E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot "gjyqi" i aleatëve ndaj Berishës

Kryeministri Sali Berisha thyhen heshtjen me aleatët. Pas batutave të bëra në mbledhjen e qeverisë një ditë më parë, lideri i mazhorancës vendos të mbledhë tryezën e koalicionit. Të vegjlit e djathtë do të paraqesin sot në tryezën e koalicionit propozimet e tyre, ku më delikati do të jetë ai për vendosjen e pragut elektoral. Kryerepublikani Fatmir Mediu ka bërë me dije se i ka kërkuar Kryeministrit Berisha që vendimtarët që mbrojnë tezën e PS të dalin dhe të tregojnë pikat e mira të kësaj teze. "Kushtetuta ka probleme dhe duhet të ndryshojë nëpërmjet një procesi dhe jo nëpërmjet një vendimi", është shprehur Mediu, sipas të cilit do të ishte e pafalshme që ndryshimet në Kushtetutë të bëhen pa transparencë. Demokristianët, reformatorët dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut konfirmojnë mbledhjen e tryezës në të cilën do të diskutojnë një seri çështjesh që nuk lidhen vetëm me sistemin zgjedhor. Detajet e mbledhjes do të bëhen publike sot kur të vegjlit do të dalin nga takimi me Berishën edhe me një qëndrim konkret, pas një pauze të gjatë takimesh në nivel kryetarësh. Partia Republikane është për një sistem zgjedhor që do t‘u shërbente të gjithë shqiptarëve dhe nuk do të përjashtonte nga Parlamenti asnjë forcë politike. Kryetari i Partisë Republikane, njëkohësisht edhe ministër i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, deklaroi se "ndryshimet në Kushtetutë për sa i përket reformës zgjedhore, të cilat janë propozuar nga Partia Socialiste dhe mbështetur njëkohësisht nga Partia Demokratike, duhet të jenë një proces i hapur dhe transparent". Sipas Mediut, "ka një institucion që merret me reformën zgjedhore, që është komisioni i posaçëm parlamentar për këtë çështje, i cili nuk mund të përjashtohet nga diskutimi i çdolloj iniciative". Të vegjlit kanë kërkuar gjithashtu edhe zbatimin e kërkesave të OSBE-së. "Unë mendoj se është e rëndësishme për ta ndarë këtë çështje në dy momente tepër të nevojshme që janë: kërkesat e bëra nga OSBE-ODIHR për reformën, që janë kërkesat për kartat e identitetit, listat e votuesve, shmangia e fenomenit ‘Dushk‘, e cila mund të shmanget duke vendosur vetëm një fletë votimi për individin kandidues dhe partinë që ai përfaqëson dhe e fundit, është çështja e komisioneve zgjedhore", veçoi Mediu. Ai nuk e sheh çështjen e reformës zgjedhore si një shqetësim të madh, duke u shprehur se "çështja e sistemit zgjedhor nuk është kaq preokupuese sa ç‘pretendohet në politikën shqiptare, pasi çdo sistem zgjedhor është i mirë kur implementohet drejt, dhe nëse ne do të kemi vullnetin për të mos lënë hapësira në kodin elektoral, që deformojnë vullnetin e votuesve shqiptarë, çdo gjë është e mundshme që ne të kemi sistem zgjedhor, i cili bazohet mbi konkurrimin, qoftë atij individual, po kështu edhe të partive".

Duke folur për sistemin elektoral spanjoll, Mediu theksoi se "kur flasim për një sistem zgjedhor e kemi fjalën këtu që të zgjedhim një sistem, i cili t‘i afrohet realitetit tonë. Unë nuk jam për përjashtimin e njërit sistem apo zgjedhjen e një tjetri, unë mendoj që e rëndësishme është që ne të bëjmë një analizë për sistemin aktual që kemi. Sepse ky sistem që kemi ofron konkurrimin e drejtpërdrejtë të deputetëve, një raport të drejtpërdrejtë me votuesin, si dhe një raport politik apo vend shtesë në proporcional". Republikani Mediu mendon se "ne duhet të zgjedhim një sistem, i cili është i thjeshtë, i aplikueshëm dhe nuk deformon votën dhe vullnetin e qytetarëve, por që njëkohësisht të mos përjashtojë asnjë parti politike". Lidhur me qëndrimin që po mban aktualisht PR-ja, në lidhje me aleaten e saj, PD, Mediu u shpreh se "në qoftë se flasim për partneritet dhe për aleanca, unë mendoj që është e rëndësishme të ulemi në diskutime si aleatë, pasi kemi një mazhorancë funksionale. Atëherë nisur nga ky fakt u takon kryetarëve të këtyre partive të vendosin dhe të marrin një qëndrim të përbashkët për këtë çështje. Natyrisht, kjo është një marrëdhënie politike e një koalicioni që bazohet mbi qëllime të përbashkëta dhe si e tillë duhet të funksionojë", u shpreh Mediu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›