Ikja e parasë, kompanitë e huaja trefishojnë sasinë e valutës që largojnë
vendeve të origjinës valutën e fituar në Shqipëri. Sipas raportit më të fundit të BSH-së, gjatë vitit 2009 sasia e valutës që është larguar nga Shqipëria nga kompanitë e huaja që zhvillojnë aktivitet këtu është trefishuar. “Kompanitë e huaja, që kanë kryer investime në Shqipëri, transferuan gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2009, 234 milionë euro fitime me një rritje prej 35 përqindësh kundrejt së njëjtës periudhë të vitit 2008, duke sjellë edhe thellim të deficitit të bilancit të pagesave të vendit dhe presion nënçmues mbi monedhën kombëtare”, bëhet e ditur nga statistikat e publikuara nga BSH-ja.
Transferimi i fitimeve
Transferimi i fitimeve nga Shqipëria duket se është trefishuar në vitin 2009, në krahasim me një vit më parë, ndërkohë që ekonomia botërore dhe ajo shqiptare ishte në krizë. Gjatë së njëjtës periudhë, për shkak të transferimit të fitimeve nga investimet e huaja, por edhe nga faktorë të tjerë, leku shqiptar humbi rreth 12 për qind të vlerës kundrejt euros dhe dollarit. Investimet e huaja në Shqipëri erdhën gjatë dekadës së fundit veçanërisht përmes privatizimeve të sektorit strategjik, ndërsa suksesi i tyre ekonomik u garantua nga sjellja miqësore e qeverisë kundrejt tyre, si dhe nga prapambetja institucionale e Shqipërisë. Pas disa vitesh ekspansioni në telekomunikacion, banka, sigurime e aktivitete të tjera, ishte e sigurt që kompanitë e huaja do të fillonin të vilnin frytet e investimeve të tyre. Ekspertët besojnë se kriza financiare ndërkombëtare e përshpejtoi procesin e tërheqjes së fitimeve për shkak se kompanitë mëmë në vendet europiane qenë në vështirësi financiare për vete. Sipas të dhënave të BSH-së, viti 2008 shënoi një rritje të transferimeve të fitimeve me rreth 340% në krahasim me 2007-n, teksa kompanitë çuan në vendet e tyre të origjinës fitimet e viteve të mëparshme (pjesën kryesore e zinin fitimet e kompanive celulare dhe të bankave, të cilat zotëronin norma të larta fitimi, rreth 20-30% për bankat dhe deri në 50% për kompanitë celulare). E njëjta situatë vazhdoi dhe në vitin e kaluar, me transferimin e fitimeve të 2008-s (të dhënat tregojnë se për 9-mujorin 2009, shuma e dërguar te kompanitë mëmë ishte rreth 35% më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë). Ndonëse viti i kaluar ishte i vështirë, sërish parashikimet janë që investimet e huaja do të vijojnë të tërheqin fitime gjatë 2010-s, në mënyrë që të mbështesin kompanitë mëmë në kohë të vështira. Fitimet e kompanive private kanë rënë në vitin e kaluar, megjithatë ato mbeten të konsiderueshme.
Ndikimi te kursi
Leku shqiptar ka pasur qëndrueshmëri të habitshme gjatë pesë viteve, nga 2004 deri më 2008, kryesisht për shkak se investimet e huaja në këtë periudhë kanë qenë të konsiderueshme. BSH-ja u detyrua në shumë raste gjatë kësaj kohe të blinte valutë në treg, me qëllim që të shmangte forcimin e mëtejshëm të lekut. Situata duket se u përmbys në vitin 2009, por kompanitë e huaja që veprojnë në Shqipëri morën porosi nga kompanitë mëmë të riatdhesojnë fitimet. Për pasojë, leku u zhvlerësua. Investitorët e huaj dalin të humbur nga zhvlerësimi i lekut, gjë që i shtyu ato të ndjekin këshillën e BSH-së për të grumbulluar valutë në mënyrë graduale. Megjithatë, investimet e huaja në vetvete janë një lloj borxhi që një ditë duhet të paguhen. Ato kanë sjellë zhvillim ekonomik dhe teknologjik në Shqipëri, por kanë krijuar edhe detyrime që vendi do të duhet t’i shlyejë shumëfish në vitet të ardhshme. Për disa ekspertë, politikat e qeverive shqiptare gjatë dekadës së fundit po sjellin atë që ishte paralajmëruar prej kohësh: privatizimet e pamenduara dhe të palogjikshme kanë sjellë pak vlerë të shtuar për vendësit dhe shumë detyrime.
16 Shkurt 2010