E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një muaj pa drita, bllokojnë rrugën

 

VLORE - Banorët e plazhit të vjetër bllokuan dje për rreth 30 minuta rrugën Vlorë – Tec – Petroliferë. Protesta e 40 familjeve u bë për shkak se ata prej një muaji nuk furnizohen me energji elektrike nga ana e OSSH-së. Të irrituar për situatën e krijuar, dje banorët bllokuan rrugën me gurë dhe sende të tjera rrethanore. Ndërsa vetë ata dolën përpara makinave të tonazheve të rënda që qarkullojnë në këtë aks, duke mos lejuar asnjërën prej tyre të kalonte. Kështu, për rreth 40 minuta u paralizua krejtësisht rruga si dhe u bllokua qarkullimi i të gjitha mjeteve, ndër to dhe autobusi i linjës urbane. Banorët kërkuan nga OSSH-ja rilidhjen e menjëhershme të energjisë elektrike të banesave të tyre. Gjithashtu ata kërkuan vendosjen e matësve, duke refuzuar të paguajnë faturat aforfe në masën 30 mijë lekë të vjetra në muaj. Ata u shprehën dje se harxhojnë më pak kilovat nga sa paguajnë, ndaj duhet të merren masa dhe t’u vendosin nëpër shtëpitë e tyre matësit elektrikë. Sipas banorëve, ata kanë kërkuar edhe ndihmën e bashkisë së Vlorës si dhe të prefekturës për të zgjidhur këtë problem jetik. “Kemi dhe pleq e fëmijë, të cilët e kanë të domosdoshme energjinë elektrike”, u shprehën banorët dje, teksa kishin bllokuar rrugën. Pas më shumë se 40 minutash ndërhyri policia për zhbllokimin e rrugës.      q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›