E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Maqedonisë i duhet një qeveri unike

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Ervan Fuere, deklaroi se negociatat për anëtarësim në BE mund të arrihen vetëm me një qeveri të bashkuar. "Që të vihet deri te fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian, me rëndësi vitale është që qeveria të mbetet e bashkuar, koalicioni qeveritar tash të demonstrojë lidership dhe udhëheqësi më shumë se kurdoherë që t‘i zgjidhë të gjitha reformat e parapara", deklaroi Fuere pas një tribune në të cilën u bisedua për eurointegrimet". Fuere apelon për koalicion qeveritar të unifikuar. Eurodiplomati Fuere shpreson se kriza politike në vend do të tejkalohet. "Me sa e di unë, PDSH akoma nuk e ka sjellë vendimin përfundimtar. Sonte mbahet mbledhje në kuvendin e përgjithshëm të partisë dhe besojmë se porosinë për qeveri të bashkuar do ta kuptojnë anëtarët e partisë", tha Fuere. Lidhur me çështjet që i ka ngritur PDSH-ja dhe i ka theksuar si problematike, Fuere shpreson se në javët dhe muajt e ardhshëm në njëfarë mënyrë do të përgjigjen. Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, nuk ka udhëtuar për në Prishtinë për takimin e paralajmëruar me Presidentin Fatmir Sejdiu. Takimi që kreu i PDSH-së kishte paralajmëruar me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, është anuluar, për shkak të takimeve të intensifikuara të kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi, me diplomatët e huaj në Shkup. Kjo është konfirmuar edhe nga selia e PDSH-së, ku thuhet se Thaçi ka qenë në takime intensive me diplomatë perëndimorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›