Tiranë, familjarët e deputetit në pyetje tek Krimet e Rënda
TIRANE – Duke filluar që nga orët e mëngjesit të djeshëm, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në kryeqytet prokurorët e ngarkuar me hetimin e vrasjes së deputetit kanë vazhduar të marrin në pyetje të afërmit e viktimës. Nga burime zyrtare të hetimit, mësohet se janë administruar dje në dosje deklarimet e personave të rrethit familjar. Ata janë marrë në pyetje në lidhje me aktivitetin e ditës së fundit të Fatmir Xhindit, para se ai të ekzekutohej në atentatin me armë zjarri në oborrin e banesës së tij në qytetin e Roskovecit. Nga burime të Prokurorisë mësohet se të afërmit kanë këmbëngulur se deputeti nuk ka pasur konflikte personale me askënd, ndërsa ka pasur një popullaritet të mirë në zonë, mbi të cilin kishte vendosur të rikandidonte si deputet në zgjedhjet e qershorit 2009. Sipas akuzës mësohet se të afërmit e deputetit Xhindi kanë mbështetur mundësinë që krimi të ketë lidhje me detyrën e 49-vjeçarit si deputet i Partisë Socialiste, megjithatë në deklarimet e dhëna për prokurorët dhe hetuesit e Krimeve të Rënda, prej të afërmve nuk janë mësuar të dhëna konkrete në lidhje me këtë drejtim të hetimit. Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë marrë në pyetje dje më shumë se dhjetë persona deri në mesditë, ndërsa administrimi i thënieve të dëshmitarëve ka vazhduar deri vonë në orët e mbrëmjes. Përveç rrethit të ngushtë familjar të Fatmir Xhindit, Prokuroria ka marrë deklarime edhe nga dëshmitarët që kanë qenë me deputetin para vrasjes si dhe nga banorë të zonës, që u është kërkuar të paraqiten në Tiranë për të dhënë sqarime mbi ngjarjen. Pyetja e këtyre personave në Tiranë është bërë pasi grupi i prokurorëve ka përfunduar veprimet në Fier, duke u zhvendosur në zyrat e Krimeve të Rënda në kryeqytet. Një pjesë e mirë e të afërmve të deputetit ishin pyetur edhe më parë, por pas përfundimit të ceremonisë mortore prokurorët kanë dashur të saktësojnë momente të veçanta të ngjarjes, që janë mësuar nga provat e reja të grumbulluara dy ditët e fundit. Pyetja e personave me dijeni për rrethana që ndihmojnë hetimin ka vazhduar dje paralelisht edhe në policinë e Fierit. tr.so