Deputetët e PS lajmërohen me sms: Do vazhdojë bojkoti parlamentar
Partia Socialiste vazhdon bojkotin parlamentar. Deputetët e PS janë lajmëruar dje me telefonata e sms se në seancën e sotshme nuk do të marrin pjesë për të vazhduar kështu presionin ndaj mazhorancës që të pajisen qytetarët pa pasaporta me karta identiteti falas. PS kërkon nga mazhoranca që të pajiset me karta identiteti falas ajo kategori qytetarësh që nuk ka pasaportë, dhe që varfëria ua bën të pamundur pajisjen me karta identiteti. Për këtë arsye sot pritet që deputetët e PS të mbërrijnë në sallën e Kuvendit për të qëndruar vetëm pak minuta, aq sa kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj, të lexojë një deklaratë, dhe më pas do të largohen nga salla e Kuvendit. Ata do të vazhdojnë largimin nga seancat plenare, megjithëse krerët e opozitës nuk duan ta konsiderojnë bojkot të parlamentit këtë qëndrim. Një javë më parë, deputetët e PS braktisën seancën parlamentare pikërisht për çështjen e kartave të identitetit, ndërsa përgjatë kësaj jave ata nuk kanë marrë pjesë në komisionet parlamentare, ku janë anëtarë. Përveç bojkotit të parlamentit, krerët e opozitës kanë lajmëruar edhe për protesta masive në të gjithë vendin, si dhe për mundësinë e bojkotit të zgjedhjeve. Një javë më parë, Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Kastriot Islami, deklaroi pikërisht këto qëndrime të opozitës, duke paralajmëruar përshkallëzim të këtyre qëndrimeve deri në bojkot të zgjedhjeve. Përgjatë javës së fundit, të gjitha deklaratat e krerëve të PS, deputetëve të saj, kanë të bëjnë pikërisht me çështjen e kartave të identitetit. Megjithëse kryeministri Berisha ka deklaruar se do të ketë lehtësira për një kategori të konsiderueshme të qytetarëve pa pasaportë, në procesin e pajisjes së tyre me karta identiteti, PS vazhdon ta konsiderojë ende të pazgjidhur çështjen.