E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama i jep 48 orë afat Prokurorisë

 

Aristir Lumezi

Të zbardhet vrasja e deputetit brenda 48 orëve, në të kundërt ne do të reagojmë politikisht. Ky mësohet të ketë qenë mesazhi që kryesocialisti Rama i ka dërguar Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, në Fier ditën e varrimit të deputetit socialist të vrarë pranë shtëpisë së tij në Roskovec. Burime nga organi i akuzës pohojnë se kreu i selisë rozë është shprehur se nuk do të bënte asnjë deklaratë që do të krijonte insinuata politike, duke i dhënë Prokurorisë kohën e mjaftueshme për të zbardhur një krim të tillë. Pritet që sot të ketë një pozicionim të selisë rozë rreth ngjarjes. Në fakt edhe ditën e vrasjes së deputetit socialist, për t’i dhënë mundësi organeve kompetente të hetonin rreth ngjarjes, socialistët në të gjitha deklaratat e tyre mediatike i janë shmangur përcaktimit të vrasjes së deputetit si politike. Ata vazhdimisht kërkuan zbardhjen sa më parë të saj dhe nxjerrjen e autorëve para drejtësisë. Burime nga organi i akuzës pohojnë se selia rozë mbajti një pozicion të admirueshëm që nga momenti i vrasjes së deputetit dhe deri në përcjelljen e tij për në banesën e fundit, pasi bënë ç’ishte e mundur për të ulur tensionin e familjarëve dhe simpatizantëve pak momente pas vrasjes së deputetit, kur ai ishte dërguar në spitalin e Fierit. Burime nga selia rozë, që nuk preferuan të identifikohen, pohuan dje për gazetën “Panorama” se filozofia dhe kultura e re politike që socialistët kanë sjellë këto vite, u vërejt edhe në rastin e vrasjes tragjike të deputetit socialist Fatmir Xhindi. Sapo u përhap lajmi i vrasjes, të shumtë ishin ata që besonin se ky rast do të shoqërohej me shfryrje zemërimi dhe dalje jashtë kontrolli, ashtu siç kishte ndodhur vite më parë me vrasjen e deputetit demokrat. Ndryshe nga vrasja e deputetit demokrat Azem Hajdari, kur menjëherë kryetari i opozitës së atëhershme Sali Berisha e etiketoi vrasjen si politike dhe hodhi akuza direkte ndaj kundërshtarëve të tij politikë, por dhe trazirat që ndodhën më pas gjatë varrimit të Hajdarit, socialistët treguan diçka ndryshe. Ata nuk vrapuan të akuzonin dhe të etiketonin fajtorë dhe autorë, por kërkuan që edhe me këtë rast të tregonin se po sjellin një kulturë ndryshe politike. Ata janë në pritje të përfundimit të hetimit dhe të përcaktimit të vrasësit nga ana e Prokurorisë, për të gjykuar dhe vlerësuar shkaqet e humbjes së kolegut të tyre deputet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›