E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmenden çmimet e ushqimeve, rritje për çdo produkt me 30 lekë

Referencat doganore dhe luhatjet e kursit të këmbimit, shkaku i rritjes së çmimeve

Ervin KOÇI

Varfëria po u “bie kambanave” për shqiptarët! Është shënuar e disata javë që në tregjet e vendit çmimet e artikujve ushqimorë po pësojnë rritje e cila nuk po ndalet. Vetëm dje pas një vëzhgimi të shkurtër bërë nga gazeta “Albania”, konstatuam një rritje nga 20-30 lekë për çdo artikull ushqimor. Dhe nuk bëhet fjalë për artikuj luksi, por për ushqimet dhe mallrat e konsumit të përditshëm, të njohura rëndom edhe si “artikujt e shportës” për të cilat dhe shteti duhet të ndërmarrë masa mbrojtëse ose subvencionuese. Por ndërkohë që kemi renditur një listë të gjatë me çmimet e produkteve që janë rritur me disa dhjetëra lekë, të vetmen përgjigje që kemi marrë për pyetjen “përse janë rritur çmimet”, ka qenë ajo e tregtarëve: “të gjitha do të rriten akoma”. Nga ana tjetër konsumatorët edhe pse nuk pajtohen aspak me çmimet e rritura që po vijojnë shtrenjtimin dita-ditës, vazhdojnë sërish kokë ulur të blejnë, por gjithmonë e më pak. Përveç prodhimeve bujqësore që janë shtrenjtuar që në fund-vitin e kaluar, edhe shumë artikuj të tjerë ushqimorë importi por edhe vendas janë shtrenjtuar. Mielli, sheqeri, orizi, vaji, kripa e jonizuar, makaronat, mishi, vezët, bulmeti, sapuni dhe të gjitha detergjentet larëse kanë pësuar një rritje me deri 20 apo 30 lekë më shumë. Po kështu janë rritur edhe pijet freskuese, ushqimet e fëmijëve të vegjël dhe produktet hijeno-sanitare. I gjithë shtrenjtimi i faturohet në fund konsumatorëve të cilët duhet të përballojnë shtrenjtimin e nivelit të jetesës me të njëjtat burime të ardhurash si më parë.

Rritja e taksave
Tregtarët vendas e justifikojnë rritjen e produkteve ushqimore me faktin se në treg nuk ka prodhim vendas, ndërsa mallrat e importit kanë çmime tepër të larta. Sipas tregtarëve të shumicës dhe importuesve tarifat e larta të zhdoganimit për këto produkte janë shkaku i kësaj rritjeje çmimesh. Nga krahu tjetër sipas importuesve luhatjet e kursit të këmbimit janë një tjetër shkak i rritjes së çmimeve për produktet bujqësore të importit. Importuesit thonë se çmimet e referencave janë shumë të larta. Ata deklarojnë se çmimet e referencave shkojnë disa fish më shumë sesa çmimet me të cilat ata blejnë këto produkte. Por kjo gjë nuk pranohet nga Doganat, të cilat thonë se me një pjesë të vendeve Shqipëria ka marrëveshje të tregtisë së lirë dhe sidomos për produktet ushqimore për të cilat tarifat doganore janë zero.

Inflacioni
Banka e Shqipërisë rrezikon që në vitin 2010 të humbasë bastin e inflacionit. Janari, sipas raportimit më të fundit të INSTAT, edhe pa u llogaritur rritja e çmimit të energjisë elektrike ka regjistruar një normë inflacioni 3.6 për qind. Kjo shifër është shumë afër objektivit të bankës që është 4 për qind. Çmimet e mallrave që prej shtatorit 2009 kur inflacioni ishte vetëm 2 për qind kanë ardhur gjithnjë e në rritje. Kjo ka vështirësuar vazhdimisht pozicionin e konsumatorit përballë tregjeve, si të ushqimeve ashtu dhe të artikujve të tjerë. INSTAT-i ka bërë me dije se llogaritja e çmimit të energjisë në normën e inflacionit do të bëhet muajin që vjen pasi edhe faturat e energjisë së janarit paguhen në shkurt. Çmimet e mallrave të konsumit vazhdojnë të rritën me ritme të shpejta ndërkohë që qytetarët janë të detyruar të përballen nga muaji në muaj me rritje të kostos së jetesës. Për çdo muaj që kalon shqiptarët duhet të nxjerrin më shumë para nga xhepi për të blerë të njëjtin produkt. Në fakt, sipas të dhënave zyrtare çmimi i mallrave të konsumit prej disa muajsh njeh vetëm rritje që prej fillimit të vitit 2009. Në mars 2009 ky tregues ishte 1.6 për qind duke dhënë alarmin për tkurrjen e aktivitetit ekonomike të vendit, gjatë verës pësoi një rritje relative duke u vërtitur rreth 2 për qind për të vijuar rritjen në muajt e vjeshtës.

