E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, konsultat e fundit për listat

 

Aristir Lumezi

Partia Socialiste është duke mbyllur listat e kandidatëve për deputetë. Kryetari socialist Edi Rama edhe dje ka vazhduar konsultat e tij me faktorë politikë të qarqeve, për të përcaktuar ekipet që do përbëjnë listat e kandidatëve për deputetë. Kreu i PS ka zhvilluar dje takime me kreun e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, kreun e bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini etj. Në më pak se dy javë deri në mbylljen e afatit ligjor për depozitimin e listave të kandidatëve për deputetë në KQZ, selia rozë ka përcaktuar ekipet me të cilët ajo do të përfaqësohet në çdo qark. Ka qenë vetë kryetari socialist, Edi Rama, i cili ka takuar kryesuesit e listave të PS-së për çdo qark, që janë njëkohësisht dhe të deleguarit e kryesisë, por dhe të zgjedhur vendorë, kryetarë bashkish dhe komunash me të cilët ka diskutuar rreth emrave që do të përbëjnë listën e kandidatëve socialistë. Por në të gjitha takimet, mësohet se nuk është diskutuar për renditjen e tyre në këtë listë. Rama është munduar që në këto ekipe, siç dhe ai vetë i ka cilësuar, në të 12 qarqet, të ketë përfaqësues me reputacion, por dhe deputetë aktualë, të cilët do alternohen me prurjet e reja, në mënyrë që lista të jetë sa më interesante në figura, kontribute, moshë dhe gjini. Dje mësohet se kryetari socialist ka zhvilluar një takim me përfaqësues të qarkut Elbasan dhe atij të Lezhës, me të cilët ka diskutuar jo vetëm çështjen e kartave të identitetit, por dhe atë të emrave që do të përbëjnë listën e kandidatëve për deputetë të këtyre qarqeve. Mësohet se kandidatët për deputetë janë përcaktuar pas konsultimesh në qarqet e veriut të vendit, ku numri i fituesve për PS është dhe më i vogël, ndërsa mbeten ende qarqe si Fieri, Vlora, Gjirokastra, Durrësi që janë në përfundim të këtij procesi. Në konsultimet, që kreu socialist po i zhvillon me të zgjedhur të PS, ekipi po plotësohet me emra ku një pjesë do të jenë në bllokun ku PS pretendon të fitojë në atë qark, ndërsa pjesa tjetër, do të ketë akses të plotë në ekzekutiv dhe administratën e ardhshme, nëse socialistët marrin pushtetin. Ajo që kreu socialist u ka komunikuar në të gjitha këto konsultime, ka qenë renditja në listë e kandidatëve. Sipas Ramës, ajo do të jetë atribut i kryesisë socialiste, që do t’i japë dhe formën përfundimtare asaj. Por deri atëherë, të gjithë emrat që do të përbëjnë ekipin konkurrues socialist në qarqe, mbeten favoritë për të qenë në vendet e para të listës, por të qartë dhe për një pozicion të mirë në administratën e ardhshme, pas investimit politik në garën elektorale. Pritet që këto ditë socialistët të caktojnë dhe datën se kur do të mblidhet kryesia socialiste, e cila do të vendosë dhe datën e Asamblesë Kombëtare. E më pas Asambleja do të miratojë formalisht listën e 140 kandidatëve për deputetë të socialistëve, por dhe thirrjen e kongresit elektoral para nisjes së fushatës zyrtare.

emrat qe kryesojne qarqet

Lezhë
Lindita Nikolli
Shkodër
Mimoza Hafizi
Dibër   
Sadri Abazi
Kukës
Asllan Dogjani
Durrës
Blendi Klosi
Tirana
E pavendosur
Elbasani
Valentina Leskaj
Berat   
Erion Braçe
Fier
Gramoz Ruçi
Korçë
Ben Blushi
Vlorë   
Arben Malaj
Gjirokastër
Arta Dade

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›