E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjikondi: LSI-ja ngre zërin për pronat

Lëvizja Socialiste për Integrim shprehu dje shqetësimin e saj në lidhje me kolapsin që ka pushtuar një nga të drejtat dhe kolonat bazë ku ngrihet shteti i së drejtës, të drejtën e pronësisë. Sekretarja organizatave, Brizida Gjikondi, tha se Komisioni i Ligjeve, në mënyrë flagrante ka legjitimuar një akt antikushtetues, i cili bie ndesh me përcaktimet kushtetuese dhe ligjore, për mënyrat se si fitohet pronësia në Republikën e Shqipërisë. "Qeveria nuk ka vizionin dhe vullnetin e duhur për të zgjidhur dhe hartuar një rregullator për mbarë sistemin dhe procedurat që kanë të bëjnë me pronësinë, pavarësisht se kjo përbënte një nga premtimet e saj elektorale dhe programore të qeverisjes", tha Gjikondi. Sipas saj, qeveria shqiptare stimulon dhe shfrytëzon këtë kaos legjislativ për përfitime ngushtësisht personale. "Kompetencat që i janë dhënë së fundmi ALUIZNI-t, duke anashkaluar kompetencat e Njësive Vendore, Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, etj., vërtetojnë se kjo qeveri ka vizion të prapambetur dhe diktatorial për filozofinë mbi të cilin ngrihet sistemi i pronave", këmbënguli Gjikondi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›