E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama “fortifikon” hetimin me 4 prokurorë të Krimeve të Rënda

 

TIRANE – Kryeprokurorja Ina Rama “fortifikon” grupin hetimor të ngritur për zbardhjen e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi. Pas angazhimit të dy prokurorëve të Krimeve të Rënda me hetimin e ngjarjes që në momentin kur është marrë njoftimi për vrasjen, prej ditës së diel janë përfshirë në kryerjen e veprimeve edhe dy prokurorë të tjerë të Krimeve të Rënda. Prokurorët Kostaq Beluri dhe Adnand Xholi u angazhuan direkt me hetimin e ngjarjes që të shtunën, ndërsa një ditë më vonë, të dielën, pjesë e grupit hetimor janë bërë edhe prokurorët Ardian Nezha dhe Besnik Muçi. I gjithë procesi ka pasur vëmendjen maksimale edhe nga drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsian Çela, i cili pasi qëndroi në vendin e ngjarjes menjëherë pas krimit, mbajti kontakte më pas me policinë, ndërsa qëndroi në Fier edhe një ditë më vonë gjatë analizës që Kryeprokurorja Ina Rama zhvilloi me vartësit e saj dhe policinë për përcaktimin e pistave hetimore të ngjarjes. Nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme mësohet se prokurorët e angazhuar në hetimin e ngjarjes, po ndjekin secili prej tyre nga një pistë të veçantë, ndërsa herë pas here ballafaqojnë të dhënat dhe provat e grumbulluara. Policia e Shtetit ndërkohë ka deklaruar angazhimin në këtë proces hetimi të ekspertëve dhe oficerëve të saj më të mirë nga Sektori i Krimeve të Rënda, Departamenti i Hetimit dhe Laboratori i Policisë Shkencore. Një rol në hetimin e çështjes ka mbajtur edhe policia lokale e Fierit, kryesisht në drejtim të marrjes së informacionit nga banorët e zonës ku ndodhi krimi.                tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›