BOX////////////////////////////////
Ekspertët: 2010-a një vit i vështirë për shqiptarët

2010-ta duket se nuk do të jetë një vit i mbarë për ata qytetarë të cilët kanë të ardhura të kufizuara për të bërë një jetë normale, por do të jetë i vështirë dhe për ata që duan të kursejnë sado pak nga rrogat e tyre. Të gjitha çmimet e produkteve ushqimore kanë shënuar një rritje galopante gjatë muajit janar dhe kjo tendencë do të vijojë edhe në vazhdim. INSTAT-i ka konstatuar se inflacioni në këtë fillim viti ka arritur në nivelin 3.6% shumë pranë limitit 4%, të lejuar nga BSH-ja. E thënë në vlerë absolute çmimet kanë shënuar rritje nga 20 lekë për produktet ushqimore e deri në mbi 100 lekë për zarzavatet. Qytetarët ankohen se me këto çmime menyja e tyre e tavolinës do të reduktohet ndjeshëm. Ajo çfarë parashikohet të ndodhë është se në muajin shkurt inflacioni do të vijojë të rritet për shkak edhe të reflektimit të tarifave të reja të energjisë elektrike. Nëse kësaj situate do t'i shtohen edhe pagesat që kryejnë qytetarët e pasiguruar për shërbimet spitalore, të cilat nuk janë të përfshira, atëherë norma e inflacionit do të ishte dhe më e lartë. Ndikim në këtë situatë ka dhënë forcimi i euros dhe çmimet e larta të importit. Tendenca e rritjes së inflacionit ka nisur që në muajin dhjetor, kohë e cila njihet si një periudhë që çmimet rriten në mënyrë artificiale për shkak të festave të fundvitit.

OSSH nis aksionin për të vjelë borxhet e vjetra

OSSH njofton se duke parë gjendjen e rënde financiare në të cilën gjendet, në njërën anë dhe nivelin e madhe dhe në rritje të borxheve që klientë të ndryshëm i kanë kompanisë, borxhe këto të cilat tashmë kanë kaluar shifrën 27 miliard lekë, ajo ka ndërmarrë një projekt të ri i cili do të merret vetëm me rritjen e nivelit të arkëtimeve të tanishme dhe atyre të prapambetura në gjithë territorin e vendit. Ky projekt do të merret me: 1) Njoftimin e abonentëve për borxhin. 2) Njoftimin për prerje në rast të mos shlyerjes së borxhit. 3) Prerjen e energjisë atyre abonentëve që kanë borxhe pasi nuk paguajnë energjinë. 4) Kontrollin e abonentëve që janë pa energji nëse ata kanë kryer rilidhje të paligjshme. 5) Denoncimin e lidhjeve të paligjshme në prokurori. 6) Shkëputjen e njëanshme të kontratës dhe të furnizimit me energji në momentin kur shterohen të gjitha mundësitë për arkëtimin e borxhit. Gjatë këtyre ditëve jemi duke u marrë kryesisht me klientë që janë rilidhur ilegalisht në rrjet pas ndërprerjes së energjisë për mos pagesë të borxhit, dhe të cilët do denoncohen në Prokurori në afatin më të shkurtër të mundshëm. Për këtë janë ngritur grupe të veçanta të cilët po bëjnë prerjen e debitorëve, rikontrollimin e tyre dhe denoncimet masive në prokurori të rasteve. Ky projekt do të vazhdojë të operojë në tërë vendin deri sa niveli i borxheve të kompanisë të arrijë tek kufijtë e përcaktuar nga kompania që janë të mbledhin seri në 10% i borxhit të tanishëm. Më poshtë po ju japim vlerat e borxheve të prapambetura që nga janari 2007 e deri në nëntor të vitit 2009 të ndara sipas zonave dhe objektivat që projekti i arkëtimeve dhe vetë zonat e OSSH-së kanë për të përmbushur. Ky projekt dhe njerëzit e angazhuar tek ai kanë gjithë përkrahjen e nevojshme të kompanisë dhe pronarit të ri të saj CEZ grup, duke sjellë përvojat më të mira, duke i pajisur ekipet me makina dhe pajisje të veçanta që nga muaji i ardhshëm dhe duke ofruar siguri dhe motivim maksimal të njerëzve në punë për të arritur qëllimet e përcaktuara nga kompania.

Borxhi i mbledhur deri më 31 dhjetor 2009
Zonat TOTALI (mld LEK) Objektivi (mld LEK)
ELBASAN 1,055 100
DURRËS 4,215 400
KUKËS 1,756 170
SHKODËR 3,238 300
BERAT 749 70
GJIROKASTËR 515 50
FIER 3,863 400
BURREL 1,652 160
TIRANË 10,187 900
KORÇË 460 40
TOTALI 27,689 mld LEK 2,590 mld LEK

Papajani: “Amnistia fiskale të përfshijë çdo sektor të ekonomisë”

Në kohën kur ka nisur të diskutohet gjerësisht nisma për një amnisti fiskale, si nga radhët e biznesit edhe nga qeveria, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajni, është i mendimit se me një projekt të tillë duhet bërë me kujdes, në mënyrë që të arrihet qëllimi. Sipas tij, “amnistia duhet të përfshijë çdo sektor dhe të jetë e mirë studiuar, në mënyrë që biznesi të stimulohet. Amnisti gjithëpërfshirëse do të thotë që, çdo biznes të zerohet nga detyrimet e prapambetura në vite dhe të stimulohet për të deklaruar pasuritë e fshehura”. Deklarimi i pasurive të fshehta do të thotë që biznesi të formatizohet dhe ky fakt do ta ndihmojë atë në marrëdhëniet me bankat, pasi në këtë mënyrë do të ketë më shumë kolateral për të marrë kredi. Skema që mendohet të aplikohet është ajo e Moldavisë. Ky shtet zbatoi dy vite më parë amnisti fiskale për biznesin. Por veç faljes së kamatave, u vendos një taksë prej 5% si penalizim që biznesi duhet të paguante për vlerën e aseteve që do të legalizonte.

16 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›