet dhe nuk e bën. Nga viti 68 është anëtar partie, sekretar partie dhe ka 22 vjet nuk i kompenson, pra ku qëndron e vërteta. Unë jam për hapjen e dosjeve. Nëse do hapen dosjet, shqiptarët do shohin çudira, tha Topi.