Tregu valutor, monedha kombëtare pëson tjetër zhvlerësim
Monedha kombëtare, leku ka pësuar një tjetër zhvlerësim në tregun tonë të këmbimit. Në agjencitë valutore, dollari blihet me 101.6 lekë dhe shitet me 102.1 lekë, ndërsa euro këmbehet me 138.4 lekë në blerje dhe me 139.9 lekë në shitje. Zhvlerësimit i lekut vijon tashmë prej disa javësh dhe është pasojë kryesisht e mungesës së valutës në treg. Rënia e kostos së monedhës kombëtare rëndon klientët e bankave që kanë marrë kredi në euro dhe të ardhurat i kanë në lekë, pasi ata do të paguajnë më shumë, pasi normës së interesit i shtohet edhe kosto e transaksionit. Pasojat e zhvlerësimit të lekut do të ndihen edhe në tregti, pasi pritet rritje e importeve dhe rrjedhimisht, edhe çmimeve në treg.
Rruga Fushë Krujë- Lezhë: Kompanitë ndërpresin punimet, s’ka para
E përcaktuar fillimisht për tu zgjeruar dhe për tu bërë me 4 korsi, tani rruga Fushë Krujë-Lezhë e njohur dhe si “aksi i vdekjes” (për numrin e lartë të aksidenteve), është në ditët më të këqija. Një vendim i papritur i qeverisë për ta zgjeruar rrugën edhe me nga një korsi, të paktën nga Fushë Kruja deri në afërsi të urës së Matit, aty ku rruga merr dhe degëzimin për në Milot për të vijuar drejt Kukësit dhe Kosovës, ka bërë që punimet të mbeten në mes. Firmat e ndërtimit mësohet që prej disa muajsh i kanë ndërprerë punimet prej mungesës së fondeve, që duhet tu ishin akorduar nga Ministria e Transporteve. Kjo e fundit duket se nuk e kishte parashikuar që në fillim fondin shtesë, në një kohë që rruga nga 4 do të bëhet me 6 korsi dhe me ndarje në mes. Por punimet në këtë aks kanë vijuar me ritme tepër të ulëta dhe në mjaftë vende rruga në vend që të rregullohej është shkatërruar më keq duke e bërë udhëtimin nga Fushë Kruja në drejtim të Lezhës dhe Shkodrës një torturë të vërtetë. Vende, vende, rruga është shumë e dëmtuar në transenë e saj pasi firmat ndërtuese e kanë lënë atë të papërfunduar, duke bërë që automjeteve tu shkaktohen mjaftë vështirësi për të përshkuar këtë segment rrugor. Ndërkohë, shirat e muajve të fundit e kanë degraduar mjaftë situatën në këtë aks, pjesë e Durrës-Kukës-Morinë, duke bërë që shpenzimet për ta riparuar të jenë edhe më të larta. Nga ana tjetër edhe pse rruga është parashikuar që të zgjerohet deri në Lezhë, nuk dihet akoma se cilat do të jenë afatet përfundimtare të saj, pasi një gjë e tillë është lënë e papërcaktuar.
Skema e pensioneve private, vitin e kaluar tregu u rrit me 15 për qind
Pesë vite pas krijimit, tregu i skemave private të pensioneve vijon të jetë i papërfillshëm për nga numri i kontribuuesve dhe nga arkëtimet, bëhet e ditur nga të dhënat statistikore të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Deri në fund të vitit 2009, vetëm 4429 shqiptarë ishin kontribuues në tre skemat e pensioneve suplementare, të cilat menaxhohen nga kompanitë private, shifër kjo që përbën pak më shumë se 1 për qind të numrit total të të punësuarve në sektorin jobujqësor në Shqipëri. Vitin e kaluar u shënua një rritje prej 15 përqindësh në numrin e kontribuuesve kundrejt vitit 2008, kur qenë vetëm 3861 vetë. Kompanitë e pensioneve private patën të ardhura të përgjithshme prej 73 milionë lekësh (rreth 530 mijë euro). Me një nivel të tillë kontributesh, tregu mund të quhet i papërfillshëm. “Tregu i pensioneve vullnetare mbetet ende një treg i vogël, parë ky si nga këndvështrimi i kontributeve dhe nga numri i kontribuuesve”,- thotë AMF-ja në raportin e saj. Skemat suplementare private të pensioneve grumbullojnë kontribute nga njerëzit që dëshirojnë të marrin pjesë në to dhe i investojnë këto kontribute në mënyrë që të marrin interesa. Në vendet perëndimore, pensionet private funksionojnë si skema publike kursimi, ku ofrohen fitime shumë të mira në krahasim me skemat publike të pensioneve. Shqipëria ka një treg financiar të pazhvilluar. Mungesa e bursës bën që kontributet e mbledhura nga skemat e pensioneve të investohen të gjitha ose në depozita bankare ose në bono thesari të qeverisë. Skema të tilla të thjeshta kursimesh mund të zbatohen nga shqiptarët edhe pa nevojën e kompanive të menaxhimit të pensioneve private.
16 Shkurt 2010