E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve miraton kompensimin me këste të ish-pronarëve



Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi gjatë mbledhjes së djeshme projektligjin për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave. Pavarësisht se ky projekt është kundërshtuar ashpër nga shoqata e ish-pronarëve anëtarët demokratë të këtij komisioni votuan pro projektit duke i hapur rrugën kompensimin financiar me kestë të pronarëve të ligjshëm të tokave. I pranishëm në mbledhjen e djeshme të komisionit të ligjeve ishte Drejtori i Agjencisë së Pronave, Elvis Çefa. Ai bëri të ditur se projekti synon krijimin e një fondi special për kompensimin e pronarëve. Paratë për këtë fond do të mblidhen jo vetëm nga buxheti i shtetit në çdo fillim viti por edhe nga burime të tjera. “Qëllimi i ndryshimeve ka të bëjë me faktin që fondet për kompensimin financiar të mos digjen për shkaqe afatesh, por të qëndrojnë gjithnjë në llogari të AKKP-së për t’u përdorur në çdo kohë për kompensim financiar”, tha drejtori i AKKP-s, Çefa. Ai shtoi se gjatë këtij viti, krahas fondeve të parashikuara në buxhetin e shtetit për kompensimin e ish-pronarëve, do të vijnë edhe fondet nga privatizimet strategjike, nga Agjencia e Legalizimeve si dhe nga forma të tjera të parashikuara. Në këtë mënyrë, ish-pronarët do të kenë në dispozicion fondin më të madh që kanë pasur për këtë vit.
Kundërshtimi
Ndërkaq shoqata e pronarëve të ligjshëm ka kundërshtuar miratimin e këtij projekti duke i bërë thirrje qeverisë që ta shfuqizojë këtë draft. Ish-pronarët kundërshtojnë mënyrën e kompensimit financiar të subjekteve të shpronësuara nëpërmjet dhënies me këste të parave që u takojnë. Mbi bazën e këtij vendimi kompensimi në lekë për ish-pronarët do të realizohet nga qeveria me skemën me këste, dhe jo njëherësh. Projektligji "Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave", i miratuar dje në komisionin e ligjeve vendos që ndryshe nga herët e tjera, ish-pronarët nuk do të kompensohen financiarisht menjëherë, por mbi bazën e afateve të ndryshme kohore. Do të jetë Ministria e Financave që do të përcaktojë afatet dhe modalitetet. Kështu është përcaktuar në Nenin 6, pika 1 dhe 2 të këtij projektligji në lidhje me shpërndarjen e fondit të kompensimit. Një gjë e tillë sanksionohet edhe për ish-pronarët, të cilët përfitojnë kompensim financiar nga shteti si pjesë e procesit të legalizimit të zonave informale. "Në bazë të arkëtimit të të ardhurave sipas shkronjës "c", të pikës 1, të Nenit 3 të këtij ligji, Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Financave, miraton shumën në dispozicion të pronarëve, të parashikuar në pikën 2 të Nenit 5 të këtij ligji dhe shtrirjen kohore të përfitimit të kësaj shume. Pjesa e mbetur e fondit të kompensimit përdoret për kompensimin e subjekteve të parashikuara në pikën 1 të Nenit 5 të këtij ligji, në periudha të ndryshme kohore gjatë vitit, në varësi të të ardhurave që gjenden në fondin e kompensimit të pronave", - thuhet në pikat 1 dhe 2 të Nenit 6. Kriza ekonomike duket se ka ndikuar në vendimmarrjen e qeverisë, në mënyrë që të realizojë një shpërndarje të lekëve me formën e kësteve për ish-pronarët. Ish-pronarët kërkojnë shfuqizimin e këtij drafti duke kërcënuar qeverinë se do ta ankimojnë çështjen në Gjykatën e Strasburgut, gjykatë kjo që ka dhënë me dhjetëra vendime në favor të pronarëve shqiptarë, duke e detyruar qeverisë t’i dëmshpërblejë ato me shifra shumë më të mëdha.

Fondet për kompensimin financiar të pronarëve për vitin 2010-n

Sipas parashikimeve buxhetore, fondet për dëmshpërblimin e ish-pronarëve dhe të përndjekurve do të vijnë në rritje deri në vitin 2012. Për vitin 2010 fondi i kompensimit për ish-pronarët do të jetë 700 milionë lekë ose rreth 7 milionë dollarë. Ndërsa për vitin 2011, niveli i shpenzimeve për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve është parashikuar që të jetë gati 1.2 miliard lekë. Për vitin 2012 fondi është parashikuar të jetë 1.7 miliard lekë. Nga ana tjetër, gjatë vitit 2010 do të përdoren fondet e privatizimit të OSSH-së. Ky operator u privatizua për 100 milionë euro dhe qeveria vendosi që 10 milionë euro të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve. Këto fonde do të jenë të gatshme për t’u përdorur që këtë vit. Nga ana tjetër, pritet që brenda këtij viti të privatizohet edhe kompania e sigurimeve INSIG, ku 10 për qind të fondeve të privatizimit do të kalojnë për llogari të ish-pronarëve. Nga ana tjetër, një sasi parash do të vijnë nga Agjencia e Legalizimeve. Deri tani janë mbledhur më shumë se 2 miliardë lekë të reja ose më shumë se 20 milionë dollarë, të cilat do të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve. ALUIZNI do të rrisë fondin e tij në vijueshmëri dhe ish-pronarët e prekur nga procesi i legalizimeve do të kompensohen financiarisht nga fondi që po krijohet për ta. Njëkohësisht, krahas kompensimit financiar, pritet që gjatë vitit 2010 të fillojë edhe kompensimi fizik, por edhe kthimi fizik i pronës në të gjitha rastet e mundshme. Deri tani është krijuar një fond modest për kompensimin fizik për ish-pronarët, si rreth 200 objekte, pyje si dhe kullota.

Pronat pritet të nisë së shpejti rishikimi i vendimeve

Ligji për disa ndryshime në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, i cili u miratua në Kuvend, pritet që të hyjë në fuqi së shpejti e më pas Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të nisë zbatimin e tij. Ky ligj parashikon që vendimet e dhëna në vit mund të rishikohen nga AKKP-ja dhe të ndryshohen ato nëse janë dhënë abuzivisht. Nga ana tjetër, të prekurit mund të ankohen në gjykatë. Ligji i ka dhënë të drejtën AKKP-së që të shqyrtojë vendimet e dhëna në vite nga zyrat rajonale, ish-komisionet vendore etj. Vetë projektligji përcakton se një gjë e tillë është vendosur për shkak të abuzimeve që janë bërë me pronësinë. Sipas projektligjit, një rivendim i AKKP-së e bën të pavlefshëm vendimin e dhënë për një tokë të caktuar nga ish-komisionet vendore të kthimit dhe kompensimit apo zyrave rajonale. Projektligji thotë se pas një indice që mund të ketë drejtori i përgjithshëm i AKKP-së, nis procedimin e verifikimit të ligjshmërisë së titullit të pronësisë. Pas verifikimit, AKKP-ja merr një vendim për lënin në fuqi të vendimit të mëparshëm që mund të jetë dhënë vite më parë ose e shfuqizon atë. Edhe në këtë rast, subjekti i prekur ka vetëm 1 muaj afat për dërgimin e vendimit në gjykatë.

16 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›