E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti, PD-PS pakt për ndryshimin e Kushtetutës

 

BLEDAR HOTI

Heqja e imunitetit do të realizohet me ndërhyrjen në Kushtetutë. Demokratët dhe socialistët pritet të arrijnë një pakt të ri për ndryshimin e Kushtetutës, duke hequr mburojën ligjore të zyrtarëve me imunitet. Sinjali i bashkëpunimit u dha dje në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit të Kuvendit ku u ra dakord për amendimin e Kushtetutës për mënyrën e kufizimit të imunitetit parlamentar. PD dhe PS përcaktuan në këtë Këshill se ndryshimi duhet të realizohet me ndërhyrjen në ligjin themeltar të shtetit shqiptar. Për realizimin e kësaj nisme duket se PD-ja ka pranuar të heqë dorë nga projektligji i saj, "Për kufizimin e imunitetit të deputetëve". Në njoftimin për shtyp, theksohet se "këshilli për Legjislacionin konstaton se, nismat e ndërmarra deri tani në lidhje me çështjet e imuniteteve nuk kanë prodhuar rezultatin e dëshiruar". "Kuvendi i Shqipërisë, në mënyrë të qartë ka shprehur vullnetin për kufizimin e imunitetit. Këshilli për Legjislacionin mendon se, ky vullnet duhet të konkretizohet në miratimin e amendamenteve kushtetuese, të cilat t'i përgjigjen standardeve evropiane në trajtimin e çështjes së imuniteteve", thuhet në njoftimin për median. Këshilli për Legjislacionin do t'ia përcjellë qëndrimin e tij të gjitha grupeve parlamentare në Konferencën e Kryetarëve, me qëllim që amendamentet kushtetuese të mbështeten nga të gjitha grupet parlamentare. Për realizimin e këtij procesi, këshilli për Legjislacionin vendosi t'i kërkojë dy anëtarëve të tij, Ylli Bufi nga PS dhe Ilir Rusmali nga PD që të hartojnë draft-amendamentet për kufizimin e imuniteteve. Këto amendamente më pas do t'u jepen grupeve parlamentare për nënshkrim, për të vazhduar më tej me procedurat e Rregullores së Kuvendit për rishikimin e Kushtetutës.
Heqja e imunitetit
Imuniteti i deputetit është i sanksionuar në nenin 73 të Kushtetutës. "Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet", thuhet në pikën 2 të nenit 73 të Kushtetutës. Kjo pjesë e sanksionuar pritet të shfuqizohet nga ana e Kuvendit, i cili do të lërë në fuqi vetëm votimin nga Legjislativi në momentin kur deputeti duhet të arrestohet nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërsa nuk është përcaktuar se nëse nisma për heqjen e imunitetit do të prekë anëtarët e gjykatave, si e Lartë dhe Kushtetuese apo jo. Në njoftimin për shtyp sanksionohet se "dy deputetëve Rusmali dhe Bufi i është lënë si detyrë që të hartojnë draft-amendamentet për kufizimin e imuniteteve", pra jo vetëm atë parlamentar. Burime brenda mbledhjes bëjnë të ditur se, kjo çështje ende nuk është përcaktuar ende, pasi është vendosur vetëm rruga që do të ndiqet për ndërhyrjen në Kushtetutë për heqjen e imunitetit. Që me ardhjen në pushtet të maxhorancës së djathtë, tema e ditës ishte heqja dhe kufizimi i imunitetit. Nisma me anë të një ligji është cilësuar nga socialistët si jo e përshtatshme dhe realizimi i këtij objektivi bëhet me ndërhyrjen në Kushtetutë. Për heqjen e imunitetit parlamentar, Komisioni i Venecias dha mendimin e tij, por duke kërkuar që miratimi i ligjit të bëhet me shumicë të cilësuar, me 84 vota të deputetëve, duke nënkuptuar konsensusin e opozitës për një gjë të tillë. Heqja e imunitetit të dy deputetëve, Lulzim Basha dhe Fatmir Mediut solli në skenë debatin për çështjen e kufizimit të imunitetit, por asnjëra prej palëve nuk kishin vullnetin e duhur për ta konkretizuar me votim në Kuvend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›