PS, heshtje elektorale për Xhindin
Vdekja tragjike e deputetit socialist Fatmir Xhindi bëri që selia rozë të pezullonte dje çdo aktivitet politik publik. Kështu është ndërprerë parafushata elektorale, ku socialistët kishin nisur të vepronin në të gjitha qarqet e vendit. Po ashtu dje nuk pati asnjë deklaratë politike nga ana e selisë rozë për çështjet politike apo dhe ekonomike, apo dhe ato të arsimit e shëndetësisë. Socialistët dje nuk kanë marrë pjesë as në komisionet parlamentare të Kuvendit në respekt të heshtjes politike të tyre në respekt të kujtimit të kolegut që humbi jetën në mënyrë tragjike me 6 plumba para portës së tij të banesës. Por ndërkaq në selinë rozë, dje si rrallë ditët e tjera ka pasur një lëvizje shumë të madhe anëtarësh, simpatizantësh, por dhe deputetësh dhe të zgjedhurish socialistë, të cilët interesoheshin për ecurinë e hetimit nga ana e Prokurorisë dhe institucioneve të tjera rreth vrasjes së Fatmir Xhindit.